E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 70 vjetorit të Spitalit Universitar Obstetrikë Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e 70 vjetorit të Spitalit Universitar Obstetrikë Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë. Në ceremoninë e festimit të 70 vjetorit të këtij spitali në shërbim të nënës e fëmijës ishin të pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë zoti Vangjel Tavo, drejtori i USAID-it për Shqipërinë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, si dhe mjekë, infermiere e mami të kësaj qendre.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi punonjësit e obstetri-gjinekologjisë për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, të cilët kanë bërë që falë këtij përkushtimi dhe përpjekjes së madhe të sistemit shëndetësor në tërësi, Shqipëria të ketë sot mortalitetin amëtar ndër më të ulëtit në botë dhe të ulë në një shifrorë treguesit e vdekshmërinë foshnjore. “Të dy këta tregues janë kompleks, ndikohen nga një seri faktorësh social, ekonomik, etj., por pa punën tuaj, pa përsosjen e saj, pa përkushtimin tuaj, Shqipëria nuk do të mund të arrinte në këto rezultate të shumëpritura”, u shpreh Kryeministri.

Më pas, Kryeministri Berisha dhe doktor Halim Kosova zbuluan pllakatin e auditorit, i cili që sot do të mbajë emrin “Jani Basho”, në nderim të drejtorit të parë të këtij spitali, si dhe të një ndër emrave më të vjetër të mjekësisë shqiptare.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot është një rast shumë i veçantë për mua të përulem me nderim të madh para punës tuaj vetëmohuese, përkushtimit tuaj të madh, rezultateve tuaja shumë të rëndësishme për Tiranën, por edhe për vendin në tërësi. Dëshiroj t’ju shpreh ju dhe punonjësve të obstetri-gjinekologjisë, mjekëve, mamive, infermiereve të mbarë vendit, urimet më të përzemërta. Kjo është një ditë e madhe për të gjithë sistemin tonë shëndetësor.

Për të gjithë vendin ky është një përvjetor i madh. Në këtë 70 vjetor ju, mjekët, infermierët, mamitë, vini krenarë, ashtu siç keni emrin, “Mbretëreshë” e sistemit tonë shëndetësor. Ju vini si “Mbretëreshë” e sistemit tonë shëndetësor, sepse ju keni një kontribut thelbësor në arritjen e disa prej treguesve më të ndjeshëm, më të rëndësishëm, më themelor për çdo vend. Ju keni kontributin tuaj në shpëtimin e jetës së nënave që lindin. Ju, së bashku me përpjekjen e madhe të sistemit tonë shëndetësor në tërësi, keni bërë që sot të kemi mortalitetin amëtar ndër më të ulëtit në botë. Sot ai luhatet midis 0 dhe 8, vitin e kaluar ishte 5.7 për njëqind mijë lindje, rreth 5-6 herë më i ulët se në disa ndër vendet më të zhvilluara. Ky është një sukses i madh. Pak vite më parë mortaliteti amëtar ishte disa herë më i lartë, ka qenë rreth 7-8 herë më i lartë. Në punën dhe përkushtimin tuaj qëndron një kontribut tjetër, po kaq madhor dhe po kaq i rëndësishëm, ulja në një shifrore e vdekshmërisë foshnjore. Natyrisht, të dy këta tregues janë kompleks, ndikohen nga një seri faktorësh social, ekonomik, etj., por pa punën tuaj, pa përsosjen e saj, pa përkushtimin tuaj, Shqipëria nuk do të mund të arrinte në këto rezultate të shumëpritura. Unë, në procesin e zhvillimit të këtij vendi, nuk konsideroj tregues më të rëndësishëm sesa këta të dy. Kështu që ju, në sektorin tuaj, e keni vendosur Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara dhe më të zhvilluara, keni bërë një nder shumë të madh. 

Sot është një përvjetor, ndaj dhe dua të kujtojmë së bashku me shumë nderim veprën e atyre grave dhe burrave, të cilët shkrinë jetën e tyre në këtë institucion, siç ishte prof. Koço Glozheni, Ilir Gjylbegu, Dr.Koncita, por edhe shumë të tjerë, të cilët jo vetëm drejtuan këtu një institucion shumë serioz, por formuan një grup të gjerë obstetër – gjinekologësh dhe e shtrinë këtë shërbim në mbarë Shqipërinë, duke u përkujdesur shumë për cilësinë e tij. Ndaj dhe materniteti “Mbretëresha Geraldinë” ka meritën e madhe të themelimit të organizimit të shërbimit obstetrik-gjinekologjik në mbarë vendin. Nuk kanë qenë periudha të lehta këto 20 vite, sepse trashëgimia ishte shumë e varfër. Regjimi e la vendin të falimentuar dhe në një farë mënyre edhe sistemin shëndetësor, për sa i përket cilësisë së shërbimit dhe shumë aspekteve të tjera. Por ndihma të mëdha të miqve tanë, ndihma e qeverisë amerikane për këtë maternitet, ndihma dhe donacione të tjera bënë që ky të ishte institucioni i parë që të merrte kthesën dhe kjo kishte një rëndësi shumë të madhe, sepse edhe vetë karakteri i punës, delikatesa e saj, përbënte një emergjencë. Mbi të gjitha ka qenë përkushtimi juaj, puna juaj, dashuria juaj për profesionin fisnik. Ju këtu ndani çdo orë gëzimin me qindra e mijëra familje dhe, në një farë aspekti, në qoftë se gëzimi do të kishte një tempull, ai do të ishte materniteti. Sepse këtu çiftet, nënat, baballarët provojnë gëzime të pa ndjera kurrë më parë. 

Edhe një herë, në këtë përvjetor, ju uroj me shumë nderim të madh për ju, sepse keni bërë dhe bëni një punë të shkëlqyer. Uroj gjithë obstetër-gjinekologët, mamitë, kudo që janë, të cilët në të katër anët e vendit u japin këshilla, u japin ndihma nënave dhe bëjnë që së bashku me ju Shqipëria të ketë arritur me dinjitet dhe përpjekje serioze dy prej treguesve, të cilat do të mbeten gjithnjë më të rëndësishme në rrugën e saj të zhvillimit. 

Faleminderit!”


14/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›