E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Lezhe – Kala – Lagjia Sheher, investim me vlerë 195 milion lekë

-          Po bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka për të bërë që në Shqipëri të gjenerohen gjithnjë e më shumë vende pune

Kryeministri Berisha u prit sot nga qytetarët e Lezhës, mes të cilëve ishte për të inauguruar  rikonstruksionin e rrugës Lezhe – Kala – Lagjia Sheher, me gjatësi 3,1 km dhe vlerë investimi 195 milion lekë.

Kjo rrugë, e cila sjell për banorët dhe turistët standarde moderne të infrastrukturës është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve. Ajo është 5 m e gjerë dhe është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë trotuare, vendparkime, ndriçim publik, kanalizime, vepra arti, mure mbajtës etj. Rreth një kilometër i kësaj rruge, në hyrje të Kalasë është shtruar me kalldrëm duke ruajtur traditën dhe historinë e këtij objekti. Ndërhyrja në këtë pjesë është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik.

Ky segment rrugor nga i cili përfitojnë 23 mijë banorë është një investim mjaft i rëndësishëm, pasi bën të mundur lidhjen e lagjes më të vjetër të qytetit me Kalanë e njohur të Lezhës, por edhe me spitalin rajonal. Prej vitesh, Kalaja e Lezhës, një monument me vlera historike dhe trashëgimi kulturore, ishte i paarritshëm nga vizitorët për shkak të gjendjes së keqe të rrugës, që ndër të tjera vështirësonte edhe lëvizjen e banorëve të lagjes së vjetër Shehër të këtij qyteti.

Ndërsa realizimi i degëzimit për në Spitalin rajonal të Lezhës, mundëson një lëvizje më të shpejtë dhe të sigurt të të sëmureve për në shërbimin spitalor dhe atë të urgjencës.

* * *

Qytetarët e Lezhës falënderuan kryeministrin dhe qeverinë për investimin më të fundit në qytetin e tyre, duke besuar se Lezha dhe i gjithë qarku do të përfitojnë në të ardhmen edhe më shumë investime, nga qeveria demokratike, së cilës i premtuan që me votën e tyre ti japin sërish mundësinë për të ndryshuar Shqipërinë.

Kështu një studente përshëndeti në emër të të rinjve lezhjanë duke u shprehur: “Për ne të rinjtë ndryshimi është thelbi i jetës, se e bukura është konkretja dhe se mbi të gjithë rrugët e shtruara mirë në çdo fushë të jetës të japin mundësinë për të finalizuar çdo gjë me sukses. Ndryshimet që kanë ndodhur në këto 8 vite të mandatit tuaj qeverisë me ju në krye zoti kryeministër janë më se të dukshme e më se të prekshme. Në rrethin e Lezhës janë ndërtuar e rindërtuar 30 shkolla, janë rritur standardet e hapësirat për nxënësit. Sot kemi gjimnazin dhe shkollat 9 vjeçare ku gjen sallat e kompjuterëve të pajisur me internet dhe laboratorët për mësimdhënin në lëndët shkencore si dhe hapësira të tjera, të gjitha sipas standardeve evropiane. Kur thatë zoti kryeministër në fillim të punës suaj se sistemi arsimor do të dixhitalizohej , për disa ishte pothuaj e pamundur. Por vizioni juaj dhe puna juaj konkrete na solli sot përpara fakteve. Përveç investime në arsim , sot kemi një infrastrukturë shumë moderne në qytetin tonë. Por rruga më e vështirë sot për populli shqiptar sot është se respektimi që duhet të tregohet ndaj qeverisë dhe zgjedhjeve, është respektimi që njeriu duhet të tregojë ndaj vetes. Si studente gjej rastin të bëj një thirrje për rininë, që ta tregojë veten në këto zgjedhje.”

Ndërsa qytetari më i vjetër i Lagjes Sheher Bakir Reci u shpreh: Zoti kryeministër në emër edhe të banorëve të tjerë do të doja tu shprehja nderime dhe mirënjohje për këtë investim që ju keni bërë. Më parë kjo rrugë ishte e pakalueshme duke na sjellë mjaft shqetësime, tashmë kjo rrugë është bërë edhe shëtitore për qytetarët e Lezhës dhe më gjerë. Falë këtij investimi që ju keni bërë, tashmë 120 qytetar të lagjes sonë lëvizin si qytetarë të denjë të një vendi evropian. Ju, zoti kryeministër jeni njeri i premtimeve të mbajtura , ndaj ju kemi mbështetur dhe do ju mbështesim vazhdimisht

* * *

Lezha dhe investimet

-          Në  të gjithë qarkun (Lezhe, Kurbin e Mirditë) investimet e kalojnë vlerën e 1.2 miliard eurove

Në qytetin, i cili mund të cilësohet si një ndër simbolikat e turizmit shqiptar, ku ndërthuret turizmi detar me atë kulturor e historik janë investuar në infrastrukturë mbi 300 km rrugë, ndërmjet të cilave përmenden krahas rrugës së Kalasë:

·         Rrugët e plazheve të Patokut , Shengjinit, Tales, Rjollit

·         Rruga piktoreske Lezhe – Vau Dejes – Fishte

Ndër të tjera, janë ndërtuar 15 ujesjellesa, 30 shkolla, 15 qendra shendetsore, si dhe po investohet ne perpunimin e Ujrave te zeza dhe mbeturinave urbane. Jane subvencionuar 280 ha dhe 715 fermere si dhe jane rehabilituar te gjitha  veprat mbrojtese ne rast permbytje.Nderkohe  ne Shengjin jane investuar se fundmi 22 milion euro, ne Impiantin e ujrave te zeza, ne Port dhe infrastrukturë rrugore.

*  * *

Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ishte mes banorëve të këtij qyteti , në inaugurimin e rrugës , të cilën e cilësoi, si rruga më fisnike  e Lezhës, duke premtuar se ka ende shumë për të bërë në drejtim të infrastrukturës në mënyrë që të kompletohet tërësisht.

Kryeministri tha se rruga  ere do të ketë një impakt të fuqishëm në turizmin kulturor, duke e shndërruar Lezhën dhe kalanë e saj, në një magnet më të fuqishëm për turistët.

“Ne jemi të angazhuar që në qarkun e Lezhës dhe në çdo qark tjetër të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, në mënyrë që të hapim tregun , pasi atu ku shkon rruga shkon tregu, aty ku shkon rruga, shkon punësimi, aty ku shkon rruga, shkon biznesi, aty rritet interesi, aty rritet vlera e tokës dhe gjithçka ndryshon.” u shpreh kryeministri teksa premtoi se në mandatin që vjen një vëmendje kryesore do ti kushtohet punësimit, i cili do të jetë objektivi më madhor

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari ju përshëndes shumë përzemërsisht, shpreh kënaqësinë time të madhe se inaugurojmë sot një rrugë me investim prej 195 milion lekë, por e vërteta është se ndofta inaugurojmë sot rrugën më fisnike të Lezhës.  Salvator, unë e kuptoj që në këtë moment mendja të shkoi tek shëtitorja e bukur e Shëngjinit dhe atë me padurim të madh po presim ta inaugurojmë se dhe ajo i shtohet perlave te Lezhës, e cila del gjithnjë e më shumë në pah me bukuritë e saj mahnitëse, me pasuritë e saj të mëdha. Kështjella është një trashëgimi kulturore, është një pasuri e madhe për ju dhe për mbarë kombin shqiptar, por kështjella megjithë rrugën që inaugurojmë sot, merr të gjithë gjallërinë, vlerat që ka për ju për shqiptarët dhe për turistët nga mbarë bota.

Të dashur miq,

Lezha ka potenciale të shumta, por potenciali i të gjitha potencialeve të Lezhës, pas njerëzve të saj të mrekullueshëm, është potenciali turistik, dhe duke ndërtuar këtë rrugë, duke i bërë të mundur çdo vizitori, çdo turisti të njihet dhe të shijojë këtë pasuri të madhe të Lezhës dhe të Shqipërisë,  ne i bëjmë një shërbim të madh, ne shndërrojmë Lezhën, shndërrojmë kalanë e saj në një magnet më të fuqishëm për turistët.

Turizmi në 8 vite që shkuan, ka njohur rritjen më marramendëse që ka njohur ndonjëherë ndonjë vend. Nga 300 mijë turistë dhe vizitorë, 4.7 milion kemi patur vitin e kaluar. Leverdia është e jashtëzakonshme, emri, pasuritë, mikpritja, tradita shqiptare shpërndahet me shpejtësi në mbarë botën, por për lezhjanët dhe për mbarë shqiptarët, turizmi është para së gjithash punësim, punësim dhe mbi të gjitha punësim.

Unë ju garantoj ju, se ne do të bëjmë gjithçka për punësimin e qytetarëve të Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë dhe vetëm në turizëm ne parashikojmë që 4 vitet që vijnë, Shqipëria të marrë jo 4.7 milion, por të arrijë të marrë 7 milion turistë dhe këtu në Lezhe, në Shëngjin dhe në të gjithë bregun, por dhe në zonat malore, të krijohen së paku edhe 30 mijë vende pune të reja për shqiptarët në këtë sektor.

Vëllezër dhe motra,

Ne inaugurojmë sot këtë rrugë dhe në qarkun e Lezhës ne kemi ndërtuar rreth 500 km , ndër të cilat afro 300 janë në rrethin tuaj dhe kjo ka qene një nxitje e zhvillimit të gjithanshëm, turizmit, tregut, por ju garantoj ju se qëllimi ynë është të asfaltojmë cdo rrugë. Ne sot asfaltuam këtë rrugë, por kemi pa asfaltuar rrugën e Torovicës dhe shumë shpejt ajo do të fillojë, kemi pa asfaltuar rrugën drejt Milotit dhe shumë shpejt ajo do të fillojë, kemi pa përfunduar rrugën e Kunës dhe shumë shpejt ajo do të përfundojë. Do të ndërtojmë autostradën Milot-Lezhë, autostradën Lezhë-Shkodër, do të bashkojmë Shëngjinin me Velipojën me rrugën e tyre, do të ndërtojmë urën mbi Bunë, në mënyrë që Shëngjini, Velipoja, Ulqini të përbëjë një nga komplekset turistike më mahnitëse në rajon dhe në Evropë. Pra kemi bërë, por dhe kemi shumë për të bërë, kemi ndryshuar, por dhe kemi shumë për të ndryshuar. Dhe ne kërkojmë votën e lezhjanëve për të vazhduar këtë infrastrukturë. Kemi ndërtua qindra km, në qoftë se dikush kap lapsin dhe do të gjejë se në qarkun  e Lezhës, në rrugë janë investuar mbi 1,2 miliard dollare. Segmenti kryesor i autostradës i takon këtij qarku dhe prapë kanë mbetur. Ne do ti përfundojmë ato. Ne jemi të angazhuar që në qarkun e Lezhës dhe në çdo qark tjetër të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, në mënyrë që të hapim tregun, pasi aty ku shkon rruga shkon tregu, aty ku shkon rruga, shkon punësimi, aty ku shkon rruga, shkon biznesi, aty rritet interes, aty rritet vlera e tokës dhe gjithçka ndryshon.

Gjatë këtyre viteve në rrethin e Lezhës kemi ndërtuar dhe rindërtuar 30 shkolla. Ju garantoj ju se nuk do të ketë shkollë kudo që të ndodhte që nuk do të ndërtohet dhe rindërtohet.

Ne besojmë dhe jemi të vendosur ta vendosim Shqipërinë në shinat  e dijes dhe kjo nuk është e lehtë. 6 vjet më parë të dashur miq, ne kishim një nga përqindjet më të ulëta (3,4 %) të të diplomuarve në universitet për popullatën e vendit. Dhe një të përpjetë më të madhe se ajo e atij mali duhet ta bëjmë, por ne do ta bëjmë se ajo është ngjitje drejt majave të dijes. Ata, të cilët sulmojnë shkollat dhe universitet e kanë shumë gabim. Ata fyejnë qytetarin shqiptar dhe fëmijën e tij. Së pari, Zoti na ka dhënë një dhunti shpirtërore, absolutisht më të madhe se të gjithë të tjerëve, dëshirën për të shkolluar fëmijët tanë. Nuk ka sot prind që nuk pranon sakrificat më të mëdha për shkollimin më të mirë të djalit apo vajzës së tij dhe në qoftë se u bë e mundur me këtë politikë të re ndryshimi që ndoqëm, që në një hark kohor 6 vjeçar të arrijmë nga 68 % të ndjekjes së shkollave të mesme nga ata që mbaronin 9 vjeçaren, të arrijmë sot në 92% , një nga përqindjet më të larta. Këtë nuk e bëri urdhri i qeverisë, por e bëri pasioni i lartë i nënave dhe baballarëve, i prindërve shqiptarë. Sigurisht që qeveria krijoi kushtet dhe bëri detyrën e saj, por në rast se shkoi në shifrën e 92 % , shkoi se kjo ishte dëshira  e prindërve shqiptarë, për të parë fëmijët e tyre të shkolluar.

Vetëm 7 vite më parë, në universitet e vendit nuk hynin as një e treta e tyre që merrnin diplomat dhe ata pasi hynin ju kujtohen shumë mirë ato konkurse të shëmtuara që bëheshin nëpër stadiume që ishin panairi i korrupsionit. Kurse sot 72 % e atyre që mbarojnë gjimnazet, shkollat e mesme ulen në bankat  e universiteteve dhe ulen me një procedurë më të ndershme, më transparente. Dhe ju rrëfej të drejtën se nga viti 2005 e deri më sot, kam marrë me qindra e qindra  vendime, kam dërguar në parlament me qindra ligje, por nuk kam dërguan dot në universitet qoftë edhe një rast të vetëm, edhe kur kam dashur, sepse ligji nuk lejon kryeministrin të shkelë kërkesat  e konkursit për pranimet universitare. Të shpallësh universitet e vendit piramida, tregon një ligësi ekstreme. Sigurisht që universitet e vendit kanë nevojë të rendin pas cilësisë, të rrisin cilësinë, por për çdo njeri e ka të qartë se kjo është rruga  e rritjes së cilësisë, se aty djem dhe vajza, nga mëngjesi deri në darkë përpiqen të bëhen më të ditur, të mësojnë më shumë dhe se nga 6 mijë pedagogë që kishim më parë, sot kemi 10 mijë e 400 pedagogë dhe asistentë që mësojnë ata. Rruga e shkollimit, është rruga e punësimit dhe ne e vazhdojmë këtë rrugë. Është e faktuar në mënyrën më të përsëritur se ata që diplomohen nuk është se nuk kanë vështirësi për të gjetur vendin e punës, por e gjejnë dy herë më lehtë dhe shanset e punësimit i kanë dy herë më të mëdha, se ata që nuk diplomohen. Punësimi është zotimi ynë më solemn. Ndaj dhe ne besojmë se me shkollimin e shqiptarëve u krijojmë atyre mundësi më të mëdha punësimi dhe jo vetëm punësimi, por rrogash më të mira sepse pa diskutim një i diplomuar paguhet më shumë se një i padiplomuar dhe kjo ndodh, kudo në Shqipëri dhe në botë.

Është shumë e lehtë të marrësh përsipër, akuza, mohime, nihilizëm dhe mallkime, por cila është alternative jote? Alternativa jote është të mbyllësh dyert  e universiteteve dhe të rrënosh  ëndrrat universitare të të rinjve? Jo, kjo nuk kthehet kurrë më. Ne do të bëjmë gjithçka që të rinjtë të ndjekin universitetet, do të bëjmë gjithçka që ata të punësohen, ndaj dhe hoqëm taksën për tre vitet e parë për çdo të ri të punësuar dhe kjo ka ngjallur interes të madh tek çdo sipërmarrës shqiptar dhe të huaj.

Punësimi mbetet përparësia jonë më madhore.

Të dashur miq,

Ju çdo ditë dëgjoni lajme, në Tv dhe në radio. Secili e ka të qartë se një krizë e thellë ka pllakosur Evropën dhe botën e zhvilluar, një krizë e cila nuk është parë ndonjëherë që nga vitet 30 të shekullit të shkuar. E padiskutueshme që në rast se fqinjët e tu janë në vështirësi dhe në dhimbje, kjo nuk mund të mos ndihet edhe tek ti, por e vërteta është kjo dhe këtë të vërtetë nuk e konfirmojmë vetëm ne, se Shqipëria edhe para 10 ditësh u deklarua edhe nga Komisioni Evropian, është një nga të 4 vendet që i rezistoi krizës dhe nuk ra në recension dhe ishte i vetmi vend mes këtyre vendeve që pati një ulje prej 0.5 % të papunësisë dhe jo rritje të saj. Duke theksuar këto jam i vetëdijshëm se janë 13 % të atyre që janë në moshë pune që kërkojnë punë, ndaj dhe ne po bëjmë gjithçka për të bërë që në Shqipëri të gjenerohen gjithnjë e më shumë vende pune.

Vetëm muajin e kaluar ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale për punonjësit me rrogë nën 30 mijë lekë, duke bërë që jo vetëm këta punonjës të kenë një rrogë shtesë nëtë ardhurat e tyre dhe ky është qëllimi ynë, por duke bërë që sipërmarrësit të kenë 10 % më shumë të ardhura për investime, për përmirësimin e kushteve të punës. Po për të punësuarit shqiptarë ne nuk kënaqemi pse qenka ulur 0,5 % papunësia. Ne jemi të interesuar dhe të angazhuar të shndërrojmë Shqipërinë në një gjenerator të fuqishëm të vendeve të reja të punës. Ndaj dhe vendosëm të jemi ndofta vendi i vetëm, nuk mund të them se ska ndonjë tjetër, por në dijeninë time nuk ka, që të heqë çdo lloj takse mbi çdo lloj kapitali monetar ose jo monetar, imput ose makineri që do të përdoret për prodhim në këtë vend dhe e bëmë këtë vetëm që ta bëjmë Shqipërinë më tërheqëse, e bëmë që investitorët të bëhen më të guximshëm që të hedhin paratë  e tyre dhe të investojnë për vende të reja pune.

Cila është alternative tjetër? Rritje taksash dhe mashtrime të kohës së vjetër, mashtrime se ju nuk do të paguani taksa. Në atë kohë kur ne na thuhej se nuk do të paguani taksa, shqiptarët ishin i vetmi komb në Evrope  që punonin 8 muaj vetëm për shtetin dhe me 4 muaj jetonte 12 muaj dhe kjo ishte  e vërteta se të gjitha i merreshin indirekt. Por ideja  e rritjes se taksave është ide e thjeshtë. “jam në qeveri , më duhen para dhe rritja taksat biznesmenëve.” Rrita taksat, por shkatërron me shpejtësi të madhe vendet  e punës, rrit taksat po largon me shpejtësi të madhe investitorët. 

Si ndodhi që ne, në kulmin e kësaj krize të marrim 4,2 miliard dollar investime , nga viti 2008 derinë vitin 2012? Ishte anëtërsimi në NATO dhe ulja e taksave. Dhe të dalësh tani me moton e taksave të larta del vetëm e vetëm për të larguar investitorët nga Shqipëria, por unë i garantoj shqiptarët se 4 vitet që vijnë, jo vetëm që s’do të ketë rritje taksash, por do të ketë ulje të mëtejshme të tyre.

Ne po ecim drejt këtyre zgjedhjeve me një program më konkret se kurrë ndonjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar, me një program i cili do të ketë një efekt shumë të madh ndryshues. Do të risë në mënyrë të ndjeshme punësimin. Secili prej jush kur udhëton nëpër këtë vend konstaton blloqe të tëra plantacionesh ulllinjsh, mollë, arrorë, dru të tjerë frutorë.

5 ditë më parë unë isha në një komunë të Lezhës dhe gjetëm një kodër djerrine e cila përveç zallishtes nuk kishte asgjë tjetër, por një biznesmen lezhjan kishte mbjellë aty 40 ha plantacione me shegë dhe kishte punësuar 20 punëtorë. Natyrisht ato 40 ha i kishte mbjellë edhe i mbështetur nga grantet e qeverisë dhe sërish do të vazhdojmë të mbështesim.

Gjatë këtyre viteve ne mbështetëm 42 mijë fermerë, por te  dëgjoni palën tjetrë ata thonë “Cështë kjo statistikë që na thotë se është rritur punësimi” Nuk kanë asnjë llogari. Unë dua tu them atyre se vetëm për vjeljen e ullinjëve, sipas specialistëve duhen 1,2 milion ditë pune se ulliri, se vreshta që të gjithë këto janë mund dhe djersë. Dhe  e vërteta është se janë punësuar gjatë 4 viteve mbi 100 mijë fermerë me projektet e tyre. Sërish në 4 vitet që vijnë ne do të thellojmë ndryshimin , nuk dom të investojmë më 56 milion dollar, por do të investojmë, do të japim grante 165 milion dollarë dhe u faktojmë shqiptarëve se ajo që dje cilësohej si tokë pa frutë, është tokë e bekuar e prodhimeve cilësore. Pra kjo është rruga jonë, rruga e ndryshimit më të madh që synon punësimin e shqiptarëve.

Më 23 qershor ne marrim një vendim shumë të madh, vendimin për Europën. Vendimin për të ardhmen tonë europiane.

Vëllezër dhe motra,

Procesi i integrimit Evropian është një proces i qindra dhe mijëra detyrash shtëpie që qeveria shqiptare, institucionet shqiptare, qytetarët shqiptarë duhet ti kryejnë, ti përmbushin në mënyrë që të meritojnë integrimin e plotë. Në qoftë se ne morëm vizat, në qoftë se ne merituam heqjen e vizave, ne me seriozitetin më të madh bëmë gjithçka për të plotësuar çdo kërkesë dhe nuk ishin 10 apo 20 por 120 kërkesa.

Në qoftë se do të vendosësh marrëdhënie serioze me tjetrin duhet të tregosh se je serioz. Dhe ne merituam vizat dhe deri sot Shqipëria ka krijuar më pak probleme se çdo vend tjetër i Ballkanit që ka hequr vizat.

Përsa i përket statusit, qeveria ka ndërmarrë të gjitha reformat  dhe me datën 10 tetor 2012 Komisioni Europian deklaroi se do i rekomandojë Këshillit të Ministrave të Europës Shqipërinë për statusin kandidat, me kusht që të votoheshin tre ligjet, të cilat kishin rreth 7 muaj që prisnin në axhendën e parlamentit por që askush nuk mund ta besonte se ky kusht nuk do të plotësohej me kënaqësi nga ligjvënësi shqiptar dhe në mënyrë që në dhjetor të akordohej statusi, por kjo nuk ndodhi.

Nuk ndodhi sepse u gjykua nga opozita se më mirë të bllokohet statusi se sa të vlerësohet qeveria shqiptare dhe ky ishte një veprim tërësisht absurd. Më rikujtonte kohën kur ata për vete me pasaportë diplomatike në xhep të lëshuar nga kjo qeveri shëtisnin në mbarë botën dhe bënin gjithçka që qytetarët shqiptarë të mos merrnin vizat. Ngritën çadrat te kryeministria sepse në parlament do votohej për vizat dhe kur u thanë se s’pengoni dot vizat me çadrat tuaja, i hoqën çadrat.

Dolën me kuti në mbarë Shqipërinë ”Hap kutitë të çlirosh vizat”, vizat i morëm vëllezër e motra.

Komisiuoni Europian kur ligjet nuk u votuan në nëntor deklaroi  se u japim afat deri në mars ti votoni në mënyrë që në mars tu japim statusin. U bë gjithçka që të mos votoheshin dhe tani i bënë ligjet si pallati në pajë.  E bënë pazar votimin e tyre. Ne do të votojmë, por mbi ta do të rendojë akti më i papërgjegjshëm. Ata tregojnë se s’kanë asnjë princip, se prioncipi i tyre janë pazare dhe vetëm pazare dhe jo interesat e qytetarëve, jo interesat e qytetarëve të Lezhës dhe të Shqipërisë që me statusin e vendit kandidat do të merrte  qindra milionë euro investime, për rrugët, urat, kanalizimet, shkollat dhe investimet private.

Ata nuk panë interesat e të rinjve shqiptarë që me statusin e vendit kandidat do të mund të aplikonin  të shkolloheshin  në të gjitha universitetet më të mira të vendeve anëtare,  nuk panë interesat e vëllezërve tanë emigrant, në Itali, Greqi e vende të tjera, të cilët me statusin e vendit kandidat fitonin të drejtën e  njohjes së viteve të pensionit. Ata ndoqën  thjeshtë interesat e marrëveshjeve të cilat e vërteta është se cilësimin më të bukur ua bëri zoti Majko, si marrëveshje të 1 prillit.

Tani ju ftoj që këto ditë që na kanë mbetur, këto javë, të jenë javë të manifestimit të shfaqjes së vlerave tona më të arrira qytetare.

Ju ftoj që të zhvillojmë fushatën më të qytetëruar, të zhvillojmë një fushatë të ndershme në mënyrë që 23 qershori të jetë ngadhënjimi i vlerave që besojmë, i ndryshimeve për të cilat ne kemi nevojë.

Ne jemi ndryshimi. Përpara. Përpara. Përpara!

Fitore!


04/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›