E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron nisjen e punimeve për rrugën Instituti Bujqësor-Bulçesh

Një projekt tjetër madhor zhvillohet dita-ditës në zonat tuaja dhe ky është legalizimi i banesave. Kam kënaqësinë e madhe se 70 përqind e të gjitha dosjeve janë miratuar në qeveri dhe brenda 2 muajve që vijnë, 100 përqind, çdo dosje, do të jetë e miratuar në qeveri.

Kryeministri Berisha inauguroi dje fillimin e punimeve në rrugën Instituti Bujqësor – Bulçesh. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor me një gjatësi prej 2.6 kilometrash, i cili lidh bashkinë e Kamzës dhe bashkinë e Tiranës me komunën e Paskuqanit, do të përmbajë edhe sistemin e rrjetit të energjisë elektrike, telefonisë, si dhe sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Në fjalën e tij përshëndetëse për banorët e Kamzës, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, banorë të Kamzës!

Së pari, ju përshëndes përzemërsisht, shpreh kënaqësinë e madhe që festojmë sot fitoren me nisjen e punimeve në këtë rrugë, një investim prej 176 milionë lekë, me të cilën ne ndryshojmë infrastrukturën, modernizojmë infrastrukturën tuaj dhe dua t’ju zotohem ju këtu se qeveria ime do të asfaltojë dhe sistemojë çdo rrugë dhe rrugicë të qytetit tuaj. Banorët e Kamzës, Paskuqanit dhe të gjithë banorët e ardhur nga të katër anët e vendit, nga Vaqarri deri në Zall-Herr, kanë ndërtuar qytetin më të madh dhe më të bukur të vendit, dëshmi e energjisë së tyre krijuese, dëshmi e vendosmërisë së tyre për të pasur një jetë më të mirë. Ju u larguat nga vatrat tuaja, për të kërkuar për vete dhe për fëmijët tuaj një jetë më të mirë. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të gëzoni kushtet e jetesës së një qyteti modern, ndaj dhe infrastruktura moderne për ju, shkollat, pallati I kulturës, pallati I sportit, qendra shëndetësore, ujësjellësi, kanalizimet, energjia elektrike, këto janë linjat, në të cilat ne kemi investuar dhe investojmë, deri në ndërtimin përfundimtar të një infrastrukture moderne.

Qytetarë dhe qytetare të Kamzës!

Një projekt tjetër madhor zhvillohet dita-ditës në zonat tuaja dhe ky është legalizimi i banesave. Kam kënaqësinë e madhe se 70 përqind e të gjitha dosjeve janë miratuar në qeveri. Ju siguroj se brenda 2 muajve që vijnë, 100 përqind, çdo dosje, do të jetë e miratuar në qeveri dhe ju garantoj se parlamenti, 2-3 javët e para të punës së tij, do të miratojë ligjin për përdorimin e letrave me vlerë, që ju të paguani sipas vendimeve banesat tuaja në përqindjen e përcaktuar dhe premtuar nga qeveria.

Këtu nga Kamza, edhe një herë dua të ndalem në fitoren në komunën e Ballagatit. Ajo është një fitore që ka ngrohur zemrat e të gjithë shqiptarëve. Ajo është dëshmi e një ndryshimi të madh, në vlerësimin e programit të kësaj qeverie. Por nga ana tjetër është edhe një flakje e doktrinës së mashtrimeve, shpifjeve dhe trillimeve, me të cilën ish-kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u paraqit para shqiptarëve për vite të tëra. Shprehem këtu për ish-kryetarin, jo se atij i është ndërprerë mandati nga statuti i tij, se çështjet e statutit të partisë së tij nuk më interesojnë mua, por e vërteta është se me leksionin e madh që i dhanë shqiptarët më 28 qershor, ai mund të rrijë të shpifë, të trillojë, të mashtrojë, por çdo ditë numri i shqiptarëve që do i besojnë atij do të pakësohet, deri sa ta lenë vetëm me shalsat e tij. Ndaj edhe unë ju ftoj që të vazhdojmë të festojmë fitoren me vepra konkrete, të festojmë fitoren duke lënë mbrapa një prapambetje të madhe që nuk e meritonim; duke lënë mbrapa një problematikë të madh që trashëguam.  Ju jeni dëshmitarë se në çfarë kushtesh ndërtuat shtëpitë tuaja në këtë zonë dhe cilat janë ndryshimet e kësaj zone gjatë këtyre 4 viteve. Unë ju garantoj ju, se 4 vitet që vijnë, do të jenë vitet e ndryshimit më të madh pozitiv të këtij qyteti dhe të mbarë qyteteve dhe të fshatrave të vendit. Në këto 4 vite, Shqipëria që po ndryshon, do të jetë një Shqipëri krejt tjetër, do të jetë një Shqipëri e standardeve të reja, një Shqipëri gjenerator i fuqishëm punësimi; një Shqipëri në të cilën, shkollimi cilësor, shërbimi shëndetësor cilësor, infrastruktura moderne, do të bëhen një realitet për të gjithë vendin.

Edhe një herë ju përshëndes!

Ju garantoj se qeveria ime do të financojë në këtë qytet, në Kamëz, në Paskuqan dhe kudo të gjitha projektet që do të miratojë këshilli bashkiak i juaj për të ndryshuar për mbarë jetën tuaj.

Faleminderit!”


06/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›