E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një takim me Shtabin e Emergjencës Civile në Shkodër

Kryeministri Berisha ishte mbrëmjen e sotme në Shkodër për tu njohur më nga afër me situatën në këtë qark, ku dhe zhvilloi një takim me Shtabin Qendror të Emergjencës Civile, të vendosur në Prefekturën e qytetit.

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari dua të përshëndes me mirënjohje dhe shumë përzemërsi qytetarët e Shkodrës dhe komunave të përmbytura, të cilët me një gjakftohtësi, guxim, përgjegjësi të lartë dhe përkushtim të madh, së bashku me të gjithë sistemin e emergjencës kanë realizuar menaxhimin më të shkëlqyer të një katastrofe natyrorë në historinë e këtij vendi, por, ndoshta, edhe në tërësi. Po menaxhohet me sukses të madh një situatë kritike në shumë aspekte. Por ka qenë vetëmohimi i njerëzve, përkushtimi i qytetarëve, puna e shkëlqyer e të gjitha strukturave lokale, vendore e qendrore, të cilat së bashku, deri më sot, kanë menaxhuar këtë katastrofë natyrore në një mënyrë ndër më të përsosurat.

Dje dhe sot ka pasur një përkeqësim të shpejtë të situatës së ujërave, pasi fillimisht, liqeni pësoi sërish një rritje të shpejtë për shkak të prurjeve të mëdha nga Moraça dhe burime të tjera të Malit të Zi, por këtyre prurjeve iu bashkëngjit një shi i pandërprerë këtu, pothuajse 24 orë dhe, natyrisht, shtimi i prurjeve në kaskadë. Ajo çka ishte mjaft problematike ishin Kiri dhe Gjadri që së bashku sillnin një po aq sa kaskada e Drinit. Këta dy lumenj së bashku në 24 orë patën prurje deri në 900m3/s. Kjo bëri që sipërfaqja e përmbytur të shtohet dhe nga 6 mijë hektarë që kishte zbritur, të arrijnë në 7300 hektarë. Sigurisht, u rrit dhe numri i shtëpive të rrethuara nga uji dhe shtëpive të përmbytura.  Megjithatë situata është tërësisht nën kontroll. Por ajo çka ka një rëndësi kapitale është se qytetarët, banorët e zonave të përmbytura, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të policisë, qeveritarët vendorë, grupet e emergjencave civile, rezerva e shtetit në tërësi, pra forcat e angazhuara në këtë operacion së bashku me qytetarët kanë një periudhë të zgjatur pune në kushte të një tensioni të madh, në kushte të një preokupimi të madh, në kushte të vështirësive serioze. 

Por ajo që duhet të na frymëzojë dhe të na shtojë edhe më shumë forcat, përpjekjet, gatishmëritë, është mbi të gjitha rezultati i shkëlqyer i menaxhimit deri në këto momente. Vërtet ka pasur dhe ka lodhje të madhe, ka tension, problemtatikë të shumëllojtë, por kemi, përsëri, kënaqësinë e padiskutueshme që nuk kemi jetë të humbur dhe që çdo qytetar kurdo që i lindi urgjenca mjekësore, pra jo vetëm urgjenca natyrore, ai u ndihmua, qoftë në 1 apo 2 të natës apo qoftë i rrethuar me ujë nga të gjitha anët. E marr këtë si shembull për të dëshmuar, sepse ndodh që urgjenca edhe në kushte normale jo gjithnjë përgjigjet me shpejtësi dhe me eficencën e duhur.

Duhet që të fillojë vlerësimi i dëmeve. Vlerësimi të fillojë me qytetin dhe qeveria sapo ju, zoti kryetar i Bashkisë, Prefekti, së bashku me ekipet, siç është dhe rregulli, do të sillni vlerësimet qeveria do të marrë vendimet përkatëse në përputhje me ligjin e digave. Ku vend ka një ligj që është tërësisht  në fuqi në momentin e fatkeqësive natyrore të krijuara nga ujëra, siç është rasti. Zonat e tjera duhet të lirohen nga uji që të fillojë vlerësimi dhe operacioni i rikuperimit, rehabilitimit, gjë që është edhe aty plotësisht e mundur dhe ne i qëndrojmë plotësisht detyrimit ligjor ndaj qytetarëve të zonave të përmbytura.

Dua të theksoj se çfarëdo që të bëjmë ne, cilado që të jetë përpjekja jonë, ne nuk do të mund të kemi sukses pa angazhimi dhe kontributin e plotë të qytetarëve, të banorëve. Faktikisht këtu ka qëndruar edhe çelësi i këtij menaxhimi. E theksova këtë sepse dua tu bëj thirrje banorëve të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë dhe më të gjitha përpjekjet për ta përballuar me sa më pak dëme këtë fatkeqësi natyrore. Ju keni qeverinë me vete dhe qeveria qëndron plotësisht në mbështetjen tuaj, por është shumë e rëndësishme që në shkallën e vogël të banesës, të lagjes, të bllokut, të rrugicës të përcaktoni mënyrat dhe të angazhoheni për mënyrat më eficente të operacioneve tona.

Një problem madhor na del çështja e bagëtive, e blegtorisë. Ne do të bëjmë çdo gjë për të siguruar bazën e mjaftueshme ushqimore për blegtorinë e zonave të përmbytura. Vetëm se këtu u takon këshillave të komunave dhe kryepleqve që të përcaktojnë skemën më të mirë të shpërndarjes së ushqimeve. Ne si qeveri do të bëjmë çdo gjë për të blerë dhe për të siguruar ushqime. Dua tu shpreh mirënjohjen më të thellë të gjitha komunave të vendit, komunave të Kosovës që kanë dhënë një ndihmë bujare, shumë të çmuar, në të gjitha aspektet, por në veçanti në ushqimin për bagëtitë.

Ministria e Bujqësisë duhet të ketë mobilizim të plotë së bashku me qeverinë vendore dhe me Drejtorinë e Bujqësisë, të përcaktojnë të gjithë rezervat që duhen këtu dhe të mos kemi asnjë dëmtim në bagëti për sa i përket ushqimit. Natyrisht që një numër lopësh, derrash, delesh, janë gjetur të mbytura dhe janë groposur, sikurse të tjera mund të jenë nën ujë dhe do të groposen, por në tërësi këto që janë shpëtuar duhet të kenë dhe do të kenë ushqim të mjaftueshëm.

Unë u bëj thirrje banorëve të mos nguten për të shkuar në shtëpitë e tyre, por le të rrinë në konvikte, në hotele, aty ku janë edhe për disa kohë sa të konsolidohet moti. Luhatjet e motit janë sërish të mëdha. Ndaj më mirë të kemi durim që të mos rrezikojmë asgjë. Prefekti, me shumë të drejtë, më informoi se ka vënë alarmin me kryetarët e komunave në mënyrë që të tërhiqen banorët. Kjo ishte e drejtë, sepse kur lumi Kir dhe Gjadër arrijnë në 900m3/s, imagjinoni se mund të bëhet më kaskadën apo lumenjtë e tjerë që derdhen në liqen nga ana e Malit të Zi.

Kjo gjakftohtësi dhe maturi e dëshmuar deri më tani në qëndrimin ndaj katastrofës le të vazhdojë. Sigurisht që është e lodhshme dhe jashtëzakonisht e mundimshme, por sërish ne duhet ta menaxhojmë atë me përgjegjësinë më të lartë. Zhvillime shumë pozitive janë konkluzionet përfundimtare që na kanë ardhur ne nga ekspertë të ujërave, më të shquar në Europë. Konkluzionet e tyre, të cilat ne sërish i kishim të domosdoshme, ndonëse kishim punuar gjatë vitit, sepse ky është kompleks ujor jashtëzakonisht i ndërlikuar. Një grup inxhinierësh shkruajnë se është më i ndërlikuari në botë. Nuk mund të them, por e vërteta është se është jashtëzakonisht i ndërlikuar. Vetëm gjatë ditëve të para në qoftë se merrni të gjitha prurjet së bashku që derdheshin në këtë pellg ujor, ato absolutisht kanë qenë mbi 8000m3/s nga Moraça deri më Valbonë dhe në Drinin e Zi e Drinin e Bardhë. 

Pra sasi kolosale, ndërkohë që drenimi i tyre është vetëm një, lumi Buna. Ky është i vetmi kanal natyror që i nxjerr në det. Ekspertët janë në union të mendimit se është veprim shumë i drejtë ndërtimi i bypassit. Ata kanë vlerësuar si një masë shumë të rëndësishme ndërtimin e bypassit të qytetit të Shkodrës. Natyrisht me të gjithë sistemin e pompimit të ujërave, por mendimi i tyre është se kjo do të jetë një masë realisht eficente për mbrojtjen e qytetit. Ne, fatmirësisht, e kemi përfunduar projektin dhe ndërtimi do të fillojë sapo të hapen territoret nga trajektorja e tij. Ky mendim kishte shumë rëndësi, sepse përshtypjet janë përshtypje, por gjerat duhet të jenë të argumentuara dhe të bazuara. Këto janë grupet më të mira dhe më të fuqishme që ekzistojnë për ujerat. Fatmirësisht, ato konkordojnë plotësisht mendimin e tyre.

Ne do të vazhdojmë dhe Ministria e Bujqësisë duhet të vazhdojë me çdo kusht finalizimin e argjinaturave të lumit Kir. Shkodra nuk duhet të ketë asnjë kërcim nga lumi Kir. Ekspertët kanë sjellë konkluzionin se duhet të fillojë pastrimi i lumit Buna në 1/3 e sipërme. Zoti zv/Kryeministër, në kuadrin e emergjencës, duhet të procedohet me procedura emergjente për të filluar menjëherë punën. Të fillojmë në kuadrin e procedurave emergjente pastrimin e lumit Buna në 1/3 e sipërme, siç janë të mendimit ata.

Ata, për sa i përket derdhjes, kërkojnë kohë për ta studiuar edhe një herë, sepse është një problem më i ndërlikuar për ta. Ata janë të mendimit se është e domosdoshme të bëhen punime të tjera thellimi në Vilur dhe të sigurohet një drenim më i fuqishëm. Pasi, që të jemi shumë realisht, të thuhet që do të dilet krejtësisht nga përmbytja është teorike. Kjo sepse prurjet kanë qenë 8000m3, ndërsa shkarkimet 2200 – 2500 shkarkimet. Liqeni mbajti sa mbajti pastaj doli. Por e rëndësishme është që të minimizohet. Qyteti mund të mbrohet në një shkallë shumë të lartë. Edhe pjesa e sipërme mund të mbrohet, ndërsa në zonën e Vilurit, Martencës, duhet që qarkullimi i ujërave të jetë i garantuar. Ekspertët sugjerojnë dhe kërkojnë që komunat, duke nisur nga kjo periudhë, të kenë planin e tyre anti - përmbytje. Në këtë plan përfshihen stallat, strehimet, depozita ushqimore. Në një farë mënyrë ky plan ka ekzistuar, sepse po të shohim shtëpitë, kodrat janë të mbushura me shtëpi. Gabimi është rënia në zonën e përmbytjes, por tani është një realitet dhe nuk kemi si ti themi ndryshe. Ajo që mund të bëjmë ne dhe do të bashkëpunojmë me qeverinë vendorë që të krijojmë disa lehtësira, të bëjmë disa ndërtime, të cilat t’i kemi të gatshme për çdo rast që mund të ndodhë përmbytja në këtë apo në atë zonë. Kjo i jep një mundësi mbrojte shumë më të madhe, përveç faktit që do të rriten e do të forcohen argjinaturat dhe do të përmirësohet drenimi.

Mbetet për tu zgjidhur delta e Bunës, por përsëri duhet të jemi shumë realistë. Liqeni nuk mund të zbrazet. Sepse mund të thellosh Bunën e ta bësh që të drenojë 4000m3/s, por kjo të shteron liqenin. Kjo të shërben në rastin e prurjeve të mëdha, por jo në prurje të tjera. E rëndësishme është se tani realisht ka konceptet më të qarta dhe ekspertizën e shkallës më të lartë, përqendrimin ndaj situatave të tilla.

E dyta, e cila është një rëndësie të jashtëzakonshme, projektet në tërësi janë,  përveç një projekti të thellimit tërësor të lumit Buna, i cili do të shihet sa është i nevojshëm. Ata njëherë për njëherë sugjerojnë thellimin e 1/3 së sipërme. Argjinatura po në 1/3 e sipërme  mund të përmirësohet, ndërsa për deltën nuk ka ndonjë version përfundimtar. Por nëse ata do të paraqesin ndonjë projekt, ne do ta zbatojmë.

Unë nuk u ndala në këta elementë rastësisht, por u ndala për faktin se të gjitha këto janë punime që do të fillojnë. Sikundër, ndërhyrjet në sistemim e kanalizimit të shkarkimeve të ujërave të qytetit duhet të fillojnë në kuadrin e emergjencës. Pra duhet të ecim sa më shumë që të jetë e mundur. Ndërkohë ministria e Bujqësisë do të përparësojë me fondet e saj  mbështetjen e fermerëve e komunave të përmbytura për kulturat e mëpastajme. Ne do shohim se si t’ju mbështesim ju me përparësi, përveç zhdëmtimit. Zhdëmtimi do të bëhet, por ne do të studiojmë që t’ju mbështesim me ato mundësi që kemi në mënyrë që të kemi një prodhim më të bollshëm.

Ju jeni zonë shumë e fuqishme bujqësore dhe blegtorale. Unë jam i bindur se do ta rimerrni veten. Në mënyrë të padiskutueshme qeveria do t’ju ndihmojë shumë, sepse është një sakrificë e madhe njerëzore kjo që ndodh. Ne kemi një vendosmëri të hekurt që ju të mos dizekulibroheni nga ana ekonomike, por të vazhdoni, sepse  e vërteta është se në disa prej këtyre komunave ka pasur një shkëputje të fuqishme, një zhvillim shumë të admirueshëm, për sa i përket prodhimit. Ky është interes i madh i tyre, por i vendit në tërësi. Prandaj keni qenë dhe do mbeteni një zonë me prodhime të larta. Ne do bëjmë çdo gjë që pas kësaj periudhe ju të ngriheni prapë siç keni qenë. I garantoj të gjithë fermerët se ministria e Bujqësisë do të bëjë studim të veçantë për t’ju mbështetur juve. Ne i kemi mundësitë dhe jemi shumë të përgatitur që kësaj emergjence t’i përgjigjemi si në plan të menjëhershëm, ashtu dhe bë plan afatmesëm e afatgjatë. Natyrisht është e dhimbshme kur sheh njerëzit, të cilët  kanë një kohë të gjatë të rrethuar me ujë, sepse njerëzit atje ku kanë banesën, kanë shpirtin. Për këtë duhet të jemi realist. Por përsëri tërësia është jashtëzakonisht pozitive. E them këtë me shumë mirënjohje. Ndaj ne të vazhdojmë dhe për asnjë moment të mos mendojmë gjë tjetër, përveç se si të menaxhojmë më mirë ditën që vjen.Kjo, në radhë të parë, erdhi shumë para kohe. Urojmë që të mos kemi asnjë ditë tjetër shqetësuese, por edhe mund të ketë. Dhe kemi 7000 hektar nën ujë.

Edhe një herë ju përshëndes dhe ju falënderoj shumë, sepse keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Pa këtë punë dhe përkushtim tuajin, sigurisht dhe ndihmën e qytetarëve, nuk do të ishim sot më të lehtësuar. Ujë kemi, përmbytje kemi, por nuk kemi ato probleme të mëdha që edhe mund të na i sillte kjo përmbytje.

Faleminderit!”


21/12/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›