E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

- Ngritja e këtij autoriteti është një hap shumë i rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian. Procesi i integrimit para së gjithash është proces standardesh, që kanë një dinamizëm, nuk mbeten kurrë të ngrira, por ecin në konsolidim e sipër

- AKU ndërtohet mbi një koncept solid reforme: ai ka shkrirë në një 5 inspektorate. Kjo reformë synon ta bëjë atë serioz, të ndershëm dhe kompetent. Kjo reformë synon gjithashtu, që AKU dhe inspektoratet e vendit në tërësi, t’i nxjerrë nga arbitrariteti

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, si dhe Helmut Lohan, ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian, institucion i cili dha një ndihmesë të madhe si në hartimin e legjislacionit mbi funksionimin e këtij autoriteti, deri në rindërtimin e godinës. Para të pranishmëve, zoti Lohan u shpreh mjaft i entuziazmuar për ngritjen e një institucioni të tillë, mjaft të rëndësishëm edhe për arritjen e standardeve integruese drejt familjes evropiane.

Në fjalën e tij përshëndetëse para të punonjësve të këtij institucioni dhe gazetarëve, kryeministri Berisha u shpreh:

Zoti ministër, ambasador Lohan, zoti Juka, të nderuar punonjës dhe punonjëse të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit!
Sot ne inauguruam njërin nga institucionet më themelore, më të rëndësishme, për qytetarët shqiptarë, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Me këtë rast duhet të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Komisionit Evropian, pa të cilën ky Autoritet nuk do të ishte inauguruar sot. Komisioni Evropian ka dhënë një ndihmë të gjithanshme, të jashtëzakonshme, që nga fillesat e hartimit të ligjit të këtij autoriteti, gjer te përfundimi i rindërtimit të kësaj ndërtese, të bukur dhe funksionale.

Zonja dhe zotërinj!

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka një nga misionet më të rëndësishme në vend, sigurinë e ushqimit, standardin e ushqimit. Në tërësinë universale të standardeve, asnjë standard nuk është më i rëndësishëm, se sa ai i ushqimit, i ujit të përditshëm. Kështu që ky mision ka rëndësi jetike për çdo qytetar, për çdo familje, për shoqërinë në tërësinë, për Shqipërinë në tërësi. Unë kam besim të madh, se ju, punonjës dhe drejtues të këtij institucioni me punë, përkushtim dhe dije, do t’i jepini këtij institucioni autoritetin më të madh, do ta shndërroni në një nga institucionet më serioze dhe më kompetente të vendit. Qeveria, do t’ju mbështesë fuqimisht, në përmbushjen e këtyre detyrimeve thellësisht jetike për qytetarët shqiptarë. Siguria e ushqimeve është e lidhur më shumë se çdo gjë tjetër me sigurinë e shëndetit, me sigurinë e jetës. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ndërtohet mbi një koncept solid reforme: ai ka shkrirë në një 5 inspektorate. Dhe unë dua t’ju informoj se në tërësinë e 36 inspektorateve të vendit, së shpejti do të numërohen gjithsej vetëm 11. Dhe kjo reformë nuk synon aspak që të zbehë rolin e inspektimit. Kjo reformë synon ta bëjë atë serioz, të ndershëm dhe kompetent. Kjo reformë synon gjithashtu, që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, inspektoratet e vendit në tërësi, t’i nxjerrë nga arbitrariteti i tyre. Ju do të bëni çdo përpjekje për të garantuar ushqime të sigurta, prodhime ushqimore të sigurta. Por krahas kësaj do të bëni çdo përpjekje, për të qenë sa më korrekt me prodhuesit dhe biznesin. Dhe ky është një nga qëllimet kryesore të kësaj reforme, pasi ndonjëherë më e madhe se barra fiskale, është barra e inspektorateve mbi biznesin. është e padrejtë dhe duhet ta kemi gjithnjë parasysh.

Zoti kryetari i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit!
është bërë një punë e madhe në ndërtimin e këtij institucioni, por mbi caktimin e veprimtarisë së tij është kusht përcaktues, për një veprimtari transparente të këtij institucioni. Ne duam që inspektorët dhe punonjësit e tij, të kenë shkallën më të lartë të ekspertizës, por ne duam njëkohësisht që ata të kenë edhe shkallën më të lartë të përgjegjësisë dhe transparencës, në raport me prodhuesit e ushqimeve në mbarë vendin.

Ngritja e këtij autoriteti është një hap shumë i rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian. Procesi i integrimit është proces standardesh para së gjithash. Një proces standardesh që kanë një dinamizëm, nuk mbeten kurrë të ngrira, por ecin në konsolidim e sipër dhe në përmirësim e sipër. Jam shumë i gëzuar që ne inaugurojmë sot Autoritetin Kombëtar të Ushqimit vetëm pas 3-4 ditësh që Komisioni Evropian, ktheu përgjigjet apo shtroi pyetjet dhe sqarimet për Pyetësorin. Kam mbetur jashtëzakonisht i impresionuar nga shpejtësia me të cilin reagoi komisioni, i cili ka një tërësi punësh të pamata. Kjo do të thotë që ne të interesuarit për të ecur sa më shpejt drejt këtij procesi duhet të bëjmë çdo gjë për ndërtimin dhe konsolidimin sa më solid të standardeve të cilat na afrojnë me Bashkimin Evropian. Edhe një herë unë ju uroj suksese dhe ju garantoj se qeveria do të mbështesë fuqishëm të gjithë veprimtarinë tuaj në mënyrë që të përmbushni me dinjitet, kompetencë dhe transparencë, misionin tuaj të madh.

Faleminderit!


20/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›