Bregu: USAID konfirmon suksesin e reformave të Qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Zëdhënësja e Qeverisë, Ministrja e Integrimit, Znj. Majlinda Bregu përshendeti në një konferencë për shtyp raportin e USAID mbi performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri:
“USAID konfirmon edhe njëherë suksesin e reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit në vend duke lehtësuar punën dhe ritmin e përditshëm të bizneseve shqiptare .
Raporti mbi performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri, përgatitur nga partnerët Shqipëri për programin e Pragut të Koorporatës "Sfida e Mijëvjeçarit" cilëson se:
Ligji i ri mbi reformën në regjistrimin e biznesit, i miratuar në Parlament në 3 maj 2007, dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit përmirësuan në mënyrë drastike procesin e regjistrimit të biznesit në Shqipëri
Kjo reformë ishte një hap i rëndësishëm në arritjen e qëllimit të përgjithshëm të Qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Ajo solli përfitime të rëndësishme për bizneset shqiptare dhe investitorët e huaj: një proces më të thjeshtë, më të shpejtë , më pak të kushtueshëm për regjistrimin dhe hapjen e një biznesi të ri.
Ky raport vlerëson lehtësimin e procedurave të regjistrimit të biznesit; duke ulur tarifën në ngarkim të aplikantëve vetëm në 100 lekë, duke reduktuar kohën e nevojshme për të regjistruar një biznes të ri, në një ditë, dhe duke kombinuar të gjithë hapat e regjistrimit në një procedurë të vetme, përfshirë edhe administratën tatimore.
Rezultatet e studimit tregojnë se:
90% e të intervistuarve e përcaktuan nivelin e kënaqësisë nga shërbimet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, si të mirë ose shumë të mirë.
93% e të intervistuarve pohojnë se procedurat e aplikimit janë shumë të qarta dhe ky rezultat nuk ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në varësi të vendndodhjes së biznesit ose llojit të të intervistuarit.
Shumica e të intervistuarve pohojnë se kanë marrë certifikatën e regjistrimit të biznesit brenda 24 orëve nga momenti i paraqitjes së kërkesës së tyre.
Rritja me 48 % e regjistrimit të bizneseve vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2010, konkretisht në 10. 514 në krahasim me 6 mujorin e parë të vitit 2009, kur ishte 7.089 biznese të regjistruara, është një nga treguesit kryesorë të kësaj performance dhe efikasitetit të reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare.
Lehtësimi i procedurave për regjistrimin e biznesit , transparenca në shërbimet publike , transparenca në shërbimet on line të prokurimeve elektronike , janë reformat kryesore dhe elementët e vlerësuara në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve si pjesë dhe hallka kyçe në luftën kundër korrupsionit.”
03/08/2010