E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i uron mbarësi e shëndet bebeve të sapolindura dhe nënave në Maternitetin e Tiranës “Mbretëresha Geraldinë”

Kryeministri Berisha me bashkëshorten nisën Vitin e Ri 2009 me urimin për fëmijët e sapolindur në Maternitetin e Tiranës, “Mbretëresha Geraldinë”.

Në këtë urim të parë Kryeministri Berisha shoqërohej edhe nga Ministria e Shëndetësisë, zonja Anila Godo.

Duke përshëndetur nënat e reja që lindën në minutat e para të Vitit të Ri 2009, Kryeministri Berisha uroi për një vit me mbarësi, uroi që fëmijët të rriten të lumtur me nënat e tyre, me baballarët dhe me gjithë familjarët, në shëndet dhe me mirësi.

“Ditën e parë të vitit të ri e nisa me urimin për fëmijët e sapolindur të këtij viti. Fëmija është mbarësia e familjes, është mbarësia e shoqërisë. Ndaj unë e shfrytëzoj këtë rast për të uruar familjet e nënave që kanë lindur sot fëmijët e parë por edhe për të uruar të gjithë familjet shqiptare një vit plot mbarësi, një vit plot me gëzime, një vit me suksese dhe natyrisht një vit me fitore, sepse fitorja është pjesë e mbarësisë.”

Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e  tij, zonja Liri Berisha dhe Ministria e Shëndetësisë, zonja Anila Godo vizitoi edhe repartin e foshnjave të braktisura pranë Maternitetit të Tiranës “Mbretëresha Geraldinë”, në të cilin u interesua nga afër për shëndetin dhe trajtimin e tyre.


01/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›