Kryeministri Berisha festoi në Durrës 20 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të këtij qyteti
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në 20 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të qytetit ë Durrësit. Në këtë aktivitet kryeministri, shoqërohej nga kryetari i Partisë Demokratike të Durrësit Igli Cara, deputetë, drejtues dhe ish-themelues të Partisë Demokratike në qytetin e Durrësit. Kryeministri vlerësoi të rinjtë dhe të rejat, gratë dhe burrat studentet dhe punëtorët e këtij qyteti, që 20 vjet më parë, iu bashkuan lëvizjes së madhe të mbarë Shqipërisë për shembjen e perdes së hekurt. Sot tha Kryeministri ne ndihemi me krenarë dhe e festojmë me të lirë 20 vjetorin e themelimit të pluralizmit në qytetin e Durrësit, duke lëvizur pa viza në mbarë Europën.
Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri tha:
Demokratë dhe demokrate të Durrësit
Vëllezër dhe motra
Zonja dhe zotërinj
Zotërinj deputet, ministra, qeveritarë vendorë, gëzuar festën e ditëlindjes së lirisë sonë. Festën e pluralizmit, festën e themelimit të Partisë Demokratike 20 vjet më parë, në qytetin tuaj të lashtë.
Sot në të gjithë së bashku nderojmë njëri- tjetrin, nderojmë përpjekjen tonë të përbashkët, nderojmë guximin, trimërinë, vendosmërinë, vizioni n tonë dhe të të gjithë atyre, që 20 vjet më parë vendosën të ngrihen në rrugët e Durrësit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, që të shembnin murin e Berlinit, perden e hekurt dhe të nisin rrugën e lirisë.
20 vjet më parë, në qytetin e Durrësit, grupe të rinjsh dhe të rejash, studentë, intelektualë, punonjës u mblodhën së bashku dhe themeluan këtu, pluralizmin politik, lokomotivën e zhvillimit tonë perëndimorë, promotorin e integrimit të vendit në Europë.
20 vjet më parë nga shpirti, zemra e djemve dhe vajzave të Durrësit, burrave dhe grave, të këtij qyteti ushtoi fuqishëm thirrja “E duam Durrësin, e duam Shqipërinë si mbarë Europa”.
Ne dolëm në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tonë, me një vullnet të hekurt, me një vendosmëri të madhe, me një guxim të pashoq, që Shqipëria të ndiqte dhe ajo rrjedhën e historisë, që Shqipëria të mos mbetej “Kuba” e Adriatiku, muzeum i socializmit totalitar.
20 vjet më parë ne dilnim nga izolimi më i thellë i të gjitha kohërave, nga varfëria, skamja dhe mjerimi më i paimagjinueshëm, nga represioni, shtypja më e egër, që një komb kishte njohur në gjysmën e dytë të shekullit të XX , por sërish asnjëra prej tyre, as klonet dhe telat me gjemba, as hiper kolektivizmi total, mizor dhe barbar, nuk kishin arritur të shuanin në shpirtin tonë dritën e lirisë, pasionin tonë për liri, që do të prijë sot për tu bërë qytetarë të lirë të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.
Asnjë komb tjetër si ne, nuk përjetoi monizmin më ekstrem. Diktatura hoxhiste zhduku në Shqipëri të gjitha format e pluralizmit. Pluralizmin e mendimit, pluralizmin politik, pluralizmin ekonomik dhe fetar. Ajo me ligj dhe kushtetutë ndaloi qytetarët shqiptarë ti luten zotit, ti luten Krishtit, ti luten Muhamedit, ti luten çdo shenjtori që ata besojnë.
Ndaj dhe ne, në përpjekjet e para kur u përballëm me diktaturën. Gjëja e parë që bëmë, filluam publikisht ti lutemi zotit, të lutemi për Krishtin, të lutemi për Muhamedin, të cilët rilindën në këtë tokë së bashku me liritë tona dhe sot çdo shqiptarë feston Krishtlindjet më i lirë, më i denjë se kurrë në histori dhe më lejoni, që në emër tuaj të urojmë të gjithë sot lindjen e Krishtit.
Gëzuar këtë ditë të bardhë të bekuar për ju, por dhe për të gjithë besimtarët në mbarë botën.
Demokratë dhe demokrate
20 vite rrugë, 20 vite përpjekje, 20 vite udhëtim në rrugën e lirisë nuk kanë qenë të lehta, nuk kanë qenë pa dhimbje dhe pa sakrifica të mëdha. Por sot pas 20 vitesh ne kemi të drejtë të krenohemi , sepse jemi 20 vite dritë larg të 20 viteve më parë, sepse rrugën që nuk e dinim e mësuam. Lirinë që nuk e njihnim e ndërtuam, idealet tona demokrate i ndërtuam. Në rast se 20 vjet më parë qyteti përjetoi entuziazmin më të madh të lirisë së saj, ai përjetoi dhe dramat më të madha kombëtare, eksodet e mëdha kombëtare, të cilët largoheshin nga Durrësi, largoheshin nga Shqipëria, të përzënë nga skamja, mjerimi i pa parë ndonjë herë.
Sot pas 20 vitesh Durrësi pret dhe këtë fund viti mijëra e mijëra vajza dhe djem të tij që kthehen nga mbarë Europa, për të festuar së bashku Krishtlindjet dhe Vitin e ri.
Demokratë dhe demokrate
Dua të ndihemi krenarë sot në këtë 20 vjetor, sepse Shqipërinë më të izoluarën e planetit e shndërruam në Shqipërinë anëtare të NATO-s, në Shqipërinë që ecën e sigurt në rrugën e Integrimit të Bashkimit Evropian. Shqiptarët, të cilët 20 vjet më parë në kufijtë e tyre, i prisnin pritat e kallashnikovëve te regjimit mizor, sot lëvizin pa viza të lirë në mbarë Europën .
Ne, duhet të ndihemi krenar në përpjekjen tonë të dertimit të një epoke dhe sistemi të ri. Në 20 vjet ne ia dolëm të rrisim mbi 25 herë të ardhurat për frymë në një nga vendet më të varfëra të planetit. Ne duhet të ndihemi krenar me sakrificën tonë, me besimin tonë, më punën dhe përkushtimin tonë, sot Durrësi është më i madh më i bukur dhe i mbi dyfishuar si kurrë ndonjëherë në historinë e tij. Sot Durrësi është kryeqendër e fuqishme e zhvillimit të vendit. Sot Durrësi është një nga qendrat kryesore të botës intelektuale universitare të Shqipërisë.
Por ne jemi krenar në këtë 20 vjetor, sepse ne kemi vullnetin, ne kemi projektin, ne kemi vizionin që në vitet që vijnë, Durrësi dhe Shqipëria në turravrapin e tyre, të kapin të gjithë kohërat e humbuar që Durrësi dhe Shqipëria të shndërrohen me shpejtësi ,në një prej qyteteve më të zhvilluara të rajonit, se Durrësi Evropian dhe Shqipëria Evropiane të ecin të sigurt në rrugën e anëtasimit të tyre në Bashkimin Evropian.
Ndaj edhe njëherë të vazhdojmë së bashku dhe ftoj qytetarët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, se ndërtimin më të madh që ne mund të bëjmë në këtë 20 vjetor është respektimi i lirive të njëri- tjetrit, zgjerimi i lirive të njëri-tjetrit, konsolidimi i lirive të njëri-tjetrit.
Unë ju jap fjalën ju se liritë dhe problemet tuaja ,janë dhe mbeten çështja më madhore e axhendës sonë.
Zgjedhjet lokale po trokasin, qytetarët dhe qytetare të Durrësit, le të dëshmojmë ne se do të bëjmë zgjedhjet të lira dhe të ndershme dhe unë ju garantoj ju, se qeveria do të bëjë çdo gjë që ju, që çdo qytetar i këtij vendi të votojë i lirë në vullnetin e tij, që vota e ti të numërohet me korrektesën më të madhe, ky është kushti i kushteve për të ecur drejt të ardhmes, ndaj dhe ne le të ecim të sigurt në konsolidimin e lirive tona, të ecim të sigurt drejt zgjedhjeve të lira, të ndershme të ecim të sigurt drejt fitores sonë në Durrës dhe mbarë Shqipërinë.
Ne ecim të sigurt drejt fitores së merituar, sepse ne me përkushtim të madh me vizion të qartë, kemi shndërruar dhe shndërrojmë çdo vit në realitet ëndrrat më të bukura të qytetarëve shqiptare. Ne ndërtuam Shqipërinë anëtare të NATO-s, ne do të ndërtojmë Shqipërinë Evropian, ne ndërtuam Shqipërinë që lëviz e lirshme në mbarë Europën, ne ndërtuam Shqipërinë e infrastrukturës moderne, ne ndërtuam Shqipërinë turistike, e shpallur këtë vit e Bukura e Dheut me Durrësin si kurore të bukurisë së saj.
Dhe njëherë ju uroj gëzuar këtë ditë të bekuar, përulem me nderimin më të madh, respektin më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të këtij qyteti dhe këtij rrethi që në 20 vjet në çdo rrethanë në çdo vështirësi në çdo kohë mbetet bastion i pa mposhtur i vlerave i demokracisë i së ardhmes.
Rroftë populli i Durrësi
Rroftë Shqipëria.
24/12/2010