Kryeministri Berisha kërkon nga homologët e tij në PPE ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në punimet e Samitit të Partisë Popullore Europiane (PPE) që u zhvillua në Meise, në një kështjellë pranë Brukselit. Ky Samit mbahet në prag të Samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Bashkimit Europian, një Samit i rëndësishëm për të ardhmen e Europës, ku do të diskutohet lidhur me ndryshimet në traktatin europian,
Në Samit morën pjesë Kancelaria gjermane dhe Presidente e radhës së BE-së Angela Merkel, Kryeministri i Holandës Jan Peter Balkenende, Kryeministri i Greqisë Kostas Karamanlis, Kryeministri i Luksemburgut Jean Klod Juncker, Kryeministri iÇekisë Mirek Topolanek, Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansa, Kryeministri i Kroacisë Ivo Sanader, Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, Presidenti i Ukrainës Victor Yushchenko, Presidenti i Rumanisë Traian Basescu etj., si dhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso dhe Presidenti i Parlamentit Europian Hans Gert Poettering.
Gjatë Samitit, Kryeministri Berisha u takua me kryetarë të qeverive anëtare të Partisë Popullore Europiane, të cilëve u kërkoi ratifikimin nga parlamentet e vendeve të tyre të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Deri në këtë moment, u shpreh Kryeministri, ratifikimi i MSA-së po ecën me ritme të kënaqshme. Në bisedat që pati me personalitetet e pranishme në Samit, Kryeministri mori premtimin e partnerëve europianë për një miratim të shpejtë të kësaj marrëveshjeje edhe nga vendet e tjera.