Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e segmentit "Rruga Nacionale - Kala Prezë", me vlerë 200 milionë lekë dhe gjatësi 3.2 km
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës "Rruga Nacionale– Kala Prezë" me një vlerë investimi mbi 200 milion leke, gjatësi 3.2 km dhe gjerësi 5 m. Nga rikonstruksion I kësaj rruge përfitojnë drejtpërdrejte fshati Prezë dhe fshati Palaqe, si edhe fshatrat te tjerë të kësaj komune si Ahmetaqi, Fushe Preza dhe Gjec Kodër, pra rreth 7000 banorë.
Impakti qe do të sjellë rikonstruksioni I saj është rritja e numrit te vizitoreve ne kalanë e Prezës si dhe shtimi i bizneseve te vogla. Projekti I është përshtatur arkitekturës se Kalasë dhe zonës dhe pas rikonstruksionit rruga ka te gjitha parametrat bashkëkohore.
Ne këto vite në Prezë janë ndërtuar mbi 20 km rruge, 2 shkolla dhe 3 ujësjellësa e KUZ. Ndërsa në rrethin e Tiranës janë investuar mbi 250 milion euro
- Janë ndërtuar 360 km ose 2, 5 milion metra katrore rruge,
- 70 Sisteme ujësjellësish e kanalizime,
- 52 Qendra shëndetësore e poliklinika e rikonstruksion spitalesh
- 45 Shkolla e kopshte
- Ne energjetike janë investuar 63 milion euro ne rrjetin elektrik dhe te ndriçimit.
Gjatë fjalës së tij kryeministri tha:
Të dashur banorë të Komunës Prezë
Së pari ju përshëndes shumë përzemërsisht, shpreh kënaqësinë time që ndaj sot me ju gëzimin e inaugurimit të rrugës së re, rrugë e cila do të shtojë ndjeshëm ardhjet e vizitorëve nga Tirana, por dhe nga mbarë Bota, në Prezë, në këtë vend të mrekullueshëm.
Preza është një nga vendet turistike më të bukura të Shqipërisë, me kalanë, me vend ndodhjen e saj. Dominimin që bën Preza ka tërhequr, ka frymëzuar piktorë ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave si Eduard Lir dhe të tjerë. Ju garantoj ju se gjëja më e mrekullueshme e Prezës, jeni ju, banorët e saj, sepse këto që ka Preza janë mund, djersë, vepër e juaja, ndaj dhe shpreh kënaqësinë që jam sot këtu tek ju për të ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës, të vijnë për vizitë, të njohin Prezën se edhe më shumë do ta duan. Preza përbën një pasuri të madhe turistike për Tiranën dhe ju garantoj se, ne jemi vetëm në fillimet e shpalosjes së një potenciali të jashtëzakonshëm turistik të Shqipërisë, të brigjeve, të kodrave, të maleve të saj. Viti i kaluar ishte viti, në të cilin ne në një hark kohor më pak se gjashtë vjet, ia dolëm të rrisim me 11 herë numrin e turistëve dhe vizitorëve në këtë vend. Ju garantoj se vitet që vijnë, ky numër do të rritet dhe shumë e shumë më tepër.
Shqipëria këtë vit vjen si destinacioni më i bukur, më kryesor turistik. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, ka brigjet më të bukura, ujërat më të shkëlqyera, malet më të virgjëra , por mbi të gjitha ka banorët e saj, me një mikpritje të pashoqe në Europë dhe në Botë.
Ndaj dhe le të shpalosim ne të gjithë mikpritjen tonë, të gjitha bukuritë e mëdha natyrore që kemi, pasuritë kulturore dhe do të bëhemi gjithnjë e më të njohur, më të famshëm, më me emër të mirë në Europë dhe në Botë, si destinacioni turistik.
Vëllezër dhe motra.
Këta fëmijë, këta të rinj dhe secili prej nesh ka një ëndërr të bukur, ka një ëndërr fisnike dhe kjo ëndërr është ,“Shqipëria vend i zhvilluar”. Na takoi neve fati i madh, merita e veçantë, që ta shndërrojmë këtë vend në një vend të zhvilluar dhe ne do e bëjmë këtë, sepse ne Shqipërinë e morëm nga honet e historisë, nga njëri prej 3-4 vendeve më të varfra të planetit dhe e ngritëm sot, në vend që ka mbi 7 mijë dollarë të ardhura për frymë nga 204 dollarë që kishte 18 vjet më parë.
Ne do të shndërrojmë në realitet këtë ëndërr, sepse Shqipërinë që nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, e shndërruam në destinacionin më të preferuar të këtij viti. Ne do e bëjmë realitet këtë ëndërr, sepse ne njerëz të mundit dhe të djersës , të punës, ia dolëm që këto vite, më të vështirat për ekonominë e Europës dhe të Botës, vitet e një cunami të vërtetë financiarë , të qëndrojmë në krye të rritjes ekonomike në Europë dhe një nga vendet me rritjen më të madhe. Pra në të gjithë ketë përpjekje ne jemi të sigurtë se ëndrrën e fëmijëve tanë, ëndrrën e të rinjve tanë, ëndrrën tonë, “Shqipëria vend i zhvilluar”, do ta bëjmë realitet brenda vitit 2017.
Të dashur banorë të Prezës.
Preza, Tirana, mbarë Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, po të ndalesh dhe të mendosh , zor se mund të gjendet një vend tjetër më i bekuar më i begatë në pasuri natyrore se vendi ynë. Ju jeni dëshmitarë se vetëm këto vitet e fundit është shpalosur një potencial i jashtëzakonshëm turistik, ju jeni dëshmitarë dhe jeni të vetëdijshme se ky vend është vendi i vetëm në Europë, Zvicër me det, është një Zvicër me det, sepse malet e saj, janë ndër më të bukurat në Europë dhe vendi ynë është vendi më malor i Europës, por vendi ynë ka gjithashtu rreth 400 kilometra bregdet pa llogaritur këtu brigjet e liqeneve të mrekullueshëm.
Shqipëria është në vetvete një Norvegji e vogël në Ballkan, vendi më i pasur me ujëra dhe ne po punojmë çdo ditë që ujërat e saj të mos derdhen në det dhe liqene si të pa vlera, por të vlerësohen, të shndërrohen në energji. Sot në këtë vend janë në ndërtim e sipër 36 hidrocentrale, ju garantoj se shumë të tjerë do të ndërtohen gjatë viteve të tjera. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm minerar. Malet e saj kanë pellgjet më të mëdha botërore, të kromit, të bakrit, të nikelit, të hekurit, pasuri, të cilat do ti shndërrojmë që të gjitha në pasuri të qytetarëve shqiptarë.
Shqipëria konsiderohet një vend i rëndësishëm për naftën e saj, por Preza, Tirana, Tropoja, Gjirokastra , mbarë Shqipëria kanë nevojë të qëndisen me drurë frutorë . Ndaj dhe le të vazhdojmë ne me dy projektet e mëdha kombëtare, projektin e ullirit, të mbjellim gjatë 2-3 viteve që vijnë 20 milion rrënjë ullinj që jemi zotuar dhe të vazhdojmë me 20 milion të tjera gjatë 4 viteve të tjera. Le të rrisim ne me 100 apo 200 herë arrorët në të katër anët e këtij vendi. Ta bëjmë Shqipërinë, një kopsht të vërtetë, një kopsht të bukur në Europë.
Në këtë mënyre në ecim të sigurtë në rrugën e begatisë , në këtë mënyrë ne ecim të sigurtë në rrugën e zhvillimit, në këtë mënyrë në ecim të sigurtë në ndërtimin e të ardhmes sonë dhe kështu ne do ta duam Shqipërinë 100 herë më shumë sesa e duam sot dhe do të ndihemi krenarë për këtë vend, 100 herë më shumë sesa sot.
Dhe njëherë ju përshëndes dhe ju garantoj zotërinj qeveritarë vendorë , se qeveria do të financojë çdo projekt të komunave dhe bashkive tuaja, për të ndryshuar për mirë jetën e banorëve të Prezës, të bashkisë së Vorës, të mbarë Tiranës dhe Shqipërisë.
Faleminderit
24/06/2011