E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton vendimin “Për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim të të huajve në rastet ku Republika e Shqipërisë ka interes shkencor, ekonomik dhe kulturor”

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin “Për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim të të huajve në rastet ku Republika e Shqipërisë ka interes shkencor, ekonomik dhe kulturor.

Duke folur mbi këtë vendim, kryeministri shpjegoi se në përputhje me ligjin e shtetësisë shqiptare, të huajt që kanë mbushur moshën 18 vjeç mund ti jepet shtetësia shqiptare me natyralizim në se Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar, edhe në rast se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, e cila do të respektohet plotësisht. Pika 6 thotë: “Pranimi i tij si shtetas shqiptar të mos prekë sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë”.

Kryeministri u shpreh se duke ndjekur si model edhe vende të tjera të cilat e kanë aplikuar, kjo shtetësi për kriterin ekonomik do të jepet për ata që kanë investuar dhe investojnë 200 mijë dollarë dhe këtë e faktojnë me organin tatimor. “Kjo është një praktikë të cilën para një muaji e vendosi Bullgaria. E ka Hungaria, e ka Mali i Zi. Të paktën në një formë ose në një tjetër e kanë dhe vendet më të zhvilluara, e kanë me 100 mijë dollarë, por ne e përcaktuam shifrën 200 mijë. Nuk kemi përfshirë këtu interesin kombëtar dhe këtu e kemi problem sepse del sikur po u shesim shqiptarëve shtetësinë që nuk ndodh kurrë. Sepse ata kanë shtetësi natyrale.” tha kryeministri.

Kryeministri qartësoi se kjo është një praktikë shumë e ndershme me kusht që të mos përdoret për qëllime elektorale. “Së pari nuk është një çështje politike dhe unë besoj se do të arrihet ujdia, përveçse në fuqi në çdo rast do të hyjë pas zgjedhjeve. Nuk mund të ketë  asnjë interferencë dhe nuk ka në mënyrën më absolute as edhe përpjekjen më të vogël elektorale. Ky është kusht shumë i domosdoshëm, sepse atëherë zbret nga interes kombëtar në interes partiak dhe unë nuk jam për këtë.”

Përsa i përket qytetarëve në Republikën e Kosovës, kryeministri sqaroi se : “Kemi të bëjmë me një shtet, konsolidimi i pavarësisë së të cilit është interesi jetik i shqiptarëve. Ata janë në një proces të pyetësorit për marrjen e vizave. Kështu që unë mendoj se kjo kërkon një ulje së bashku me ta për të përcaktuar modalitete dhe rrugët më të përshtatshme të zgjidhjes së këtij problemi. Shqipëria e theksoj edhe një herë është një vend që nuk ka as edhe një ambicie territoriale. Kjo është e prerë, e qartësuar, përkundrazi e ka shprehur në mënyrën më të përsëritur se vizatimi i kufijve në këtë kohë nuk është në interesin e shqiptarëve.”

Duke folur për vendimin në fjalë, Kryeministri Berisha u shpreh:

Vendimi i dytë ka të bëjë me një premtim dhe zotim të kahershëm, dhënien në përputhje me ligjin e shtetësisë shqiptare, po citoj këtu: marrja e shtetësisë me natyralizim. Të huaj që kanë mbushur moshën 18 vjeç, thotë ligji i 95, mund ti jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6. Pika 6 thotë: Pranimi i tij si shtetas shqiptar të mos prekë sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë, çka do të thotë se kjo pikë do të respektohet plotësisht. Pra, kjo do të thotë se edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në se Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar, atëherë mund të marrë shtetësinë shqiptare me natyralizim.

Jemi në një pikë të veçantë. Kjo shtetësi për kriterin ekonomik do të jepet për ata që kanë investuar dhe investojnë 200 mijë dollarë dhe këtë e faktojnë me organin tatimor. Kjo është një praktikë të cilën para një muaji e vendosi Bullgaria. E ka Hungaria, e ka Mali i Zi. Të paktën në një formë ose në një tjetër e kanë dhe vendet më të zhvilluara, e kanë me 100 mijë dollarë, por ne  e përcaktuam shifrën 200 mijë. Nuk kemi përfshirë këtu interesin kombëtar dhe këtu e kemi problem sepse del sikur po u shesim shqiptarëve shtetësinë, gjë që nuk ndodh kurrë, sepse ata kanë shtetësi natyrale. Por kjo pikë që gjykoj unë duhet të jetë një veprim i përbashkët.

Kjo ka dy çështje, së pari nuk është një çështje politike dhe unë besoj se do të arrihet ujdia, përveçse në fuqi në çdo rast do të hyjë pas zgjedhjeve. Nuk mund të ketë  asnjë interferencë dhe nuk ka në mënyrën më absolute as edhe përpjekjen më të vogël elektorale. Nuk mund të ketë. Kjo është një praktikë që e ka ndjekur Kroacia me të gjithë kroatët që janë në Ballkan dhe në botë, e kanë ndjekur Bullgaria, Maqedonia dhe të gjithë me radhë. Jo të paktë janë shtetasit shqiptarë që kur Maqedonisë iu dhanë vizat, merrnin pasaporta me shtetësi maqedonase. Pra, kjo është një praktikë shumë e ndershme, me kusht që të mos përdoret për qëllime elektorale. Ky është kusht shumë i domosdoshëm, sepse atëherë zbret nga interes kombëtar në interes partiak dhe unë nuk jam për këtë.

Ka një problem tjetër, dua ta sqaroj këtu, problemi është Republika e Kosovës, kemi të bëjmë me një shtet, konsolidimi i pavarësisë së të cilit është interesi jetik i shqiptarëve. Ata janë në një proces të pyetësorit për marrjen e vizave. Kështu që unë mendoj se kjo kërkon një ulje së bashku me ta për të përcaktuar modalitete dhe rrugët më të përshtatshme të zgjidhjes së këtij problemi. Shqipëria e theksoj edhe një herë është një vend që nuk ka as edhe një ambicie territoriale. Kjo është e prerë, e qartësuar, përkundrazi e ka shprehur në mënyrën më të përsëritur se vizatimi i kufijve në këtë kohë nuk është në interesin e shqiptarëve. Të paktën ky është gjykimi ynë, por duke thënë këtë askush nuk mund të mohojë se kombi shqiptar është i copëtuar në 5 shtete. Dhe ai që injoron këtë fakt nuk i kontribuon absolutisht stabilitetit. Me këtë dua të them se një tërësi masash që shkojnë dora-dorës me procesin e integrimit evropian, duhet të parashikohen sepse në se pret kush që shqiptarët do ta trajtojnë njëri-tjetrin në mënyrë identike me të njëjtat qëndrime si me një komb tjetër jo shqiptar, kjo është e pamundur. Një përpjekje e tillë është e destinuar të dështojë. U përpoqën me çdo kusht të na pengojnë në ndërtimin e rrugës së kombit, nga frika e afrimit të shqiptarëve. Rruga e kombit tani po shtrihet deri në Nish dhe s’po i shërben vetëm shqiptarëve , por edhe serbëve dhe kjo është normale. Dhe thuhet, nuk e di a është e vërtetë, se do e financojnë vetë BE dhe unë e përshëndes këtë gjë të mirë.

Pra të nderuar zotërinj, ministra, albanofobia është problem serioz. Nuk është problemi ynë, se shqiptarët nuk kanë fobira ndaj të tjerëve. Absolutisht, janë në tokën e tyre, aty ku janë. Por ajo përbën një problem për paqen dhe stabilitetin. Unë uroj që të çlirohen nga kjo. Ftoj fqinjët që të mirëkuptojnë në interesin më të mirë të tyre kapërcimin e ndasive njëshekullore të vendosura në mënyrën më të padrejtë ndaj shqiptarëve. Ky është qëndrimi ynë, ndaj dhe kjo klauzole kërkon një përballje të përbashkët me opozitën, me të gjithë spektrin politik.

Natyrisht kemi të bëjmë me një shtet që ka specifikat e veta. Ata vizat para nesh i kanë marrë, i kanë hequr vizat vite përpara dhe në fakt kanë dhënë shtetësi dhe pasaporta të gjithë atyre që i kanë konsideruar normal, shtetas me origjinë të tyre dhe absolutisht kur më informuan e quaja gjënë më normale. Greqia fqinje, unë bëja thirrje që të mos trajtoheshin minoritetet si heterogjenë, por homogjenë. Këtë  e kam  bërë publikisht. Pse do të mohoja unë që ata janë grekë në etni, pra qytetarët shqiptarë me origjinë greke? Dhe u kanë dhënë pasaporta të tyre. Këto janë standarde shumë normale. Të vetmen gjë që bëra njëherë, kur një forcë politike  deshi ta përdorte  për qëllime elektorale, e ngrita zërin. Donte tu jepte shqiptarëve të drejtën e votës, vetëm për të mundur kundërshtarin e vet. Kjo është e pandershme dhe atëherë unë qëndrova. Për të tjerat janë standarde panevropiane, botërore.


12/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›