Kryeministri Berisha përshëndet në 100 vjetorin e emetimit të pullës së parë postare, shqiptare

Kryeministri Berisha përshëndeti sot 100 vjetorin e emetimit dhe vënies në qarkullim të pullës së parë postare,shqiptare, e cila e nisi rrugëtimin e saj 6 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 5 maj 1913. “Ky moment ishte një eveniment shumë i rëndësishëm për konsolidimin e pavarësisë, një përpjekje e ndershme dhe serioze e Ismail Qemalit dhe eterve të pavarësisë së vendit për të konsoliduar shtetin shqiptar.” iu drejtua kryeministri të pranishmëve në aktivitetin e organizuar nga Posta Shqiptare, në mjediset e Muzeut Kombëtar, ku merrnin drejtues dhe punonjës të saj, si dhe të Postave në Kosovë e Maqedoni, filatelistë, miq të pullës shqiptare dhe të ftuar të tjerë.
“Në 100 vite pulla postare ka qenë një pasqyre dhe pse jo një zëdhënëse shkëlqyer e të gjitha fushave të jetës së këtij kombi dhe zhvillimeve të këtij vendi.” vlerësoi kryeministri misionin e saj, si një mishëruese e trashëgimisë dhe pasurisë së madhe kulturore të kombit shqiptar, si dhe të ngjarjeve të mëdha që kanë përjetuar shqiptarët, në këtë shekull.
Kryeministri u shpreh me mirënjohje për Postën Shqiptare, e cila me drejtimin eficent të saj, përkushtimin e punonjësve, si dhe mbështetjen e pakursyer nga qeveria, u ofron qytetarëve shqiptarë një prej shërbimeve më të mira, më serioze dhe më moderne që ekziston sot. “Posta dixhitale shqiptare është rezultat i një platforme politike, e cila shpalli pak vite më parë Shqipërinë dixhitale si objektivin e saj më madhor. Ajo vetë u bë promotor i zhvillimit të shqipërisë dixhitale”, konkludoi kryeministri.
Gjatë eventit, Drejtori i Postës Shqiptare, zoti Arqile Goreja, në emër të stafit të Postës dhe në shenjë respekti për kontributin e dhënë në zhvillimin e postës shqiptare, i dhuroi Kryeministrit Berisha, pullën e parë shqiptare në kornizë, me dedikimin “Në shenjë mirënjohje dhe respekti, Kryeministrit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, Kryeministrit të 100 vjetorit të Postës shqiptare dhe të pullës shqiptare.”
Gjithashtu, kryeministri i dhuroi mbesës së ministrit të parë shqiptar të postave, në qeverinë e Ismail Qemalit, zotit Lekë Nosi, një medalje mirënjohje dhënë nga Posta Shqiptare, duke u shprehur: “Unë kam nder të madh që pasardhëses të familjes së shquar, pasardhëses të njërit prej personaliteteve të shquara të historisë, një intelektuali të mirënjohur, ministrit të parë të postës dhe komunikacionit Lekë Nosi, ti dorëzoj mirënjohjen e madhe të Postës shqiptare për veprën e pavdekshme të tij.”
Më pas, kryeministri dhe të gjithë pjesëmarrësit vizituan ekspozitën “100 vjet pullë postare shqiptare”, ku ishin të ekspozuara pullat më me vlerë të Postës Shqiptare si dhe koleksionet më te çmuara te filatelistëve të njohur të vendit nga Shkodra, Korça dhe Tirana.
Në përshëndetjen e rastit, kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur punonjës dhe punonjëse, postierë, drejtues të postës shqiptare të postës së Kosovës, të postës së Maqedonisë, të dashur filatelistë, miq të pullës postare shqiptare , vëllezër dhe motra,
Sot, shqiptarët kremtojnë një ditë të shënuar në historinë e tyre, ditën e emetimit 100 vjet më parë, të pullës së parë postare të shtetit pak mujor asokohe, të pavarur shqiptar.
Ky moment ishte një eveniment shumë i rëndësishëm për konsolidimin e pavarësisë, një përpjekje e ndershme dhe serioze e Ismail Qemalit dhe etërve të pavarësisë së vendit për të konsoliduar shtetin shqiptar. Pas vulës së qeverisë, pulla postare ishte vula e dytë “de facto” dhe “de juro” e shtetit të ri shqiptar dhe në 100 vite pulla postare shqiptare ka pasqyruar besnikërisht Shqipërinë zyrtare dhe jo vetëm atë. Në 100 vite pulla postare është bërë një pasqyre dhe pse jo një zëdhënëse shkëlqyer e të gjitha fushave të jetës së këtij kombi dhe zhvillimeve të këtij vendi.
Ajo ka mishëruar trashëgiminë madhe kulturore, pasurinë e madhe të kombit shqiptar, ka mishëruar në këtë shekull ngjarjet e mëdha që kanë përjetuar shqiptarët, ka mishëruar lidhjen e shqiptarëve me Evropën dhe botën, arritjet e tyre, pra në të gjitha këto aspekte ajo ishte një pasqyrë besnike e kohës së vet, një pasqyrë zyrtare e kohës së vet dhe sot vjen me një koleksion ndër më të pasurit. Pulla e parë postare ishte një vulë sepse në vërtetë në thelbin e saj e saj pulla është një vulë e kohës, një vulë e zyrtares, një vulë e shtetit.
Ndaj dhe ne duhet të përgëzojmë ata që kanë organizuar, zotin Arqile, por dua të përgëzoj në mënyrë të veçantë filatelistët e shquar që janë sot këtu midis nesh. Këta të dashuruar pas pullës shqiptare dhe pullës në tërësi, të cilët kanë hapur sot këtu një nga ekspozitat më të bukura që ka njohur ky muze në tërë historinë e tij. Me koleksionet e tyre kanë pasuruar shumë fondin e pullës shqiptare, kanë konkurruar dhe merituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare duke konkurruar me dinjitetin më të madh.
Posta shqiptare feston këtë ngjarje me një përgjegjësi të madhe të përmbushur. Drejtimi eficent i saj, përkushtimi i punonjëve, mbështetja që i ka dhënë asaj qeveria, ka bërë që, nga një shërbim që po degradonte, që po i largohej qytetarit, nga një shërbim që realisht ishte shndërruar në një problem, të jetë sot, një nga shërbimet më të mira që u ofrohet qytetarëve, një nga shërbimet më serioze dhe më të shpejta dhe absolutisht me teknologjinë më të lartë, një nga shërbimet më moderne që ekzsiton sot. Nga një shërbim, besimi ndaj të cilit po rrënohej, është kthyer sot, në një shërbim që ka shumëfishuar vëllimin e punës së tij dhe kjo para së gjithash, falë seriozitetit të madh të punonjësve të saj, falë përkushtimit të madh të punonjësve të saj, posta sot është misioni më bashkëkohor i vendit. Ajo funksionon me postierin dixhital, i cili i jep mundësi transparencës më maksimale në shërbimin postar, njëkohësisht dhe shpejtësisë më të mirë. Posta pasqyron shumë bukur ecurinë e vendit. Posta dixhitale shqiptare është rezultat i një platforme politike, e cila shpalli pak vite më parë, Shqipërinë dixhitale si objektivin e saj më madhor. Shqipëria dixhitale u shpall në një kohë kur në fillim të vitit 2006, shqiptarët kishin nje nga përdorimet më të ulëta të internetit në botë dhe një nga çmimet më të larta në Evropë dhe më gjerë të telefonisë celulare.
Posta vetë u bë një promotor i zhvillimit të shqipërisë dixhitale. Posta, tre vite më parë hapi zyrat dhe në më shumë se 500 zyra e saj iu ofroi qytetarëve shqiptarë internet falas. Posta u bë një promotor i fuqishëm i zhvillimit të Shqipërisë dixhitale me autostradën dixhitale Tiranë-Prishtinë, me të cilën rriti 1300 herë importin e internetit krahasuar me kohën para funksionimit të saj.
Sot, ajo shpërndan internet falas në 1250 zyra të vendit dhe projekti i zotit Arqile Goreja dhe udhëheqjes së postës për modernizmin e mëtejshëm është i pakufishëm.
Ndaj dhe unë dua të përgëzoj edhe njëherë punonjësit e postës, drejtuesit e saj, për mënyrën dinjitoze që festojnë sot 100 vjetorin e pullës shqiptare, për sukseset që kanë arritur në një kohë relativisht të shkurtër për të shndërruar shërbimin postar, në një nga shërbimet më të dixhitalizuar, në një nga shërbimet më të respektuara për qytetarët shqiptarë.
Edhe njëherë, punonjësve të postës, por dhe mbarë shqiptarëve, Gëzuar 100 vjetorin e pullës së parë postare shqiptare! Nderim të madh për qeverinë e parë të Ismail Qemalit, për ministrin e parë të postave dhe komunikacionit, për intelektualin e shquar, mendimtarin e vërtetë Lef Nosi, i cili me përkushtim të madh hodhi baza solide të një sektori që sot funksionon me teknologjitë më të avancuara, funksionon me lidhjet satelitore dhe lidhjet më të fuqishme. Nderim për punonjësit e sotëm të postës, gëzuar për të gjithë shqiptarët!
04/05/2013