Kryeministri Berisha feston me fëmijët e Shkodrës, festat e fundvitit
Ju uroj të gjithë fëmijëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, një vit të mbarë, një vit siç e meritojnë ata, me ëndrrat, me shpirtin , me zemrën e tyre.
Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha festuan së bashku me fëmijët e zonave të përmbytura, në Shkodër, festat e fundvitit.
Në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë prindër e mësues, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Kryeministri Berisha u shpreh i lumtur që ndodhej mes fëmijëve, për të ndarë së bashku me ta, emocionin e festave.
Kryeministri iu uroi fëmijëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, një vit të mbarë, të bardhë dhe të gëzuar, ashtu siç ata e meritojnë.
Duke shprehur nderimin më të thellë, për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe të zonave të përmbytura, Kryeministri tha se në këtë katastrofë të rëndë natyrore, spikati dhe shkëlqeu madhërishëm shpirti i qytetarit shkodran, i banorëve të komunave të përmbytura, guximi, trimëria dhe mençuria e tyre.
Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që dëmet e shkaktuara nga përmbytja të rikuperohen sa më shpejt dhe se viti i ri do të jetë një vit i projekteve të mëdha dhe të rëndësishme, për shkollat dhe kopshtet e fëmijëve, si dhe për Shkodrën e mbarë Shqipërinë.
Më, pas, në një atmosferë festive, Kryeministri dhe zonja Berisha shpërndanë dhuratat e përgatitura për fëmijët.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri tha:
“Te dashur fëmijë, prindër dhe familjarë të pranishëm këtu, të nderuar qeveritarë vendore, deputetë, zonja drejtoreshë, të dashur mësuese dhe mësues.
Se pari ju përshëndes shumë përzemërsisht, ju përqafoj dhe ju uroj një vit të ri me shumë gëzime, me shëndet dhe me çdo të mirë që ju do zemra juaj.
JU uroj të gjithë fëmijëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, një vit të mbarë, një vit siç e meritojnë ata me ëndrrat me shpirtin, me zemrën e tyre, por unë dua të shpreh gjithashtu nderimin tim më të thellë për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe të zonave të tjera të përmbytura.
Zonja drejtoreshë, me shumë të drejtë, theksoi situatën vërtet shumë të vështirë, në cilën vendi, Shkodra dhe Nënshkodra kaloi, por dua të them këtu se në këtë katastrofë të rënde natyrore, në këto vështirësi shumë të mëdha që u krijuan spikati shkëlqeu madhërishëm shpirti i qytetarit shkodran, I banorëve të komunave të përmbytura, guximi, trimëria, mençuria e tyre. Të gjithë këto së bashku bënë që në bashkëpunim me autoritet qendrore dhe vendore, ne sot të festojmë gëzueshëm, të festojmë të sigurt se ato dëme që u bënë do ti riparojmë plotësisht.
Le të shprehim së bashku kënaqësinë e madhe se sot kemi shëndoshë e mirë, të gjithë qytetarët dhe banorët e zonave të përmbytura, se ata do të festojnë vitin e ri shëndoshë e mire. Unë jam këtu për ti garantuar se qeveria do të bëjë gjithçka që dëmet e shkaktuara nga përmbytja të rikuperohen sa më shpejt dhe me mirë dhe se viti i ri do të jetë një vit i projekteve të mëdha dhe të rëndësishme, për shkollat tuaja, të dashur fëmijë, për kopshtet tuaja, për Shkodrën dhe për mbarë Shqipërinë.
Ndaj dhe njëherë ju përqafoj të gjithëve dhe me gjithë zemër ju uroj një vit të mbarë, një vit të bukur, siç jeni vetë.”
30/12/2010