E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha mbyll vizitën në Izrael, me një takim unik me personat me aftësi të kufizuara të Qendrës “Të lutem prek”

Një eksperiencë krejt unike mbylli vizitën e Kryeministrit Berisha në Izrael. Në ditën e fundit të vizitës së tij, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në qendrën e projektit “Të lutem prek” (Please Touch), në Tel Aviv, një projekt që synon integrimin në shoqëri dhe në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara shikimi, dëgjimi dhe të foluri.

Kryeministri Berisha u prit gjatë kësaj vizite nga drejtuesit e projektit dhe zhvilloi takim me pjesëtarë dhe aktivistë të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara. Kryeministri pati kënaqësinë të marrë pjesë në disa aktivitete të organizuara prej tyre, si dhe ndoqi një shfaqje teatrale të organizuar për nder të tij, nga personat me aftësi të kufizuara shikimi.

Në përshëndetjen e bërë, Kryeministri vlerësoi punën dhe përpjekjet e kësaj qendre për të integruar anëtarët e këtij komuniteti në jetën shoqërore. Ai shprehu emocionet e veçanta që i dha vizita në këtë Qendër, si një eksperiencë e cila bën këdo të reflektojë për nevojat dhe problematikat e personave me aftësi të kufizuara dhe theksoi rëndësinë që ka integrimi i tyre në shoqëri dhe në jetën e përditshme. Kryeministri i ftoi drejtuesit e projektit ta sjellin këtë eksperiencë në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit nga ata.


23/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›