Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 99 – vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm, paraditen e sotme, në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 99-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit.
Duke u uruar këtë ditë efektivëve të Policisë së Shtetit dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, Kryeministri Berisha shprehu nderim dhe mirënjohje ndaj atyre qindra oficerëve, komisarëve, nën/komisarëve, inspektorëve të Policisë së Shtetit që kanë rënë në detyrë. “Ata ranë për t’u bërë të bërë të pavdekshëm në mbrojtjen e jetës, pronës, veprimtarisë dhe rendit të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi se Policia e Shtetit ia ka dalë që, me reforma të thella dhe të gjithanshme, të përmbushë me dinjitet misionin e saj të madh, duke u shndërruar në institucionin dhe punonjësit më të dashur, më të respektuar e më të nderuar të qytetarëve shqiptarë. “Shqiptarët, - u shpreh Kryeministri, - kanë nderim të madh për ju, sepse ata ndjehen sot më të sigurt se kurrë për jetën, për pronën dhe veprimtarinë e tyre; kanë respekt të madh për ju dhe kontributin tuaj, sepse ata lëvizin sot të lirë në mbarë Evropën; kanë respekt të madh për ju, sepse ju keni vendosur një partneritet të shkëlqyer me policitë e vendeve mike, jeni shndërruar në një partner shumë të besueshëm për ta, keni dhënë dhe jepni çdo ditë një ndihmesë të shkëlqyer në luftën e krimit të organizuar, në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar”.
Kryeministri Berisha i siguroi ata se qeveria do t’i mbështesë me të gjitha mjetet dhe do të bëjë gjithçka për modernizimin e tyre të mëtejshëm, për konsolidimin e bashkëpunimit të tyre me partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje ndaj të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, misioneve të PAMECA-s, ICITAP-it, misioneve italiane të bashkëpunimit, si dhe të gjitha atyre misioneve të vendeve mike, që kanë dhënë një ndihmesë jashtëzakonisht të çmuar në konsolidimin dhe përsosjen e bashkëpunimit të veprimtarisë së policisë në tërësi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Jam sot këtu për t’ju përshëndetur shumë përzemërsisht në emër të qeverisë shqiptare, t’ju uroj juve, të gjithë efektivit të Policisë së Shtetit, familjeve tuaja, por edhe mbarë shqiptarëve, gëzuar këtë ditë të 99 - vjetorit të themelimit të policisë, një ditë e madhe dhe e rëndësishme për ju, familjet tuaja dhe mbarë shqiptarët. Me këtë rast, dua të shpreh nderimin tim më të thellë, të përulem me respektin dhe mirënjohjen më të madhe, ndaj atyre qindra oficerëve, komisarëve, nën/komisarëve, inspektorëve të Policisë së Shtetit, që prehen sot në flamurin tuaj krenar, në flamurin e kombit. Ata ranë për t’u bërë të bërë të pavdekshëm në mbrojtjen e jetës, pronës, veprimtarisë dhe rendit të qytetarëve shqiptarë.
Dita e përvjetorit të themelimit tuaj është një ditë krenarie legjitime për ju, sepse ju, me sakrificat tuaja, guximin, trimërinë, me aftësitë profesionale, jeni shndërruar në efektivët, në institucionin, në punonjësit ndër më të dashur, më të respektuar, më të nderuar dhe të vlerësuar të qytetarëve shqiptarë. Në një kohë të shkurtër, ju ia keni dalë me reforma të thella dhe të gjithanshme që të përmbushni me dinjitet misionin tuaj të madh. Shqiptarët kanë nderim të madh për ju, sepse ata ndjehen sot më të sigurt se kurrë për jetën, për pronën dhe veprimtarinë e tyre. Shqiptarë kanë vlerësim dhe mirënjohje të madhe për ju, sepse ju ia keni dalë që në një kohë relativisht të shkurtër të shndërroheni në një institucion demokratik të vërtetë të një vendi të lirë. Shqiptarët kanë respekt të madh për ju dhe kontributin tuaj, sepse ata lëvizin sot të lirë në mbarë Evropën. Në këtë kontekst, pa diskutim, ndihmesa juaj është e një rëndësie parësore. Shqiptarët kanë respekt të madh për ju, sepse ju keni vendosur një partneritet të shkëlqyer me policitë e vendeve mike, jeni shndërruar në një partner shumë të besueshëm për ta. Keni dhënë dhe jepni çdo ditë një ndihmesë të shkëlqyer në luftën e krimit të organizuar, në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar. Shqiptarë ju janë mirënjohës, sepse në disa procese të një rëndësie jetike për një shoqëri të lirë, siç janë zgjedhjet, për vite me radhë i keni faktuar qytetarëve shqiptarë, por edhe vëzhguesve nga e mbarë bota, qëndrimin tuaj ligjor dhe keni dhënë një kontribut të madh në zhvillimin normal të këtyre proceseve. Ju çdo ditë përballeni me vështirësi ndër më seriozet. Por ju çdo ditë dhe çdo muaj rrisni e përsosni aftësitë tuaja profesionale. Format e ndryshme të krimit të organizuar gjejnë një përgjigje të merituar nga ju.
Në këto vite, Policia e Shtetit ka përmirësuar ndjeshëm standardin e respektimit prej saj të të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë. Unë ju inkurajoj dhe kërkoj nga ju që në çdo veprim tuajin, të mbani parasysh respektin e dinjitetit njerëzor. Mos harroni kurrë se njeri i lirë dhe vend i lirë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, do të thotë dinjitet. Në asnjë rrethanë dhe asnjë situatë, ju nuk duhet të lejoni dhe të pranoni të abuzohet me dinjiteti e cilitdo qoftë. Standardet tona vijnë në përmirësim të vazhdueshëm, por këto standarde kanë një delikatesë të përjetshme. Ndaj dhe ne duhet të rrisim gjithnjë vëmendjen ndaj tyre.
Duhet ta mbyll fjalën time duke ju siguruar ju, të dashur komisarë, nën/komisarë dhe të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, të siguroj ministrin dhe drejtorin tuaj të përgjithshëm, se qeveria do të t’ju mbështesë me të gjitha mjetet, do të bëjë gjithçka për modernizimin tuaj të mëtejshëm, për konsolidimin e bashkëpunimit tuaj me partnerët tanë ndërkombëtar, të cilëve u shpreh një mirënjohje shumë të thellë. U shpreh mirënjohje misioneve të PAMECA-s, ICITAP-it, misione italiane të bashkëpunimit dhe të gjitha atyre misioneve të vendeve mike, të cilat kanë dhënë një ndihmesë jashtëzakonisht të çmuar në konsolidimin dhe përsosjen e bashkëpunimit të veprimtarisë suaj në tërësi.
Edhe një herë gëzuar këtë ditë fesë, ditë krenarie për ju dhe mbarë shqiptarët!”
13/01/2012