E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha informon deputetët e Grupit Parlamentar të PD mbi vizitën në Londër

Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike i njohu deputetët mbi vizitën e zhvilluar në Londër, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes se Lojërave Olimpike.

Kryeministri Berisha në fjalën e tij u ndal veçanërisht në pritjen që Mbretëresha Elisabeta e II shtroi në Buckingam Palace për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive që merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike si dhe mbi takimin e veçantë të zhvilluar në Pallatin Mbretëror me Kryeministrin britanik David Cameron.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh:

Zonja deputete,

Zotërinj deputetë,

Zonja Kryetare e Parlamentit,

Zoti  Kryetar  i Grupit Parlamentar,

Në këtë takim nuk mund të ketë një çështje për të cilën mund të flas më së pari, sesa për  udhëtimin tim në Londër, i cili në kuptimin më të vërtetë  të fjalës, mund të cilësohet  si një udhëtim në “Botën e Çudirave”.

Njeriu  e ka të vështirë të gjejë dhe ta përshkruajë me fjalë një udhëtim si ky, por ia lehtëson shumë regjizori  gjenial  Danny  Boyle,  regjizor  i filmit “Slumdog Millionaire”, i  cili kishte konceptuar atë stadium, si “Ishullin e Çudirave”, në të cilin ky regjizor i kishte vënë vetes  si  qëllim të shkrijë  në  një, atë që  është më  e mira,  idealin anglez  sipas William Bleich,  “England's Green and Pleasant Land”. E ndieje, e perceptoje, e shijoje në çdo sekondë të asaj megashfaqeje në të cilinë Boyle, kishte shkrirë, kishte sintezuar më të mirat e të gjitha kohërave  të asaj toke dhe të atij kombi.

Nga Shekspiri  tek Xhoan Rouling, nga Edward Elgar tek  Paul McCartney, Adele,  gjithçka u përkushtohej atletëve.  E tërë shfaqja ishte një përkushtim ndaj tyre, por siç do të thoshte një gazetar i shquar, - Danny Boyl nuk pranoi të thotë se, ky ishte koncerti muzikor më i mrekullueshëm i organizuar ndonjëherë, - por natyrisht muzika ishte lumi i “Ishullit të Çudirave”.

Gjithçka  ishte për të paraqitur atë kontribut  të madh që ky komb ka dhënë, në kulturën, në muzikën, në sportin, njerëzimit.

Mbretëresha në fjalën e saj në Buckingam Palace do të theksonte se tipari më i rëndësishëm  i shpirtit olimpik është të qenurit  sëbashku, jo rezultati, por mënyra e performimit  është më kryesore. Natyrisht  Madhëria e saj do të theksonte se  ky ishte një vend themelues, krijues i shumë sporteve të botës.

Nuk kishte zgjedhje më të bukur  që Danny  Boyle mund të bënte, sesa të përzgjidhte si himn të olimpiadës,  Hey Jude  këngën e  Paul  McCartney. Cilido që e njeh historinë e kësaj kënge është një nga lirikat më të bukura të lirikës botërore është një përkushtim, prekës ndaj   Xhulianit,  djalit të  John Lennonit, kur humbi të ëmën, është një himn për të synuar më të mirën.

Pra dhe këtu një përzgjedhje ndër më të mençurat.  Natyrisht Paul  McCartney  e mbylli, por aty në ato orë  që kalonin me shpejtësi të rrufeshme, spektatorët patën fatin të shohin baletin më masiv, mbi 10 mijë balerinë, që ekzekutonin dancin e tyre të shoqëruar nga muzika dhe këngët  e The Beatles, Rollin Stone,  Adele e shumë të tjerë.  Në këtë nivel  ishte organizimi i përsosur i të gjithë kësaj veprimtarie.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Deri më sot Londra është kryeqyteti botëror i Lojërave Olimpike dhe jo vetëm për faktin se atje po zhvillohet aktualisht Olimpiada e 30 e Lojërave Olimpike, pro është i vetmi  qytet i botës në të cilin ato zhvillohen për të tretën herë, janë zhvilluar në vitin 1908, në vitin 1948 dhe tani në vitin 2012.

Natyrisht  kjo ishte ceremonia më madhështore, por duhet të theksoj se madhështore ishte pritja që   Mbretëresha  Elisabeth  II  shtroi në Buckingam Palace për të gjithë kryetarët  e shteteve dhe qeverive që kishin shkuar për të marrë pjesë ne ceremoninë e hapjes.  Vetë  Lojërat  Olimpike u hapën me imitimin e rënies së këmbanave në të gjithë tokën e mbretërisë.  Akt ky që ndodh vetëm  kur përfundojnë luftërat  ose kurorëzohet Mbreti apo Mbretëresha, por kënaqësia e të gjithë të ftuarve ishte se ky aktivitet  i madh,  i jashtëzakonshëm, më i madhi në katër  vite me radhë, koinçidonte me jubileun e Diamantë të Mbretëreshës Elisabeth II , jubile ky që ka ndodhur vetëm një herë me stër- stër gjyshen e saj Victoria, por natyrisht duhet të themi se kurrë ndonjëherë ai komb dhe ai vend nuk ka pasur këtë fuqi dhe zhvillim që ka sot.

Në 60 vite të drejtimit të saj në krye të kurorës britanike, ishte emotiv  momenti që do të uroja Mbretëreshën  Madhërinë e saj për jubileun e Diamantë dhe për pritjen madhështore që shtroi në Buckingam Palace.  Në sallën mbretërore  kryesore të pallatit ishte i tërë gjaku blu i Europës dhe Botës, si rrallë ndonjëherë tjetër.  Ishin presidentë dhe kryeministra nga të gjitha kontinentet dhe vendet.  Ishte një rast i shkëlqyer për të biseduar, për të takuar, për të përshëndetur, për të shkëmbyer mendime me të gjithë të pranishmit dhe natyrisht në epiqendër ishte madhëria e saj Mbretëresha Elisabeth II.  Kurse star-i  i pritjes ishte pa asnjë mëdyshje  Princi  William.

Ishte e tërë dinastia dhe unë pata rastin t’i shpreh mirënjohjen Mbretëreshës për ftesën, për pritjen dhe ti uroj direkt jubileun e Diamantë.

Takova Princin Charles dhe e ftova të vijë në Shqipëri dhe princi më siguroi se ai do shumë që ta vizitojë Shqipërinë.  Takova pothuaj të gjitha anëtarët e familjes mbretërore.  Njëra nga princeshat, do më thoshte se ,  - nëna ime ka qenë shoqëruese  e mbretëreshës  Gereldinë në martesë  dhe ushqente respektin më të madh për mbretëreshën e Shqipërisë.  Takova shumicën e të pranishmeve në këtë pritje të papërsëritshme.  Kam qenë dhe dy herë të tjera në Buckingam Palace, jam pritur nga mbretëresha në vizitën time në 1994 në Britaninë e Madhe, kam qenë i pranishëm në pritjen  që ajo shtroi për 50 vjetorin e fitores se luftës së Dytë Botërore, por kjo ishte pritja e Diamantë e saj.

Pati edhe një moment të jashtëzakonshëm, unik në historinë e kurorës britanike. Imitimin e zbritjes së saj nga qielli në “Ishullin  e Çudirave” në stadium.  Danny  Boyle  e fton Mbretëreshën të lerë zyrën dhe sëbashku me të, u ulën me helikopter, fluturuan mbi stadium dhe u hodhën me parashutë  të dy,  pra për të marrë dhe aspektin qiellor. Natyrisht Mbretëresha u prit me ovacione të jashtëzakonshme kur hyri nga dera e caktuar nga protokolli i saj. Por ajo bëri një gjë.  Për hir të olimpiadës dhe shpirtit olimpik ajo pranoi të dalë jashtë konvencioneve të protokollit të saj mbretëror për tu paraqitur të pranishmeve në stadium, por dhe mbarë botës, si një parashutiste që po zbriste në ato lojëra nga qielli.

Në këtë udhëtim, mund ta vlerësosh vetëm si një udhëtim në Botën e Çudirave, pata rastin të kem një takim të veçantë me kryeministrin e Britanisë së Madhe David  Cameron.  Kryeministri  Cameron më rezervoi një  pritje të veçantë në një nga dhomat e Buckingam Palace. Unë isha një nga të paktët, nga disa prej presidentëve dhe kryeministrave  të pranishëm në këtë aktivitet, që u prita në pritje te veçantë nga kryeministri i Britanisë së Madhe . Me këtë rast unë dua ti shpreh edhe njëherë falënderimin më të përzemërt. Të theksoj se u ndjeva jashtëzakonisht i nderuar, se në një kohë tmerrësisht të ngjeshur si axhendë, për qeverinë e tij dhe atë vetë, ai gjeti  kohën dhe më rezervoi një pritje të veçantë, në të cilën ne diskutuam problemet e zhvillimeve në Shqipëri  dhe zhvillimeve në Rajon. Ndaj gjej rasti ta falenderoj përzemërsisht. Unë e ftova kryeministrin Cameron të vizitojë Shqipërinë në rastin e  100 vjetorit, nuk e di nëse axhenda do ta lejoje të realizojë këtë vizitë, por shprehu vlerësimin për 100 vjetorin e Shqipërisë, simpatinë dhe mbështetjen e tij për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropianë mbi bazën e një procesi të merituar, vendosmërinë e Britanisë së Madhe për të vazhduar për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, që ka luajtur.

Nga Londra në Dhërmi,  i  entuziazmuar dhe i pushtuar nga shpirti olimpik, dita e djeshme ishte dita e parë që pas një viti unë u futa në det  dhe absolutisht nuk e nisa notin me idenë për të thyer rekordin, por thash siç është norma të bëj një nxehje,  por nuk me lëshonte deti.  "Nuk mund të dalësh" thoshte. T’ju them me sinqeritet, ka qenë noti që kam bërë më lehtë ndonjëherë në të gjitha garat e tjera me veten time. Saqë më shkonte mendja të nisem drejt  Kepit te Gjuzës, por problemi është se shoqëruesit nuk me ndiqnin dot dhe nuk më shkonte skema, ndaj e lashë, por natyrisht theva rekordin e vjetshëm me veten time, nga 131 minuta që ishte vjet ë 141 minuta këtë vit.

Cila ishte ndjenja kur dola? Ndjenja e parë që më erdhi në mendje ishte, vitet poshtë dhe unë përpjetë. Pse kjo!  Sepse vjet unë për ta përballuar dehidratimin mora dhe një shishe ujë gjatë notit, sivjet fare, të  vetmen  gjë që bëra mora një kapele për tu mbrojtur nga dielli dhe kur dola isha i gatshëm të kthehesha përsëri në det. Një ndjenjë kjo që nuk mbaj mend ta kem patur ne garën e parafundit.

U ndala pak dhe nuk do të kisha folur për garën time personale dhe rekordin tim të ri, po të mos kishte ndodhur kjo në kuadrin e shpirtit olimpik, e tillë ishte atmosfera.


30/07/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›