Sqarim i zëdhënëses së Kryeministrit lidhur me artikuj të botuar në disa prej gazetave të përditshme në vend
Sot, disa gazeta të përditshme në Tiranë kanë publikuar një lajm ku, sipas tyre, Kryeministri Berisha ka deklaruar në Jeruzalem se procesi i paqes është sabotuar nga palestinezët.
Zëdhënësja e Kryeministrit sqaron se ky është një lajm kryekëput i pavërtetë. Kryeministri Berisha në asnjë rast dhe asnjëherë nuk është shprehur për sabotim nga pala palestineze të procesit të paqes, por ka theksuar dhe thekson se Shqipëria mbështet si zgjidhje të vetme zgjidhjen e dy shteteve të pavarura.
Shqipëria nuk mbështet rezolutën e paraqitur në OKB nga Autoriteti Palestinez për anëtarësimin e Palestinës në këtë organizatë, pasi mendon se kjo rezolutë nuk ndihmon në procesin e negociatave midis dy vendeve, proces jetik ky për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit më të ndërlikuar të kohës.
Çdo interpretim tjetër i deklaratave të Kryeministrit Berisha është tërësisht i pavërtetë.
22/11/2011