E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e punimeve për rikonstruksionin e sistemit të furnizimit me ujë Berat-Kuçovë

Investimi prej rreth 800 milionë lekë, kryesisht të qeverisë gjermane dhe bankës KFW, por edhe të qeverisë shqiptare, do të garantojë furnizimin me 24 orë ujë të Beratit dhe Kuçovës.

Këto 5 vite, investimet në qarkun e Beratit janë dhjetëfishuar, krahasuar me 5 vite më parë. Subvencionet për fermerët e Beratit janë rritur mbi 18 herë.

Dua të garantoj qeveritarët tuaj vendorë se në partneritet të plotë, ne do të investojmë dhe do të bëjmë çdo gjë për të ndryshuar për mirë jetën e qytetarëve të qarkut të Beratit.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e sistemit të furnizimit me ujë Berat-Kuçovë. Punimet për rrjetin e ri startuan në Uznovë të Beratit, me pjesëmarrjen edhe të ministrit të Financave Ridvan Bode, ministrit të Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi, ambasadori gjerman në Shqipëri Bernd Borchardt, përfaqësuesja e bankës gjermane KFW Ute Rodrian, kryetarët e bashkisë së Beratit Fadil Nasufi dhe Kuçovës Artur Kurti.

Investimi, me vlerë 800 milion lekë, është një bashkëfinancim i qeverisë gjermane, nëpërmjet bankës KFW dhe qeverisë shqiptare. Projekti parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe në përfundim të tij do të sigurohet furnizimi me 24 orë ujë për rreth 120 mijë banorë të Beratit e Kuçovës.

Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij, shprehu mirënjohjen ndaj qeverisë gjermane dhe KFW për realizimin e këtij projekti, duke shprehur njëherësh mirënjohjen për të gjithë ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria gjermane ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, ndihmë që shkon në rreth 1 miliard euro dhe e konkretizuar me qindra projekte, nga veriu, në jug të vendit.

Kryeministri Berisha tha se qeveria, në partneritet të plotë me pushtetin vendor, do të bëjë të gjitha investimet, për të ndryshuar për mirë jetën e qytetarëve të këtij qarku. Në këto 5 vite, tha Kryeministri, investimet në qarkun e Beratit janë dhjetëfishuar, ku janë investuar në ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore. Berati, tha më tej Kryeministri, ka një nga trashëgimitë kulturore më mahnitëse, të zhvilluar dhe konservuar në shekuj dhe mijëvjeçarë nga qytetarët e tij. Ndaj edhe përgjegjësitë për ju dhe për qeverinë bëhen shumë herë më të mëdha.

Kryeministri theksoi se, në bashkëpunim me autoritetet vendore, të vendosen normat më të mira të menaxhimit të burimeve ujore të këtij qarku.

Ndërsa duke ripohuar se Boshti i Jugut mbetet projekti më madhor i këtij mandati, Kryeministri siguroi se financimet për këtë projekt janë të garantuara. Sikundër Kryeministri premtoi se, ndonëse subvencionet për fermerët e qarkut të Beratit janë rritur 18 herë, sërish ato do të rriten dhe qeveria do t’i mbështesë ata për t’u mundësuar nxjerrjen e prodhimeve të tyre jo vetëm tregun shqiptar, por edhe në tregun europian.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes juve përzemërsisht, të përshëndes të gjithë qytetarët e Beratit dhe të Kuçovës, të ndaj me ta gëzimin e madh të fillimit të këtij projekti, të një rëndësie jetike për Beratin, Kuçovën, komunat dhe qytetarët e tyre.

Sot, ne nisim këtu fillimin e punimeve të një investimi prej rreth 800 milionë lekë, kryesisht të qeverisë gjermane dhe bankës KFW, por edhe të qeverisë shqiptare, me të cilin ne synojmë të garantojmë furnizimin me 24 orë ujë të Beratit dhe Kuçovës, lidhjen e Kuçovës me ujësjellësin e Bogovës dhe të komunave përreth, pra, me këtë projekt, rreth 120 mijë banorë do të furnizohen me ujë të cilësisë më të lartë 24 orë.

Unë shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen më të thellë të qeverisë dhe tuajin për qeverinë gjermane, taksapaguesit gjermanë dhe KFW, për ndihmën jashtëzakonisht bujare që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, ndihmë, e cila arrin në vlerën rreth 1 miliard euro dhe që është konkretizuar me qindra e qindra projekte, nga veriu, nga Alpet, deri në jugun e vendit. Këto projekte janë të drejtuara nga nevojat më jetike të qytetarëve shqiptarë, siç janë furnizimi me ujë, furnizimi me energji elektrike, por ato nuk kanë anashkaluar dhe të gjithë sektorët e tjerë, arsimin, infrastrukturën tjetër dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat. Një falënderim të veçantë dua t’i bëj kancelares Angela Merkel, e cila, pas takimit që zhvilluam në Berlin, vendosi në vlerësim të reformave dhe suksesit të tyre në Shqipëri, të dyfishojë mbështetjen financiare dhe ekonomike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë theksoj edhe një herë se ky është një premtim i mbajtur dhe i domosdoshëm, por, nga ana tjetër, zotohem para jush se qeveria do të bëjë të gjitha investimet për Beratin, Kuçovën dhe komunat e këtij qarku, në mënyrë që çdo ditë e më shumë, çdo muaj e më shumë të marrin pamjen e komunave dhe qyteteve europiane.

Por, gjithashtu, kam kënaqësinë të shpreh dhe deklaroj këtu se këto 5 vite, investimet në qarkun e Beratit janë dhjetëfishuar, krahasuar me 5 vite më parë. Janë investuar në ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore. Janë ndërtuar rreth 38 rrugë në mbarë qarkun, 11 ujësjellës dhe sisteme të kanalizimeve në fshatrat dhe zonat e tij, 25 shkolla, 18 qendra shëndetësore, u ndërtua hyrja e Beratit, një nga hyrjet më moderne, ura e Goricës dhe një seri veprash të tjera të rëndësishme. Unë dua t’ju garantoj se Boshti i Jugut mbetet projekti më madhor i këtij mandati. Projekti ka përfunduar tërësisht, është në vlerësim dhe financimet për këtë projekt janë të garantuara.

Zonja dhe zotërinj,

Berati ka një nga trashëgimitë kulturore më mahnitëse, të zhvilluar dhe konservuar në shekuj dhe mijëvjeçarë nga qytetarët e tij. Unë kam bindjen më të thellë se çdo turist që shkel në këtë vend, për cilindo qëllim apo destinacion, nuk do të donte kurrë të largohej nga Shqipëria, pa vizituar një nga qytetet e trashëgimisë kulturore botërore më të bukura, siç është Berati. Në këtë drejtim, zoti kryetar i bashkisë, zotërinj qeveritarë vendorë, përgjegjësitë për ju dhe për mua, për qeverinë bëhen shumë herë më të mëdha. Ju garantoj se qeveria do të bëjë në këtë qytet të gjitha investimet, do të rindërtojë të gjitha rrugët që të sjellin në Berat si nga Tirana, ashtu edhe nga jugu i vendit. Ne do të bëjmë çdo gjë për ujë 24 orë, për të gjitha mjediset e nevojshme, sikundër gjithçka tjetër është në dorën tuaj. Unë kam bindjen më të thellë se ju do të jeni në lartësinë e vlerave të mëdha qytetare, që ky qytet i mrekullueshëm ka.

Dua gjithashtu, të përshëndes fermerët e mrekullueshëm të këtij qarku, të cilët qëndrojnë në krye të përpjekjeve për modernizimin e fermave, rritjen e prodhimeve të cilësisë më të lartë. Këtu, në Berat, projekti i ullirit ecën më mirë, më shpejt, më pandalshëm, se në çdo qark tjetër të vendit. Subvencionet për fermerët e Beratit janë rritur mbi 18 herë. Ju garantoj se ne do t’i rrisim ato gjithnjë e më shumë dhe do të bëjmë që prodhimet tuaja të mrekullueshme të marrin vlerësimin dhe famën që meritojnë jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në tregjet europiane.

Qytetare dhe qytetarë të Beratit,

Ndërtimi i një ujësjellësi të ri për Kuçovën, modernizimi i ujësjellësit për Uznovën, realizimi i projektit ambicioz 24 orë ujë, përbën një domosdoshmëri, por, nga ana tjetër, së bashku duhet të bëjmë çdo gjë për një miradministrim, sepse siç e shihni, kemi 20 vite që ecim në një sistem të ri, por uji ka mbetur sërish në socializëm. Ndaj le të vendosim normat më të mira të menaxhimit, në mënyrë që ky vend, i bekuar për ujërat e shumta e të mrekullueshme që ka, të mund t’i gëzojë të gjithë qytetarët e tij. Nga Bogova kemi një prurje 3 ose 4 herë më të madhe, sesa numri i popullatës në këtë pellg. Unë ju jap fjalën të gjithë banorëve të Myzeqesë, të Lushnjës dhe Fierit, se ujërat e Tomorit, gjatë viteve që vijnë, do të shkojnë në të gjitha familjet e Myzeqesë. Burimet e Tomorit janë nga burimet më të mëdha të vendit. Në projektet e furnizimit me ujë të vendit, këto burime i janë rezervuar tërësisht pellgut të Myzeqesë dhe Mallakastrës.

Edhe një herë ju përshëndes dhe dua të garantoj qeveritarët tuaj vendorë se në partneritet të plotë, ne do të investojmë dhe do të bëjmë çdo gjë për të ndryshuar për mirë jetën e qytetarëve të Beratit, Kuçovës dhe qarkut të Beratit në tërësi, si dhe të mbarë Shqipërisë. Faleminderit.”


16/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›