Kryeministri Berisha dhe ai hungarez Orban rikonfirmojnë vullnetin për konsolidimin e bashkëpunimit midis dy vendeve
Me ftesë të Kryeministrit Berisha, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri Kryeministri i Republikës së Hungarisë Viktor Orban, në krye të një delegacioni.
Kryeministri Berisha priti sot Kryeministrin e Republikës së Hungarisë, zotin Viktor Orban, i cili, me ftesë të Kryeministrit Berisha zhvilloi në krye të një delegacioni, një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Me një ceremonial zyrtar në nderim të personaliteteve të larta, Kryeministri Berisha i uroi Kryeministrit Orban mirëseardhjen dhe më pas, dy homologët zhvilluan një takim tetë a tetë, i cili u pasua nga bisedimet mes dy delegacioneve, të kryesuara nga dy kryeministrat.
Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen delegacionit hungarez, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë shumë të rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi Hungaria mban kryesinë e radhës së BE-së. Kryeministri Berisha e falënderoi me mirënjohje Kryeministrin Orban për mbështetjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në vijimësi proceset e saj integruese dhe liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Kryeministri Orban e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që ndodhej sot, në Shqipëri, për të ripohuar mbështetjen e plotë që Hungaria i jep Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të shpejtë në BE. “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është në interesin më të mirë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të vetë BE-së”, u shpreh Kryeministri Orban.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve e qeverive, të cilat bazohen në miqësinë tradicionale e historike mes dy popujve e kombeve. Gjithashtu, u rikonfirmua vullneti dhe angazhimi i plotë i të dy qeverive dhe vendeve për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në interesin më të mirë të dy vendeve mike, në veçanti bashkëpunimin ekonomik e nxitjen e investimeve të rëndësishme të ndërsjella që do t'i konsolidojnë e zgjerojnë e më tej lidhjet e panumërta midis dy vendeve e popujve miq.
Pas bisedimeve dypalëshe, dy Kryeministrat Berisha dhe Orban dolën në një konferencë për shtyp, në të cilën deklaruan.
Kryeministri Berisha: Përshëndetje!
Sapo përfunduam bisedimet miqësore e zyrtare me Kryeministrin e Hungarisë, Kryetarin e Presidencës së radhës së Bashkimit Europian, zotin Viktor Orban dhe delegacionin që e shoqëron. Për mua ishte një rast për t’i shprehur mirënjohjen e thellë dhe falënderimin e përzemërt mikut të shquar të Shqipërisë dhe timin, Kryeministrit Orban për këtë vizitë shumë të rëndësishme, në një kohë shumë të çmuar për të, veçanërisht si Kryetar i radhës së Bashkimit Europian dhe në një akt shumë miqësor ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, një kontribut thelbësor në bashkëpunimin dhe miqësinë tradicionale midis dy kombeve e vendeve tona.
Kjo është vizita e dytë që Kryeministri Orban bën në Shqipëri, gjatë periudhës së tij dy herë si Kryeministër i Republikës së Hungarisë. Ishte një rast për t’i shprehur falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë mikut tonë të shquar për të gjithë ndihmën që Hungaria ka dhënë dhe jep për vendin dhe kombin tonë në rrugën e integrimit në institucionet euroatlantike dhe tani në Bashkimin Europian, por edhe në zhvillimin e vendit në tërësi. Eksperienca e shkëlqyer e Hungarisë është shumë e çmuar në rrugën tonë të integrimit. Hungaria ka pasur Presidencën e BE-së dhe me shumë sukses ka udhëhequr Bashkimin Europian gjatë këtyre gjashtë muajve dhe unë e urova Kryeministrin Orban për suksesin e tij. Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit kanë pasur te Kryeministri i Hungarisë, një avokat të shkëlqyer të aspiratave të tyre në BE.
Në bisedime, ne diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin bilateral në të gjitha fushat, politike, ekonomike, kulturore dhe në çdo fushë, veçanërisht vumë theksin tek angazhimi i përbashkët për të nxitur dhe zhvilluar më tej bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi një kuadër ligjor të shkëlqyer bashkëpunimi dhe jemi të gatshëm ta përsosim më tej. Shqipëria u ofron potenciale të mëdha investitorëve hungarezë dhe shpresoj që kjo vizitë të jetë një inkurajim i vërtetë, i madh për ta.
Natyrisht, në bisedimet tona u trajtuan të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Unë e sigurova mikun tim se krahas zhurmës politike në Shqipëri, shteti ligjor funksionon normalisht, institucionet e tij garantojnë zbatimin e ligjit. Zgjedhjet që u zhvilluan në Shqipëri, në tërësi përfunduan në një kohë të shkurtër dhe ishin me rezultate më të qarta. Në Tiranë ishte një rezultat i ngushtë, vlerësimi i të cilit është në proces e sipër nga institucionet e vendit. Rezultati i ngushtë është test për këto institucione, të cilin unë jam i bindur se do e kalojnë me sukses të plotë.
Ne e marrim procesin e integrimit në Europë si procesin më serioz dhe projektin më të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptaret, për vitet që vijnë. Qeveria ime e konsideron këtë proces tërësisht të bazuar në meritë. Në mënyrë të përsëritur e transparente unë u kam deklaruar dhe u deklaroj shqiptarëve se ne kemi për të ndërtuar Europën, në çdo qoshe të vendit tonë. Në këtë moto, ne kemi ndihmën e madhe të miqve tanë dhe u jemi shumë mirënjohës.
Edhe një herë dua të falënderoj Kryeministrin e Republikës së Hungarisë, Kryetarin e radhës së Presidencës së Bashkimit Europian, mikun e shquar të Shqipërisë, shqiptarëve dhe timin, zotin Orban, për këtë vizitë shumë të rëndësishme që zhvilloi në Shqipëri. Faleminderit shumë.
Kryeministri Orban: Të nderuar zonja dhe zotërinj,
për fat të keq, unë nuk flas dot shqip, që, në fakt, është një problem. Por, megjithatë, ne kemi kapërcyer probleme më të mëdha se ky që unë nuk di shqip. Edhe në rast se unë do të dëshiroja të mësoja shqip, nuk do të mundja dot, sepse ende nuk ka një fjalor shqip-hungarisht dhe anasjelltas që ta bëj këtë gjë. Por mendoj se kjo është diçka që mund të arrihet, ne nuk duhet të dorëzohemi para këtij problemi. Ndaj zoti Kryeministër, mendoj se ne duhet të bëjmë gjithçka që të kemi një fjalor të tillë në duar, le të inkurajojmë gjuhëtarët tanë që ta arrijnë këtë gjë. Për fat të keq, tani ju duhet të përballoni edhe këtë provë, të më dëgjoni të flas në hungarisht.
Unë kam qenë këtu edhe 10 vjet më parë dhe në atë kohë ishte një familje tjetër politike që qeveriste këtë vend dhe në atë kohë, Kryeministri i tanishëm ka qenë në opozitë. Por unë edhe atëherë e takova Kryeministrin e sotëm. Megjithëse në atë kohë, duhet të them se ishte vërtet shumë e vështirë ta takoje se kishte një lloj bllokade ndaj tij. Pra, në rast se ka një person që nuk do të çuditet nga debati i tanishëm politik në Shqipëri, ky person jam unë, sepse mendoj se debatet e brendshme politike janë çështje të vetë shqiptarëve dhe unë dëshiroj që populli shqiptar t’i zgjidhe këto debate të brendshme politike.
Pra, unë jam personi që 10 vjet më parë vizitova për herë të parë vendin tuaj dhe një person si unë ka një këndvështrim tjetër, të ndryshëm nga ju që jetoni në këtë vend. Ndaj unë dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t’ju shprehur urimet më të mira ju, zoti Kryeministër, për arritjet dhe punën fantastike që keni bërë gjatë kësaj periudhe. Unë e di që jeta edhe në Shqipëri nuk është edhe aq e lehtë. Unë jam i sigurt që ju ndesheni me vështirësi, por shoh që gjatë këtyre 10 viteve, rruga që ju keni përshkuar, pavarësisht nga vështirësitë, është e madhe. Më lejoni, zoti Kryeministër, të shfrytëzoj këtë rast për t’i shprehur popullit shqiptar përgëzimet më të mira për punën dhe arritjet fantastike që ai ka realizuar gjatë 10 viteve të fundit.
Marrëdhëniet tradicionale ndërmjet Hungarisë dhe Shqipërisë janë gjithashtu shumë të mira, janë fantastike dhe absolutisht, nuk ka asnjë lloj ndryshimi apo diference politike ndërmjet nesh. Por fusha, ku ne dëshirojmë që të shikojmë përmirësime më të mëdha, është fusha e bashkëpunimit ekonomik. Ju jeni tashmë një vend i hapur, që i jeni përshtatur rregullave dhe standardeve të institucioneve ndërkombëtare. Gjithë vendet europiane, në fakt janë këtu, në Shqipëri, përveç hungarezëve. Prandaj tashmë ne kemi nevojë që të kemi një shembull të historisë së suksesit hungarez edhe në Shqipëri. Hungarezët janë si puna e zogjve. Ata nuk mund të qëndrojnë në një degë peme, ku ka edhe zogj të tjerë, prandaj ka ardhur koha që edhe zogu i parë hungarez të qëndrojë në degën e pemës shqiptare të investimeve dhe të jeni të sigurt se pas këtij zogu, ai do të ndiqet nga zogj të tjerë nga Hungaria. Unë vetë, personalisht, jam i gatshëm të ndihmoj për thellimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike mes dy vendeve.
Lidhur me çështjet e integrimit europian, ju të gjithë e dini se unë jam një nga ata kryeministra që i konsideroj vlerat kombëtare, nderin e dinjitetin kombëtar si asetet më të çmuara. Ndaj më lejoni që ta shpreh hapur e qartë bindjen time lidhur me çështjen e integrimit europian, se nuk është vetëm Shqipëria që ka nevojë për Bashkimin Europian, por edhe vetë Bashkimi Europian ka nevojë për Shqipërinë. Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe ajo mbron vlera të rëndësishme. Prandaj është në interesin e vetë Bashkimit Europian që ta ketë në gjirin e vet Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur.
Natyrisht, çështja e integrimit europian është një rrugë me dy korsi, ku duhet të lëvizin të dyja palët njëkohësisht. Unë dua të them gjithashtu dhe besoj se kjo do të kuptohet drejt nga shqiptarët, që edhe BE-së nuk do t’i pëlqente të neglizhoheshin vlerat e tij, ashtu si dhe rregullat e tij, sepse BE-ja përfaqëson në fakt, një godine shumë të madhe, shumë komplekse, ndaj dhe mosrespektimi i rregullave të tij nuk është një gjë e mirë. Natyrisht, ashtu si në rastin e integrimit të Hungarisë, edhe në rastin tuaj, si dhe të çdo vendi, ka të bëjë me realizimin e parakushteve dhe me çështjen e përafrimit të interesave tuaja me Bashkimin Europian. Sot, lidhur me këtë, unë kam mësuar dy gjëra të rëndësishme. E para, ashtu siç Kryeministri juaj i nderuar ma bëri mua të qartë, Shqipëria do që të integrohet në BE mbi bazën e meritave të saj dhe unë nuk kam asnjë dyshim që kjo performancë mbi baza individuale nga ana e vendit tuaj, do të vlerësohet drejt. E dyta, në Shqipëri ka konsensus total, të plotë lidhur me integrimin në Bashkimin Europian dhe është shumë e rëndësishme që një vend të nxitet dhe të shkojë drejt një procesi duke qenë të gjithë bashkë. Në cilësinë time edhe si Kryetar i radhës i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, unë jam me të vërtetë shumë i lumtur që Shqipëria ka pranuar një qëllim të përbashkët, siç është ai i integrimit europian.
Së fundi, më lejoni t’ju risiguroj edhe një herë zoti Kryeministër, ashtu si edhe popullin shqiptar, se Hungaria është në anën tuaj në çdo aspekt dhe do të japë mbështetjen e saj të gjithanshme për ju. Faleminderit shumë për vëmendjen.
Pyetje: sapo anë mbaruar zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe debati më i madh është ai për fletët që janë gjetur në kutitë e gabuara. Nga eksperienca juaj si politika, tashmë Kryeministër i Hungarisë dhe kryesues i radhës i Presidencës së BE-së, mendoni se kjo çështje duhet trajtuar me prioritet, ato fletë duhet numëruar dhe janë të vlefshme se janë vullneti i zgjedhësve?
Kryeministri Orban: Sigurisht, nuk ka dyshim se unë jam ekspert për këto çështje, sepse unë kam fituar shumë zgjedhje, ashti si dhe kam humbur shumë zgjedhje. Pra, nuk ka lloje zgjedhjesh që unë nuk i kam provuar në jetën time. Tani unë nuk dua që t’i fyej shqiptarët duke ndërhyrë në punët e tyre të brendshme, por e vetmja gjë që mund të themi në parim është në të tilla raste ju lutem mund të bëni atë që kanë bërë amerikanët. Ka ndodhur një herë, apo jo. e keni parë në televizor, unë e kam parë në televizor. Ju duhet të shikoni votat, të numëroni votat, fletët e votimit. Është gjë e mirë që edhe televizioni tashmë i trajton këto. Pas kësaj, ju duhet të mbështeteni rehat-rehat në karriget e kolltukët tuaja e të lejoni gjykatat të marrin vendimin përkatës. Kjo ndodhi në Amerikë. Më falni, por unë nuk kam ndonjë këshillë, sugjerim më të mirë, sesa kjo praktikë amerikane.
Pyetje: Zoti Kryeministër, ju thatë se debatet politike janë çështje të vetë shqiptarëve por këto debate politike i refuzuan Shqipërisë pak muaj më parë, në nëntor të vitit 2010, statusin e vendit kandidat. Duke parë deklarimet e deritanishme të liderit të opozitës se nëse ai nuk do të marrë fitoren e këtyre zgjedhjeve sërish do të përdoret e njëjta praktike. Pra sërish rrezikohet e njëjta situatë. A e meritojnë shqiptarët që mundi i gjithë këtyre viteve, siç e vlerësuat ju, të hidhet poshtë nga sjellja e një apo një grupi individësh?
Kryeministri Orban: Unë në asnjë mënyrë nuk dua të shfaqem këtu si një këshilltar për këtë punë, aq më tepër se nuk është se unë po marr dhe ndonjë shpërblim për këshillat që mund të jap. E vetmja gjë që unë mund të them është që çështjet e brendshme të një kombi duhet të zgjidhet nga vetë ky komb, në përputhje më dëshirat e mendjeve dhe të zemrave të tyre. Ndaj, ju lutem, mos dëgjoni askënd tjetër për këtë gjë. Bëjeni në mënyrën që është në interesin më të mirë të Shqipërisë e shqiptarëve dhe mendoni për vendimin më të mirë, që është ai vendim që ju bën ju të jetoni më mirë, të bëni një jetë sa më të mirë për një kohë sa më të gjatë. Sepse në rast se do të merrni një vendim që do të jetë nën ndikimin dhe influencën e të huajve, ka mundësi që atë ditë dhe në ato momente ju ta ndjeni veten të lumtur, por një javë më vonë ju do ta ndjeni veten keq. Kjo është ajo ç’ka unë propozoj për ju. Pra vendosni në mënyrën më të mirë për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Pyetje: Nga përvoja juaj, në bazë të rregullave që ka Bashkimi Evropian, a mund të jepni një datë realiste për aderimin e Shqipërisë? Dhe në këtë drejtim cila do të ishte mbështetje e Hungarisë?
Kryeministri Orban: Kemi shumë përvojë në atë drejtim. Ne kemi përvojën tonë. Jemi nga ato vende që hymë në Bashkimin Europian në vitin 2004. Kemi dhe përvojën e Rumanisë, Bullgarisë, që aderuan pak më vonë. Dhe së shpejti ne do të kemi një përvojë tjetër në këtë drejtim që do të vijë nga Kroacia. Pra nuk është çështja data se kur do të hyjë një vend në Bashkimin Europian, por kjo është çështje që ka të bëjë me përvojën. Mendoj se kjo kornizë kohore mund të shkurtohet në mënyrë të ndjeshme. Dhe mendoj se si Shqipëria ashtu dhe vende të tjera mund të hyjnë edhe më shpejtë në BE sesa vendet e tjera që kanë aderuar më parë. Prandaj mendoj se energjia e harxhuar për të plotësuar kriteret, përkushtimi ndaj objektivit për tu bërë anëtar i Bashkimit Europian, asnjëherë nuk është një kohë dhe një shpenzim i shkuar kot. Ndaj sa më shumë energji që ju jeni të gatshëm të mobilizoni në këtë drejtim, aq më i shpejtë do të jetë dhe procesi i integrimit evropian. Pikërisht këtë gjë kemi bërë ne si Hungari. Kjo mendoj do të çoj edhe Kroacinë drejt një suksesi në këtë proces.
Pyetje: Zoti Kryeministër Orban qeveria juaj ka marrë një vendim, ka ndryshuar ligjin për median, c’ka do të thotë se media atje në një farë mënyrë censurohet duke u kontrolluar. Pse ky vendim?
Kryeministri Orban: Unë mendoj se do të ishte një gabim i madh nëse dikush do të vendosë censurë mbi median. Dhe ai që do të guxonte ta bënte një gjë të tillë në Hungari do të më kishte mua kundërshtarin e tij të parë, pasi jam një mbështetës i vendosur i lirisë së medias. Sepse, në fakt, ne kemi lutuar shumë për lirinë e medias dhe unë kam qenë, gjithashtu, pjesëmarrës në këtë luftë të përgjithshme. Kjo ka ndodhur më shumë se 20 vite më parë. Mendoj se liria e shtypit është fëmija jonë. Duke qenë një familje e mirë, ne natyrisht kujdesemi mjaft mirë edhe për fëmijën tonë.
Sa i përket ligjit hungarez për median, ashtu siç është shprehur dhe nga Bashkimi Europian, ky ligj nuk përfaqëson ndonjë shkelje të lirisë së medias, por në fakt zgjidh një problem. Para zgjedhjeve të fundit parlamentare, sistemi mediatik hungarez ishte totalisht i paralizuar. Për një vit rresht drejtuesit e medias nuk kishin një udhëheqës, një drejtues të tyre. Televizioni publik hungarez nuk kishte drejtuesin e tij. Televizioni publik ishte mbushur me korrupsion duke kapërcyer ku e ku kufijtë e tij financiar dhe duke krijuar deficite shumë të mëdha. Duke qenë një udhëheqës i përgjegjshëm unë nuk mund ta toleroj e lejoj një situatë të tillë. Ndaj gjërat duhet të ecin në shtratin e tyre dhe rregullat duhen respektuar. Në rast se një godinë nuk është e ndërtuar mirë, atëherë ajo duhet rindërtuar. Dhe pikërisht kam bërë unë se bashku me shumicën parlamentare. Lidhur me debatin e fuqishëm që u bë në këtë drejtim, unë përfaqësova dhe mbrojta pozicionin hungarez në Bashkimin Europian. Që nga ajo kohë tani sundon paqja. Pra është vendosur paqja edhe në këtë fushë.
Kryeministri Berisha: Unë do ta shoh me shumë interes këtë ligj.
Pyetje:Zoti kryeministër Berisha, tashmë kanë kaluar katër javë dhe ende nuk kemi një rezultat për kryeqytetin, por finalja është sot. Kolegji Zgjedhor do të japë vendimin për rezultatin e Tiranës. A jeni ju i gatshëm të pranoni çdo lloj vendimi që do të japë Kolegji Zgjedhor?
Kryeministri Berisha: Para se t’i përgjigjem pyetjes tuaj dua t’i shpreh mikut tim vendimin për të botuar sa më shpejt fjalorin dygjuhësh të Prof. Ivan Schëartz si një kontribut të madh në fushën e gjuhësisë e mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve tona. Ndonëse tradicionalisht ndër shekuj mungesa e këtij fjalori nuk ka penguar mirëkuptimin ndërmjet dy vendeve dhe kombeve tona.
Lidhur me pyetjen. Në Tiranë ishte një garë e ngushtë, por gara më transparente që vendi ka njohur. Garë në të cilën ju ndoqët numërimin e çdo vote nëpërmjet ekraneve tuaja. Çështja e votave në kutitë e tjera, numërimi i tyre është një çështje themelore ndërgjegjeje. Politikani, si çdo njeri, ka për detyrë të qëndrojë prapa bindjeve të ndërgjegjes së tij. kjo është praktika e vendeve të qytetëruara. Kjo është praktika e vendeve që kanë një traditë 200 vjeçare në zgjedhje dhe një sistem drejtësie më të fortin. Dhe mbi bazën e ligjit shqiptar, i cili në të gjitha përcaktimet e tij nuk i përfshin këto vota në vota të pavlefshme, ne kërkuam numërimin e tyre. Por ne themelin e çdo sistemi, ligji bazë është numërimi i çdo vote. Sot është një gjykim dhe nuk ka asnjë mëdyshje se shteti ligjor do të respektohet në çdo rast. Pra në qoftë se ne mbrojmë bindjet tona, bindja jonë më e thellë është se një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa funksionimin e shtetit ligjor. Kështu që ne qëndrojmë në respektimit të plotë të vendimit të institucioneve, edhe kur na pëlqejnë edhe kur nuk na pëlqejnë.
Pyetje: Zoti Orban, pas zgjedhjeve të 8 majit opozita në Shqipëri ka marrë një vendim për bojkotimin e Parlamentit. Si i keni parë ju këto zhvillime dhe si do të ndikojnë ato më tej?
Kryeministri Orban: Më lejoni ta ritheksoj se nuk dëshiroj të ndërhyj në këtë çështje. Në Hungari ne kemi pasur një rast, një histori interesante. Është kënaqësi për mua t’jua tregoj këtë histori. Bëhet fjalë për Kushtetutën e re që miratoi Parlamenti. Në zgjedhjet e fundit parlamentare partia ime fitoi 2/3 e Parlamentit dhe ne ishim në gjendje të bënim ndryshimet përkatëse e të miratonim një Kushtetutë të re. Opozita donte të na bllokonte në këtë nismë, por nuk kishin forcën e nevojshme për të na bllokuar në këtë drejtim. Atëherë ata vendosën që të mos merrnin pjesë në procesin e amendimit dhe miratimit të kësaj Kushtetute. Kështu që ata dolën nga Parlamenti, nuk morën pjesë në mbledhje apo takimet e ndryshme. Por në fund ne e miratuam këtë Kushtetutë dhe kryetari i Parlamentit thjesht nuk i pagoi deputetët e opozitës, meqenëse ata nuk kishin marrë pjesë në këtë drejtim. Kjo është historia hungareze në këtë drejtim, që unë desha t’jua tregoj ju.
03/06/2011