Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e Task Force për Privatizimet
U zhvillua pranë Këshillit të Ministrave mbledhja e Task Forcë për Privatizimet, në të cilën u diskutua për ecurinë e procesit të privatizimeve si dhe mbi angazhimin e të gjitha ministrive në këtë proces. Në takim ishin të pranishëm ministri i Financave Ridvan Bode, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Genc Ruli, ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi, ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta Spiro Ksera, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Fatmir Mediu.
Ky proces, nënvizoi Kryeministri Berisha, është një proces themelor i reformës së ndërmarrë nga qeveria shqiptare, proces themelor për ekonominë e vendit, si dhe mjaft i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri Berisha gjithashtu theksoi se ka pasur një lëvizje dhe një punë të gjithanshme nga ana e institucioneve për të shpejtuar këtë proces, i cili, në fakt, ka njohur një përshpejtim, por ritmet e tij duhet të jenë edhe më të larta.
Kryeministri Berisha theksoi se procesi i privatizimeve është një përparësi absolute e administratës dhe një proces jetik, si dhe kërkoi nga të gjitha ministritë që të mbyllnin sa më shpejt dhe me eficencë këtë proces.
13/05/2010