Kryeministri Berisha pret ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zotin Enver Hoxhaj

- Kryeministri Berisha dhe ministri Hoxhaj vlerësuan se festimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë përbëjnë një moment të rëndësishëm për tu ndalur dhe nderuar historinë, sakrificat dhe përpjekjet e kombit për liri, pavarësi e dinjitet
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zotin Enver Hoxhaj.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu ministrit Hoxhaj vlerësimet më të mira për faktin që shteti më i ri i Evropës, Republika e Kosovës, është shndërruar dhe po shndërrohet përditë e më shumë në një faktor real të paqes, stabilitetit, sigurisë, bashkëpunimit e miqësisë në rajon.
Ministri i Jashtëm, zoti Moxhaj, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i përcolli përshëndetjet më të përzemërta të Presidentes Jahjaga, Kryeministrit Thaçi, miqve të shumtë e dashamirësve që Kryeministri Berisha ka në Kosovë, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ministri Hoxhaj shprehu mirënjohjen e qeverisë së Kosovës dhe të gjithë popullit të saj për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Kryeministri Berisha personalisht dhe qeveria shqiptare e Shqipëria i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë kësaj periudhe, në veçanti për njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, ashtu edhe për konsolidimin e rolit të merituar të Kosovës në bashkëpunimin rajonal e më gjerë.
Në takim u pohua vendosmëria e të dy qeverive për të eliminuar çdo pengesë burokratike, në mënyrë që midis qytetarëve të të dy vendeve t’u mundësohet intensifikimi më i lartë i lidhjeve e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, të biznesit, kulturore etj., në shërbim të interesit më të mirë e prosperitetit të tyre, si dhe të zgjerimit të bashkëpunimit të miqësisë në mbarë rajonin. Në këtë kontekst, qeveritë e të dy vendeve do të punojnë ngushtësisht për të garantuar kuadrin më të përsosur ligjor në shkëmbimet midis dy vendeve, të njëjtë me atë që aplikojnë vendet e Bashkimit Evropian në marrëdhëniet mes tyre.
Kryeministri Berisha dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, zoti Hoxhaj, ripohuan vizionin e palëkundur të të dy vendeve se ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e gjithë rajonit është e mbetet integrimi i plotë në Bashkimin Evropian i Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha vendeve të rajonit. Në këtë kontekst, u vlerësua rëndësia e jashtëzakonshme që edhe qytetarëve të Kosovës t’u jepet mundësia për lëvizje të lirë në hapësirat evropiane ashtu si edhe të gjithë qytetarëve e tjerë të rajonit, çka do t’i shërbejë forcimit të stabilitetit në rajon dhe zgjerimit të bashkëpunimit të qytetarëve të Kosovës me ata të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Berisha dhe ministri Hoxhaj vlerësuan, gjithashtu, se festimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë përbëjnë një moment të rëndësishëm për tu ndalur dhe nderuar historinë, sakrificat dhe përpjekjet e kombit për liri, pavarësi e dinjitet, në veçanti periudhën më kulmore që fillon me kryengritjet e shqiptarëve në Kosovë, Lidhjen e Prizrenit dhe vijon me pavarësinë e Shqipërisë më 1912 dhe atë të Kosovës më 2008, por edhe për të rikonfirmuar vizionin e kombit për të ardhmen evropiane.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.
13/01/2012