E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhi i urimit të Kryeministrit Berisha drejtuar qytetarëve shqiptarë me rastin e Vitit të Ri 2009

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë,

Bashkëkombës të mi kudo që jeni,

Sonte ne të gjithë së bashku po presim me kënaqësi çastin e ndërrimit të viteve. Ne të gjithë po presim me padurim që me dashuri, mirësi dhe respekt të urojmë me gjithë zemër njeri-tjetrin prandaj dhe unë dua të bashkoj me miqtë, familjarët, të njohurit dhe të dashurit tuaj, urimin tim më të sinqerte, më miqësor për secilin prej jush kudo që festoni sonte, në vatrat tuaja familjare, restorante, klube me miqtë dhe të dashurit tuaj në Shqipëri ose jashtë saj, në detyrë, në spitale, në vuajtje dënimi apo udhëtime “Gëzuar Vitin e Ri 2009!”

Le të sjellë ky vit plot gëzime, shëndet, mbarësi dhe suksese për ju, familjet tuaja, dhe të gjithë ata që ju do zemra.

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë,

Përpara se akrepat e orës të na njoftojnë ndërrimin e viteve ju ftoj të bëjmë bashkërisht vlerësimin e vitit që lemë pas.

Unë jam i bindur se pavarësisht nga dertet, lëndimet, apo fatkeqësitë e pamerituara që mund të na kenë rënë, kemi 1001 arsye të ndahemi nga viti 2008 me ndjenjat më miqësore dhe mirënjohjen më të thellë ndaj tij.

Viti 2008 për shqiptarët ishte viti i tyre sepse ketë vit ne shndërruam në realitet ëndrrën e madhe kombëtare të pavarësisë se Kosovës ndaj dhe ne gjithmonë do ta mbajmë mend dhe nderojmë atë si vitin e lirisë dhe dinjitetit tone kombëtar. Ky është viti ne te cilin shqiptaret ia dolën pas një sage të zgjatur sakrificash mbinjerëzore, të këndojnë më në fund edhe ata në shtëpitë dhe trojet e tyre këngën e lirisë.

Zoti i Bekoftë shqiptarët!

Viti 2008 ishte vit historik dhe i bekuar për shqiptarët. Me 3 prill të këtij viti, në Samitin e Bukureshtit ne morëm ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kështu ne sosëm rrugëtimin e nisur shekuj më parë drejt perëndimit nga prijësi ynë legjendar Skënderbeu. Pas shekuj pushtimesh, copëtimesh të renda, diktaturash të egra ne mbërritëm në destinacionin tonë. Shqipëria u kthye në gjirin e familjes së kombeve që ju përket.

Viti 2008 ishte mik i vërtetë dhe i çmuar për çdo shqiptar sepse ai u çel me një konsensus të gjerë për reformat e mëdha kushtetuese, ligjore që vendosën pushtetin legjislativ, gjyqësor, presidencën, ekzekutivin, sistemin zgjedhor, në baza të reja kushtetuese dhe ligjore moderne, dëshmi madhore e maturitetit të padiskutueshëm të demokracisë shqiptare.

Por po këtë vit shqiptarët u ndanë në mënyrë të qytetëruar dhe ligjore nga krimet dhe barbaritë e sistemit komunist totalitar për të ecur të sigurtë drejt paqes sociale.

Viti 2008 ishte viti i kurorëzimit me sukses të reformave ekonomike, revolucionit fiskal, i suksesit të luftës kundër korrupsionit. Këtë vit Shqipëria zuri vendin e dyte në botë për suksesin e reformave ekonomike. U rendit në 10 vendet më të suksesshme të planetit në luftën kundër korrupsionit dhe qeveria e saj u shpall kampione për reformat e thella kundër kësaj lëngate të vërtetë. Vetëm në taksa dhe tatime në 3 vjet të marra së bashku u shpëtuan 3.2 miliardë dollarë.

Viti 2008 ishte viti i mbarësisë së vërtete për shqiptarët pasi ky është viti i bumit ekonomik. Shqipëria këtë vit është vendi i vetëm në Evrope me rritje dyshifrore, mbi 10%. Është viti i bumit të besimit të botës së biznesit ndaj vendit tonë dhe bumit të investimeve të huaja. Vetëm këtë Dhjetor janë firmosur 3.5 miliardë Euro kontrata me kompani ndër më të mëdhatë në Europë.

Viti 2008 ishte viti i bumit të madh turistik te vendit. Gjate këtij viti Shqipërinë e vizituan mbi 2 milionë turistë kundrejt vetëm rreth 300,000 turiste qe e vizituan në vitin 2004.

Viti 2008 është viti i investimeve me të mëdha në infrastrukturën e vendit. Vetëm në rrugë kombëtare dhe rurale këtë vit u investuan 12 herë më shumë se në vitin 2004. Këtë vit korridori Shqiptar lëshoi shtrat në të gjithë gjatësinë e tij, rrugë e cila do të inaugurohet pranverën që vjen, si dhe nisën punimet në autostradat Korçe-Qafe Plloçe, Levan-Vlore, Rruga e Arbrit, si dhe në qindra e qindra kilometra rrugë kombëtare dhe rurale.

Viti 2008 ishte viti i mbi-dyfishimit të numrit të studentëve ne Shqipëri, por mbi të gjitha ky ishte viti që solli një mirësi të vërtete në 800,000 familje shqiptare duke rritur ndjeshëm të ardhurat nga rrogat dhe pensionet e tyre. Kështu, duke filluar nga data 1 Korrik:

-          arsimtarët shqiptare marrin një rrogë 75% më të madhe se 3 vjet më parë

-          Infermierët dhe mjekët e vendit një rrogë rreth 80% më të lartë sesa në vitin 2005,

-          pensionistët e fshatit një pension 75% më të lartë sesa 3 vjet më parë, ndërsa ata të qytetit 40 deri 70% më të lartë.

Mirësinë e vitit 2008 për 800 mije familje shqiptare e rriti dhe më shumë shpërblimi i fundvitit qe shkon nga 5,000 lekë gjer në një rrogë të plotë.

Duke përmendur meritat që bëjnë vitin 2008 të paharrueshëm për shqiptarët, unë sonte dua t’ju drejtohem me një urim të veçantë të gjitha familjeve apo qytetarëve që gjatë vitit 2008 kanë përjetuar dhimbje të thella sepse kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, apo janë përballur me papunësi, skamje, sëmundje dhe halle te tjera. Unë uroj që viti 2009 të mbushë me gëzime shpirtin, zemrat dhe vatrat e tyre.

Zonja dhe zotërinj,

Me këto që ne kemi arritur, kemi të drejtë të besojmë dhe shpresojmë se në dyert tona po troket një vit tjetër i madh dhe i bardhë; vit me më shumë shpresë, mirëkuptim, dashuri, punësim dhe begati. Një vit në të cilin ne do meritojmë anëtarësimin në NATO, statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe liberalizimin e plote të vizave dhe i inaugurimit të Korridorit shqiptar. Viti 2009 do të jetë viti në të cilin ne do zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe së bashku do vazhdojmë ndryshimin e Shqipërisë.

Gëzuar vitin 2009, një vit të mbarë për Shqiptaret dhe miqtë e tyre në mbarë botën!

Zoti e Bekoftë Shqipërinë!


31/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›