E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e muajit të Kulturës Shqipëri-Kosovë

Sot u çel në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve muaji i kulturës Shqipëri-Kosovë, i organizuar nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha dhe Kryeministrit të Kosovës AgimÇeku. Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në këtë ceremoni së bashku me Ministrin e Kulturës së Shqipërisë Bujar Leskaj, Ministrin e Kulturës së Kosovës, zotin Haraçinaj, Ministren e Arsimit dhe Kulturës së Austrisë, zonjën Elisabet Gehrer, si dhe personalitete të tjera të botës së artit dhe kulturës.
Muaji i kulturës u hap me ekspozimin e punimeve të piktorëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, me tematikë "Vlera të një historie të përbashkët".

Në fjalën përshëndetëse, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh:

"Është një privilegj i veçantë për mua të marr nën kujdes një veprimtari kaq të rëndësishme për shqiptarët, për kombin, veprimtari një mujore në të cilën ministritë e kulturës parashikojnë ekspozimin e vlerave, e krijimeve më të mira artistike, kulturore të kombit, të shoqërise dhe i bëjnë kështu një shërbim shumë të madh Shqipërisë dhe Kosovës. Asgjë më të çmuar, më thelbësore, më paqësore, nuk ka një komb se sa kulturën e tij. Një piktor i madh holandez thotë se ndërgjegjja njerëzore është kultura. Sa herë ta mendosh e ti rikthehesh kësaj ideje nuk gjen gjë tjetër veçse kulturën që është në thelbin e ndërgjegjjes së individit, në thelbin e ndërgjegjies së shoqërisë dhe kombit. Në këtë aspekt është fat i madh për ne që trashëgojmë realisht një kulturë të pasur. Sërish ne jemi njerëz të varfër në Europë dhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe të qenurit i varfër në një kontinent të pasur e vështirëson dy herë më shumë përballimin psikologjik të saj, por ne jemi një komb me shpirt të pasur, me vlera të mëdha kulturore të krijuara nga gjenia e tij në mijëvjecare dhe sot këto vlera shpërthejnë duke u bërë simbolet më të arrira, më të çmuara, më të domosdoshme për kombin tonë, duke ndriçuar si yje të kulturës europiane në faqen e tij.

Duke përshëndetur dhe njëherë të gjithë artistët unë i garantoj ata se qeveria do të mbështesë fuqishëm veprimtarinë e tyre krijuese në kushtet e tregut, se hapat e ndërrmarra gjatë këtij viti shënojnë vetëm fillimin e një përpjekje serioze për të krijuar mundësi më të mëdha për ekspozimet e këtyre krijimeve dhe bërjen e tyre të njohur kudo në botë.

Dua edhe njëherë të përgëzoj të dy ministritë respektive. Natyrisht ajo që nuk falet është harresa. Nuk mund të mos kishim këtu edhe krijuesit shqiptarë nga treva të tjera, të Maqedonisë, Malit të Zi e diaspora, por jam i sigurtë se aktivitetin e ardhshëm të dy qeveritë do ti përfshjnë dhe do të bëhet kjo një veprimtari e çmuar për të gjitha vlerat e mëdha kulturore të kombit.

Edhe njëherë falenderimet më të përzemërta."

Më pas, kryeministri Berisha vizitoi ekspozitën me punime në pikturë të artistëve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria. Në përfundim, duke iu përgjigjur interesimit të mediave, kryeministri u shpreh:

"Dëshiroj edhe njëherë të përgëzoj dhe të përshëndes këtë aktivitet madhor dhe të shkëlqyer, sikundër duhet të falenderoj dhe të përshëndes drejtorin e galerisë dhe të gjitha bashkëpunëtorët e tij për përzgjedhjen mahnitëse të këtyre veprave të pikturës shqiptare. Kjo ekspoze është fytyra europiane e Shqipërisë, është visari europian i kombit. Unë mendoj dhe jam i sigurt se kultura është më e çmuara që ne mund ti ofrojmë kombeve të tjera në rrugën tonë të integrimit dhe bashkimit me Europën. Përgëzoj të gjithë krijuesit dhe artistët për këtë veprimtari madhore dhe i siguroj se qeveria është e vendosur të mbështesë fuqimisht përpjekjet e tyre, tu krijojë mundësi të shpalosin në Shqipëri dhe në botë gjeninë e tyre krijuese në të gjitha zhanret e artit dhe të kulturës.

Lidhur me çështjen e ambienteve të reja për Teatrin Kombëtar dhe Galerinë e Arteve, Kryeministri komentoi:

"Ju e dini se për mua dhe për qeverinë mbështetja e kulturës dhe artit përbën një përparësi madhore. Nuk ka mëdyshje se ato meritojnë edhe vende më prestigjoze dhe dinjitoze, si dhe investime më të mëdha. Kështu që me një projekt, në të cilin do të ftohen studiot më të njohura të Evropës dhe të botës qendra do të shndërrohet në pallatin e artit dhe të kulturës kombëtare, ku në mjediset e saj do të jetë muzeu i artit, do të vendoset teatri Kombëtar. Natyrisht pas një projekti ndërkombëtar sepse e meritojnë që të zenë vendet më qendrore, më të spikatura, më prestigjoze.
Unë nuk mund të them më shumë se sa të garantoj vendosmërinë e qeverisë për të mbështetur kulturën dhe artin dhe unë ju siguroj se nuk ka qeveri në botë që nuk do ti ofronte ambientet më të mira botës së artit dhe kulturës. Në këtë kontekst duke respektuar lirinë e plotë të mediave pavarësinë e plotë të tyre ju siguroj se do ti garantojmë më tej këto veprimtari"

Duke iu referuar shembullit të Bibliotekës Kombëtare, kryeministri u shpreh: "Unë nuk mund të pranoj që Biblioteka Kombëtare të katandiset në bodrume dhe taksapaguesit shqiptarë që kanë paguar, të mos kenë ku të ulen të lexojnë. Unë jam përgjegjës për interesat publike të qytetarëve shqiptarë. Kjo Bibliotekë meriton një hapsirë të dyfishtë në krahasim me atë ku është katandisur."

Pyetjes nëse do të amendohet Kushtetuta për rastin e zgjedhjes së Presidentit, Kryeministri iu pergjigj:

"Unë mendoj se presidenti po ushtron funksionet e tij dhe nuk është koha që ne të merremi me zgjedhjen e presidentit tani."

Për sa i përket interesimit në lidhje me marëveshjen e arritur me opozitën si dhe për institucionin e KQZ-së, kryeministri tha:

"Siç e theksova dje, qeveria do të bëjë cdo përpjekje për zbatimin korrekt dhe të shpejtë të marrëveshjes të cilën e kemi mirëpritur dhe përshëndetur.

Kjo marrëveshje i shton cilësi KQZ –së sepse rrit përfaqësimin dhe zhduk minorancën bllokuese. Këto dy kontekste e bëjnë më të përshtatshëm këtë institucion. Nga ana tjetër, mund t'ju them se është ndër të paktat kushtetuta të planetit që e ka KQZ –në si institucion Kushtetues."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›