E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Ura e Matit – Lis, investim me vlerë 366 milionë lekë

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Ura e Matit – Lis, në rrethin e Matit. Rruga, me gjatësi 9 kilometër dhe gjerësi 5.5 metër, është një investim me vlerë 366 milionë lekë dhe lehtëson lëvizjen për 13.000 banorë të këtyre zonave. Pjesë e këtij investimi kanë qenë edhe rikonstruksioni i dy urave, me gjatësi 60 metër.

Rruga lidh komunat Lis, Derjan, Macukull, Rukaj dhe Selishtë me qytetin e Burrelit edhe e shkurton më rreth 1 orë kohën e udhëtimit. Rruga e re, e ndërtuar me parametra bashkëkohore, shton mundësitë e lidhjeve ekonomike edhe tregtare me qytetin e Burrelit. Më ndërtimin e rrugës, fermerëve të këtyre zonave u krijohen lehtësi për transportin e produkteve e tyre në tregje, në një kohë më të shkurtër dhe me kosto të ulët. Rruga lehtëson lëvizjen edhe për fëmijët e këtyre zonave që mësojnë në tre shkollat e komunës Lis, të cilat ndodhen përgjatë këtij aksi.

Në këtë ceremoni përshëndetën edhe banorë të komunës Lis, të cilën vlerësuan se kjo rrugë zgjidh probleme të shumta për këtë komunitet, duke shkurtuar me të paktën 1 orë kohën e udhëtimit dhe duke lidhur këto fshatra me qendrat urbane. Ata shprehën besimin se kjo qeveri do të bëjë edhe më shumë investime të reja në këtë trevë, në mandatin e saj të ardhshëm. “Është pak edhe një legjislaturë nën udhëheqjen tuaj, duhen edhe tre të tjera nën udhëheqjen tuaj, për të ndërtuar Shqipërinë”, tha një nga banorët e komunës Lis.

Në këto vite në qarkun e Dibrës janë realizuar investime të shumta në favor të punësimit e zhvillimit ekonomiko – social. Në këtë qark janë ndërtuar mbi 500 kilometra rrugë, nga të cilat 185 kilometra rrugë kombëtare, 115 kilometra rrugë rajonale dhe 200 kilometër rrugë lokale. Gjithashtu, janë ndërtuar 111 sisteme ujësjellës e kanalizime, 81 shkolla, 80 ambulanca dhe 5 tregje agro- industriale.

Në fushën e bujqësisë, e cila ka një rëndësi të veçantë në këtë qark, pasi në zonat rurale banojnë rreth 74 përqind e popullsisë së kësaj zone dhe në të punësohen mbi 90 përqind e krahut të punës, janë subvencionuar 2400 hektarë dru frutor, duke çuar në 24 mijë tonë prodhimin e tyre dhe kanë përfituar 2200 fermerë, duke çuar në 26 200 numrin e fermave. Si rezultat i subvencionit, çdo vit shtohen 300 ferma me sipërfaqe mbi një hektarë dhe që në totalin e zinxhirit prodhues-konsumator, punësojnë 1200 forca pune. Pemëtarisë i janë shtuar 280 hektarë me arrorë dhe 25 hektarë me bimë mjekësore.

Kryeministri Berisha u shpreh se në këto vite në rrethin e Matit janë bërë investime shumë serioze, por në mandatin e ardhshëm do të investohet shumë më tepër. “Rikujtoni investimet tona në periudhën 2005- 2009 edhe periudhën 2009 - 2013. Këto të fundit janë së paku 2 herë më të mëdha. Unë ju garantoj se katër vitet që vijnë investimet këtu do të jenë mbi 3 herë më të mëdha”, tha Kryeministri Berisha.

“Ne, - tha Kryeministri, -  nuk kërkojmë votat për këto që kemi bërë, por këto që kemi bërë janë një besim juaji për ato që ne premtojmë për të bërë”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari, mirënjohjen më të thellë ndaj jush dhe përshëndetjet më të përzemërta për gjithë mbështetjen e fuqishme që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike. Shpreh kënaqësinë time të madhe që inaugurojmë së bashku rrugën që ju lidh me aksin kombëtar; rrugën që shkurton me 1 orë distancën midis komunës Lis dhe Burrelit; rrugën që i jep një vlerë të veçantë të gjithë këtij territori ku ajo kalon, trojeve dhe tokës; rrugës që sjell zhvillim, punësim dhe dëshmon se Lisi ecën e sigurt drejt Lisit të zhvilluar, drejt Matit të zhvilluar, drejt Shqipërisë së zhvilluar.

Rruga që sapo inauguruam është një investim me vlerë 366 milionë lekë dhe prej saj përfitojnë 13 mijë banorë. Unë vij këtu nga komuna Komsi, ku inauguruam një ujësjellës, i cili u shërben 2500 banorëve të fshatrave Frankth, Batër e Madhe dhe Batër e Vogël. Gjithçka po ecën sipas projektit tonë – infrastrukturë moderne për qytetarët, për banorët, për shqiptarët aty ku jetojnë. Ne jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që ju të keni rrugë më të mira, ujësjellës, kanalizime, shkolla moderne për fëmijët tuaj dhe shërbime të shkëlqyera.

Në këtë mandat, në rrethin e Matit ne kemi bërë investime shumë serioze dhe jo vetëm në akset kombëtare, në rindërtimin e tyre, por janë rindërtuar dhe rindërtojmë 70 kilometra rrugë. Gjatë këtyre viteve, në rrethin e Matit janë ndërtuar dhe rindërtuar gjithsej 150 kilometra rrugë. Kryetari i komunës deklaroi se këtu janë ndërtuar dhe rindërtuar 5 shkolla, 4 ujësjellës. Unë jam sot për t’ju dhënë fjalën se në këtë moment që ne ecim drejt fitores, ne do të bëjmë gjithçka që gjatë mandatit të ardhshëm të bëjmë shumë më tepër për ju. Për një moment ju ftoj të rikujtoni investimet tona në periudhën 2005- 2009 edhe periudhën 2009- 2013. Këto të fundit janë së paku 2 herë më të mëdha. Unë ju garantoj se katër vitet që vijnë investimet këtu do të jenë mbi 3 herë më të mëdha. Unë e di se kemi ndërtuar shumë rrugë, por përsëri kemi shumë për të ndërtuar. Unë isha në Komsi dhe në qendrën e komunës shkova në një rrugë të re, por nga qendra e komunës tek ujësjellësi shkova në një rrugë të paasfaltuar, plot gurë e gropa. Ata presin t’u asfaltojmë rrugën dhe kanë të drejtë. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë. Ne po ecim, po ndërtojmë.

Të dashur miq,

Në vitin 2005 në fshatrat e Matit pothuajse nuk ka pasur rrugë të asfaltuar, ndërsa sot po i inaugurojmë rrugët njëra pas tjetrës, po ndërtojmë rrugën e Arbrit, po ndërtojmë rrugën Komsi- Qafë Shtamë, po ndërtojmë rrugën Klos-Rrëshen, do të ndërtojmë rrugën Lis- Muher- Peshkopi.

Ne nuk kërkojmë votat për këto që kemi bërë, por këto që kemi bërë janë një besim juaji për ato që ne premtojmë për të bërë. Ne jemi të vendosur të mos braktisim asnjë pëllëmbë të territorit shqiptar, ku jetojnë qytetarët tanë.

Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është mohim, mashtrim, bllokim. Kreu i opozitës rreh gjoksin se bllokoi tre ligjet; rreth gjoksin se bllokoi ndërtimin e qindra kilometrave të rrugë që do të ishin shtruar me fondet e Bashkimit Evropian; rreth gjoksin se bllokoi dhjetëra-mijëra vende punë që do të krijoheshin me fondet e Komisionit Evropian; rreth gjoksin se do të ndërtoheshin dhjetëra ujësjellës dhe shkolla të reja më ato fonde. I privoi qytetarëve të këtij vendi qindra milionë euro investime. Kjo është alternativa e tij.

Por cili është modeli i tij? Modeli i tij është ai model për të cilin qytetarët e Tiranës i thanë vetëm një fjalë: rrotacion! Tirana i bëri atij rotacionin dhe ai kujton se tani do të kthehet nga dritarja, kur Tirana e përcolli nga dera. Zoti Rama, ne do të vazhdojmë, do të ecim përpara për rrugë të reja; përpara për shkolla, kanalizime dhe ujësjellës të rinj; përpara në rrugën tonë drejt integrimit evropian. Zoti Rama, ti bllokove me tre ligjet, por 23 qershori është dita e gjykimit të qytetarëve shqiptarë, dita e verdiktit dhe do të kesh asgjë më shumë se disfatën e radhës. Ti je mësuar nga disfata në disfatë, nga humbja në humbje. Prite humbjen e radhës.

Cili është modeli i tij? Lexoni vetëm për dy persona, por kryesisht për njërin, për Koço Kokëdhimën. A ju kujtohen çatitë që binin mbi kokat e nxënësve në shkollat e Tiranës? Ato ishin tenderë të fituar nga zoti Kokëdhima. A ju kujtohen pallatet që i kanë zënë detin Himarës? Ato janë pallate të ndërtuara nga Koço Kokëdhima. A ju kujtohen të gjitha reklamat e Tiranës? Ato janë reklamat që zoti Rama i ndau me zotin Kokëdhima. Zoti Rama, në qoftë se qytetarët e Tiranës modelin Rama – Kokëdhima e flakën në Lanë, kujton ti se do ta kapërdijnë shqiptarët atë model? Kurrën e kurrës! Je më i pashpresë se kurrë.

Ju ftoj juve të vazhdojmë ndryshimet e mëdha që po realizojmë. Kjo rrugë ka nevojë të përfundojë në Dibër. Ata që e sollën deri këtu, ata do ta çojnë deri në Dibër. Rruga tjetër ka nevojë të përfundojë në Rrëshen dhe ata që ndërtuan gjysmën do të fillojnë tani ndërtimin e gjysmës tjetër. Në këtë mënyrë do të përfundojmë çdo rrugë, do të ndërtojmë çdo shkollë, do të bëjmë gjithçka që pasuritë tuaja minerare të shndërrohen në të mirë për qytetarët tuaj.

Perspektivat janë të mëdha. Në rrethin tuaj fillon së shpejti ndërtimi i disa hidrocentraleve, ndërsa të tjerë kanë nisur më parë. Edhe në to do të punësohen me qindra e mijëra vetë. Rrugën nuk e kemi të thjeshtë, nuk e kemi të lehtë, e kemi me djersë, por e kemi të sigurt; e kemi me mundime, por e kemi me suksese.

Së bashku, përpara për të integruar vendin në Bashkimin Evropian, në mënyrë që askush pas 23 qershorit të mos mund të mendojë t’u mbyllë derën dhe t’u bllokojë qytetarëve shqiptarë rrugën për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Përpara, përpara, përpara!”


10/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›