E Shtunë, 31 Tetor 2026

ëposhtme: V E N D I M

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjet dhe vendimet e mëposhtme:

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT PËR IMUNITETET DHE PRIVILEGJET E ASAMBLESË PARLAMENTARE TË BASHKËPUNIMIT EKONOMIK TË DETIT TË ZI”

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit për imunitetet dhe privilegjet e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I   SALI BERISHA   P R O J E K T L I GJ

PËR

 

RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT PËR IMUNITETET DHE PRIVILEGJET E ASAMBLESË PARLAMENTARE TË BASHKËPUNIMIT EKONOMIK TË DETIT TË ZI

 

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1,  83, pika 1,  dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Neni 1

 

Ratifikimin e protokollit për imunitetet dhe privilegjet e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij ligji.

 

Neni 2

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYETARI

 

JOZEFINA TOPALLI

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË THEMELIMIT TË KORPORATËS ISLAMIKE PËR SIGURIMIN E INVESTIMEVE DHE TË KREDIVE TË EKSPORTIT”

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së themelimit të korporatës islamike për sigurimin e investimeve dhe të kredive të eksportit”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I   SALI BERISHA  

 

P R O J E K T L I GJ

 

PËR

 

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË THEMELIMIT TË KORPORATËS ISLAMIKE PËR SIGURIMIN E INVESTIMEVE DHE TË KREDIVE TË EKSPORTIT

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1,  dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Neni 1

 

Ratifikimin e marrëveshjes së themelimit të korporatës islamike për sigurimin e investimeve dhe të kredive të eksportit, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij ligji.

 

Neni 2

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYETARI

 

 

JOZEFINA TOPALLI

***

  V E N D I M

PËR

 

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT TË MJEDISEVE TË SPITALIT USHTARAK, GJIROKASTËR, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI AMDINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.      Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të Spitalit Ushtarak, Gjirokastër, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Shëndetësisë.

2.      Në listën e pronave, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të hiqet sipërfaqja, truall, prej 5 261.7 (pesë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e një presje shtatë) m2, e zënë nga Spitali Ushtarak, Gjirokastër, pjesë e pronës nr.593, “Shtabi i Brigadës”.

3.      Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA

 

***

  V E N D I M

 

PËR

DHËNIEN NË PËRDORIM QENDRËS KOMBËTARE TË APLIKIMEVE PËR ENERGJINË TË DISA MJEDISEVE NË NDËRTESËN (GODINËN) E ISH-INIMA-s

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 23.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1.     Dhënien në përdorim Qendrës Kombëtare të Aplikimeve për Energjinë të disa mjediseve në katin e parë të ndërtesës së ish-INIMA-s, në administrim të Këshillit të Ministrave, sipas vendndodhjes, të përcaktuar në planimetrinë, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.     Ngarkohen Kryeministria dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

 

***

  V E N D I M

 

 

PER

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIMIN DHE NDIHMËN E NDËRSJELLË NË ÇËSHTJET DOGANORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”,  me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë në çështjet doganore, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

***

V E N D I M

 

 

PËR

 

 

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 7.7.2009, PËR ÇËSHTJEN NR.25336/04, “GRORI KUNDËR SHQIPËRISË”

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të konventës evropiane për të drejtat e njeriut, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e konventës evropiane “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore””, e të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 12, të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1.      Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të datës 7.7.2009, për çështjen nr.25336/04, “Grori kundër Shqipërisë”, në shumën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin, në masën       10 për qind të kësaj shume.

2.      Autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati, brenda të cilit duhet kryer ky ekzekutim, është data 7.9.2009.

3.      Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

4.      Shuma e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, z. Arben Grori,  dhe të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e çeljes së llogarisë.

5.      Pagesa e kësaj shume në favor të ankuesit, z. Arben Grori, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes të të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm. 

6.      Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI  BERISHA

 

***

V E N D I M

 

 

PËR

HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT TË CIKLIT TË PARË NË “GJUHË-LETËRSI SHQIPE DHE FRËNGE”, NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”, TË KORÇËS  

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26 e 42, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Hapjen, në Fakultetin e Mësuesisë, të Universitetit “Fan S. Noli”, të Korçës, të programit të studimit në “Gjuhë-Letërsi shqipe dhe frënge”, në përfundim të të cilit lëshohet “Diplomë e nivelit të parë” DND, në “Gjuhë-Letërsi shqipe dhe frënge”.

2.     Ky program studimi i ciklit të parë realizohet me 180 kredite ECTS dhe kohëzgjatja normale është 3 (tri) vite akademike.

3.     Në përfundim të këtij programi  studimi përfitohet “Diplomë e nivelit të parë” DND, në “Gjuhë-Letërsi shqipe dhe frënge”.

4.     Ky program studimi do ta fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010.

5.     Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për universitetin “Fan S. Noli”, i Korçës.

6.     Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Fan S. Noli”, të Korçës, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

 

***

V E N D I M

 

 

PËR

 

HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “ZOJA E KËSHILLIT TË MIRË”

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Hapjen, pranë shkollës së lartë universitare, private, “Zoja e Këshillit të Mirë”, të programit të studimit “Master i nivelit të parë”, për “Menaxhim për funksionet e koordinimit”.

2.             Programi i studimit “Master i nivelit të parë” do të jenë program studimi i ciklit të dytë, në plotësimin e, të paktën, 60 krediteve. Në mbarim të tij lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” (MNP), në “Menaxhim për funksionet e koordinimit”.

3.             Hapjen, pranë shkollës së lartë universitare, private “Zoja e Këshillit të Mirë”, të programeve të studimit “Master i nivelit të dytë”, në:

a)        Qeverisje dhe zhvillim territorial;

b)       Organizim e drejtim i institucioneve dhe i shërbimeve shëndetësore;

c)        Ortodonci;

ç)  Implantologji dhe proteza dentare.

4.             Programet e studimit “Master i nivelit të dytë” do të jenë programe studimi të ciklit të tretë, në plotësimin e, të paktën, 60 krediteve. Në mbarim të tyre lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë” (MND), përkatësisht, në:

a)        “Qeverisje dhe zhvillim territorial”;

b)       “Organizim e drejtim i institucioneve dhe i shërbimeve shëndetësore”;

c)        “Ortodonci”;

ç)  “Implantologji dhe proteza dentare”.

5.             Ngarkohet shkolla e lartë universitare, private, “Zoja e Këshillit të Mirë”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, nga një personel akademik i huaj, me kualifikimin e nevojshëm.

6.             Shkolla e lartë universitare, private, “Zoja e Këshillit të Mirë”, do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikat 1 e 3, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se dy javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse, nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.

7.             Ndryshimet në vendndodhje, forma studimi, plane dhe programe, si dhe elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

8.             Shkolla e lartë universitare, private, “Zoja e Këshillit të Mirë”, duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional të këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

9.             Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

    K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI  BERISHA

***

 V E N D I M

 

 

PËR

 

LEJIMIN E KRYERJES SË PROCEDURAVE TË PROKURIMIT, PËR SHËRBIMIN E KONSULENCËS, PËR DHËNIEN ME KONCESION TË HIDROCENTRALEVE NË KASKADËN E LUMIT VJOSË

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 75, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2007, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 9, të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Lejimin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të kryejë procedurat e prokurimit “Tender i hapur ndërkombëtar”, me objekt “Shërbim konsulence për projektin e kërkuar të ndërtimit me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Vjosë”.

2.     Fondi limit për kryerjen e këtij shërbimi, prej 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2009,  miratuar për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

3.     Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI  BERISHA

***

V E N D I M

PËR

 

PËRDORIMIN E FONDIT TË KONTIGJENCËS, TË VITIT 2009

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.10025,  datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.              Përdorimin nga fondi i kontigjencës, miratuar në buxhetin e vitit 2009,  të  4 300 000 000 (katër miliardë e treqind milionë) lekëve, për programin e rrugëve nacionale, të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

2.             Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA

***

V E N D I M

 

 

    PËR

 

PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES, PËR DHËNIEN E STATUSIT TË ZHVILLUESIT TË ZONËS EKONOMIKE, ME STATUSIN E ZONËS SË LIRË, TË NJË TERRITORI NË VLORË, DHE MIRATIMIN E BONUSIT, NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, dhe të neneve 4,   pika 1, shkronja “g”,  5, pikat 1 e 3, e  23, pika 3, shkronja “b”, të ligjit        nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1.        Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien  e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike, me statusin e zonës së lirë, të një territori në Vlorë, është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

2.        Miratimin e bonusit prej 8 për qind të pikëve, për rezultatin ekonomik, financiar, teknik dhe mjedisor, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar), që i jepet shoqërisë “Zumax AG”.

3.        Ngarkohet  Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI  BERISHA

 

 

 


05/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›