E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri merr një letër nga Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-ve, Senatori Richard Lugar

Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara, Senatori Richard Lugar i ka dërguar një letër Kryeministrit Berisha.

Senatori e falenderon Kryeministrin për mikëpritjen gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 25-26 gusht dhe shpreh vlerësim të lartë për ekipin qeveritar.

Ai vlerëson përkushtimin e qeverisë për zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në NATO dhe thekson se përpjekjet për krijimin e një ushtrie të standarteve të NATO-s janë çelësi i anëtarësimit në Aleancë.

Më tej, Senatori i shkruan Kryeministrit:

"Unë përgëzoj gjithashtu angazhimin e qeverisë suaj në luftën ndaj brengës së korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht ndaj trafikimit të qënieve njerëzore dhe drogës. Këto janë probleme serioze, të cilat nuk mund të çrrënjosen brenda natës, por angazhimi që ju keni treguar në luftën kundër tyre dhe përparimi i deritanishëm janë shumë inkurajuese. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t'i mbështesin këto përpjekje tuaja.

Ndërsa ju mundoheni që ta afroni Shqipërinë më institucionet euro-atlantike, unë dëshiroj t'u inkurajoj që Shqipëria të përqëndrohet në zhvillimin e institucioneve të forta dhe efektive të qeverisjes demokratike. Një rol të qënësishëm në qeverisjen e një shoqërie demokratike luajnë jo vetëm ministritë, por edhe institucionet e pavarura, bashkitë, mediat dhe shoqëria civile. Ndërtimi i këtyre institucioneve, në mënyrë të tillë që të kryejnë efektivisht funksionin e tyre – përfshirë kontrollin reciprok të pushteteve – dhe që të fitojnë besimin e popullit shqiptar, kërkon vite të tëra pune të durueshme, por ky proces është vendimtar për konsolidimin e demokracisë suaj të re dhe hyrjen në bashkësinë euro – atlantike."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›