Kryeministri Berisha jep një pritje për anëtarët e qeverisë, me rastin e festave të fundvitit

Kryeministri Berisha dha sot një pritje koktej për anëtarët e qeverisë me rastin e festave të fundvitit, të cilët i falënderoi për mbështetjen dhe punën e tyre në realizimin e reformave të mëdha gjatë këtij viti. “Arritjet e këtij viti, - tha Kryeministri - bëjnë të mundur që ne, me ambicie reale e të mëdha, të shohim drejt vitit që vjen, për ta bërë atë një vit edhe më të suksesshëm, një vit thellësisht më transformues për Shqipërinë e shqiptarët, sesa viti që po lëmë mbrapa”.
Më parë Kryeministri Berisha pati pritje koktej me punonjësit e kryeministrisë, të cilët i falënderoi për përkushtimin dhe punën e tyre në mbështetje dhe realizim të reformave që transformuan vendin gjatë një viti.
Në përshëndetjen e tij drejtuar anëtarëve të qeverisë, Kryeministri u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, t’ju falënderoj me mirënjohje të thellë, për të gjithë ndihmesën, kontributin, mbështetjen dhe punën e çmuar që keni bërë gjatë këtij viti që lëmë pas. Ky vit është vit i arritjeve më të mëdha historike të shqiptarëve, për liritë dhe të drejtat e tyre pas rënies së murit të Berlinit në Tiranë, viti i Shqipërisë pa viza. Të gjitha ministritë dhe agjencitë e tyre me përkushtim të madh e reforma shndërruan në realitet premtimin tonë më të madh elektoral, por edhe ëndrrën më fisnike dhe më të hershme të qytetarëve shqiptarë. Kjo është në meritën e madhe të secilit prej jush e të administratës shtetërore në tërësi.
Viti që lamë pas që me shumë të drejtë mund të konsiderohet viti i vizave, i lëvizjes së lirë se kjo është e vërteta.
Por ky vit ka njohur edhe zhvillime të tjera historike për shqiptarët. Historike është arritja që ekonomia e këtij vendi të jetë sot ekonomia me rritjen më të madhe në Europë. Dhe kjo është absolutisht, para së gjithash e mbi të gjitha, i parimeve të drejta që janë të vendosura në themelet e tregut e të ekonomisë në këtë vend, të reformave të thella strukturore, të cilat kanë krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme të lirisë që kjo ekonomi t’i rezistojë mrekullisht krizës më të madhe që Europa e bota ka njohur që nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar gjer më sot. Kjo rritje ekonomike bëri që qeveria jonë e integrimit të mund të realizojë programin e saj plotësisht, të realizojë rritjen e rrogave e pensioneve dhe kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Kam qenë e mbetem i bindur se investimi i parë e më i rëndësishëm duhet bërë në burimet njerëzore. Në këto burime qëndron leva e Arkimedit, qëndron potenciali i të gjitha potencialeve zhvillimore. Po kështu, ne mbyllim vitin si vendi që bëmë rritjen më të madhe të pensioneve në të gjithë kontinentin.
Ne e mbyllim vitin në rrafshin ekonomik me tregues të stabilitetit makroekonomik ndër më të shkëlqyerit. Deficiti buxhetor i vitit 2010 do të jetë gjithsej 3.1 përqind. Deficit ky që është sot i rrallë, ekzotik në kontinentin tonë.
Ne e mbyllim vitin me një ekonomi vibrante, e cila shënon një rritje prej mbi 50 përqind të eksporteve. E mbyllim vitin me një ekonomi, e cila ka fituar besim të madh në Europë e në botë. Fakti që eurobondi i qeverisë shqiptare u ble me çmime më të leverdishme, sesa të vendeve të rajonit dhe vendeve të zonës euro tregon për shkallë besimi që Shqipëria se ka pasur kurrë dhe për një shkallë besimi ndër më të lartët në ekonominë e stabilitetin ekonomin e politik të vendit.
Viti mbyllet pasi në Europë e në botë ka qarkulluar me dhjetëra e qindra herë lajmi më pozitiv për qytetarët e Europës e të botës, Shqipëria destinacion kryesor turistik. Nuk ka lajm më të mirë e më pozitiv, sesa ky lajm. Dje, gjatë gjithë ditës, një ndër rrjetet më kryesore mediatike të botës ka përsëritur me dhjetëra herë krahas Nju Jorkut, Barcelonës, Zelandës së Re, Shqipërinë si një nga destinacionet turistike më të preferuara për vitin që vjen. Po të mendojmë se vetëm 6 vjet më parë ne nuk ekzistonim në hartën turistike të botës dhe sot ngjitemi në majat e preferencës, kjo përbën në jetën tonë një nga gëzimet më të mëdha, një nga arritjet më të mëdha.
Qeveria me vendosmëri ka ndjekur agjendën e vet. Shqipëria e këtij viti është absolutisht thellësisht e ndryshuar me Shqipërinë e vitit 2009. Janë me qindra e qindra fshatra e komuna që kanë sot një infrastrukturë tërësisht moderne. Është në kilometrat e fundit kompletimi total i infrastrukturës së zonës së bregdetit. Po ecet drejt zonave malore.
Ne duhet të krenohemi me shpejtësinë me të cilën jemi ngjitur në moshën dixhitale. Mosha dixhitale është mosha e modernitetit, është mosha e shpejtësisë maksimale, është mosha e shërbimeve më të kultivuara e merituara për qytetarët. 5 vjet më parë, ne ishim në fundin e pusit. Ne kishim një nivel përdorimi të internetit 4.8 përqind, ndër më të ulëtit në planet, sot mbi 50 përqind. Asnjë vend e asnjë komb nuk ka shënuar një rritje të tillë marramendëse, në një kohë kaq të shkurtër dhe është po kaq e rëndësishme se sot janë hedhur të gjitha bazat që në 2-3 vitet që vijnë të ngjitemi në çatinë e botës për moshën dixhitale, do të jemi një nga vendet me shkallën më të lartë të internetit.
Sot, arsimi është tjetër. Ne duhet të jemi krenar se mbi 91 përqind e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të kanë hyrë në shkollat e mesme dhe mbi 70 përqind e maturantëve janë ulur në bankat e universiteteve.
Një vit dhe një qeverisje kurrë nuk është e përsosur, ka gjithnjë nevojë për përmirësim dhe për konsolidim, por arritjet e këtij viti bëjnë të mundur që ne, me ambicie reale e të mëdha, të shohim drejt vitit që vjen, për ta bërë atë një vit edhe më të suksesshëm, një vit thellësisht më transformues për Shqipërinë e shqiptarët, sesa viti që po lëmë mbrapa.
Një falënderimin shumë të veçantë bashkëshorteve dhe bashkëshortët tuaj, të cilët kanë ndarë me ju të gjithë problematikën, sakrificën e përkushtimin tuaj të madh në reformat, promotor i ndryshimeve të mëdha të këtij vendi. Ju uroj gëzuar ju, bashkëshortët e bashkëshortet tuaja, fëmijëve e familjarëve. Gëzuar për të gjithë shqiptarët!
30/12/2010