E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Integrimit Evropian të Malit të Zi, zotin Milan Rocen

Kryeministri Berisha prit sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Integrimit Evropian të Malit të Zi, zotin Milan Rocen.

Pasi e falënderoi përzemërsisht për mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e Ministrit të Jashtëm dhe Integrimit Evropian të Malit të Zi, si një  kontribut tjetër në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

Ministri Rocen i shprehu kryeministrit Berisha kënaqësinë e jashtëzakonshme për vizitën dhe i përcolli përshëndetjet e kryeministrit të Malit të Zi, zotit Igor Luksic, i cili e fton kryeministrin Berisha për të vizituar Malin e Zi, në një kohë sa më të afërt, si dhe përshëndetjet e mikut personal te kryeministrit Berisha dhe Shqipërisë, ish kryeministrit të  Malit  të Zi, zotit Milo Djukanovic.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe qeverive, të cilat bazohen në një traditë miqësie midis dy popujve dhe u theksua angazhimi i plote i të dy vendeve dhe qeverive për të zgjeruar, thelluar e konsoliduar bashkëpunimin, në të gjitha fushat, në interesin më të mirë të dy popujve, në veçanti në fushën ekonomike, te turizmit, etj.

Ministri Rocen u shpreh se marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Malit të Zi mund të shërbejnë si model për vendet e tjera në rajon dhe më gjerë. Në këtë kontekst u vlerësua si bashkëpunim shumë  i suksesshëm dogana e përbashkët e Muriqanit dhe u theksua angazhimi për ta shtrire këtë bashkëpunim edhe në pikën kufitare te Hanit te Hotit me synim liberalizimin e plote te lëvizjes se qytetarëve, mallrave, e shërbimeve, në të ardhmen e afërt midis dy vendeve, por edhe më gjerë në rajon, bazuar ne modelin evropian.

Gjatë këtij takimi  u diskutua edhe për rëndësinë e projekteve të tjera të përbashkëta, si linja energjetike e interkonjeksionit, thellimi i Bunës, përfundimi i lidhjeve infrastrukturore rrugore midis dy vendeve, projekte në fushën kulturore, shkencore,  etj.

Ministri i Jashtëm dhe Integrimit Evropian i Malit të Zi vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme që Shqipëria ka shënuar gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se ata që vinë për të vizituar Shqipërinë mbeten të impresionuar nga ndryshimet e mëdha që ndodhin përditë në vendin tonë.

Ministri Rocen i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që Shqipëria  i jep Malit te Zi, në përpjekjet për anëtarësimin e vendit në NATO.

Kryeministri Berisha vlerësoi se në kushte shumë te vështira Mali i Zi u provua një aleat de facto i NATO-s, duke lehtësuar operacionet e saj të vitit 1999 dhe se anëtarësimi i plote i Malit te Zi në NATO do ta fuqizoje edhe me tepër krahun jug - lindor te aleancës dhe se Shqipëria e mbështet plotësisht anëtarësimin e vendit fqinj dhe mik në NATO.


06/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›