E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron këngëtarin lirik Kastriot Tusha me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.

16 korrik 2010
Durrës

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi tenorin e mirënjohur Kastriot Tusha me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në kulturën e artin shqiptar, nëpërmjet interpretimit me mjeshtëri si këngëtar lirik në muzikën klasike e në artin muzikor popullor dhe për veprimtari të veçantë në përgatitjen e artistëve të rinj.”

Me këtë rast, në ambientet e Amfiteatrit të qytetit të Durrësit u zhvillua sot në mbrëmje ceremonia e dekorimit, në të cilën ishin të pranishëm Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zonja Suzana Turku, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, zoti Vangjush Dako, deputetë, autoritete shqiptare nga Mali i Zi dhe personalitete të tjera, artistë, kompozitorë, këngëtarë, etj.

Në fillim të ceremonisë së dekorimit, Presidenti Topi, duke vlerësuar punën dhe cilësitë artistike të tenorit të mirënjohur, u shpreh: “ Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Është vërtetë një emocion i veçantë të jesh këtu në këtë monument të papërsëritshëm, në Amfiteatrin e Durrësit, i cili dëshmon edhe sot që është monumenti më i rëndësishëm jo vetëm i këtij qyteti, por i gjithë Shqipërisë. Amfiteatri i Durrësit dëshmon gjithashtu se ky qytet ka jo vetëm një histori të lashtë, por ky qytet ka ditur të mbajë gjallë bashkë me monumentet e veta, edhe jetën artistike të tij dhe sot kjo është një kënaqësi e veçantë, sepse ky koncert recital i zotit Kastriot Tusha na bën që të ndihemi shumë më afër me historinë, por besoj se u jep një kënaqësi të jashtëzakonshme të gjithë atyre që ndihen qytetarë të Durrësit dhe atyre që e popullojnë këtë qytet të bukur gjatë sezonit veror duke i dhënë një gjallëri të jashtëzakonshme.

Unë, sikurse edhe ju besoj, e keni ndjerë që në këtë vapë të jashtëzakonshme të ditës së sotme, këtu në këtë mjedis ndihemi më freskët. Me sa duket, intuita e atyre njerëzve në atë kohë ka ditur ta zgjedhë vendin, dhe ata që sot po e zhvillojnë Durrësin kanë ditur ta mbajnë dhe ta integrojnë në jetën artistike të këtij qyteti.

Unë në fakt dola këtu jo vetëm për ta përshëndetur këtë koncert, por edhe për një eveniment të veçantë që natyrisht bën pjesë në detyrimet e mia si Institucion. Dola këtu për të njoftuar që kam vlerësuar zotin Tusha me një titull, të cilin ai e meriton. E kam dekoruar me titullin ‘Mjeshtër i Madh.’ Është një nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare, një njeri, i cili gjatë karrierës së tij ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë që ka një diapazon të gjerë, një stil artistik, ndoshta duke qenë se ju sot keni marrë motiv nga Roma, siç i thonë italianët: një zë ‘incomfondibile’ – i papërzier, i padiskutuar me asnjë zë tjetër shqiptar. Unë dëshiroj të vlerësoj kontributin e zotit Tusha jo vetëm në nivel artistik, jo vetëm si një artist me diapazon të gjerë në muzikën klasike, në muzikën lirike, në muzikën popullore shqiptare, por edhe në atë të vendeve fqinje. Ka kënduar muzikën napoletane, sot kemi rastin të dëgjojmë këngët nga Roma, dhe ai na jep kënaqësi, por besoj se kënaqësia më e madhe është që ai sot e meriton, edhe para miqve të tij, edhe para publikut titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’. Dhe për këtë unë ju uroj zoti Tusha!”

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi Urdhrin e lartë zotit Kastriot Tusha, i cili, falenderoi plot emocion Presidentin Topi për mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal që iu bë.

Më pas në Amfiteatrin e qytetit të Durrësit, Presidenti i Republikës, së bashku me të pranishmit e ftuar dhe spektatorët e artdashësit e shumtë, ndoqën Koncertin recital “Një mbrëmje romane”, me pjesë të përzgjedhura klasike dhe bashkëkohore, të interpretuara me mjeshtëri nga tenori Tusha. Gjatë koncertit interpretuan edhe artistë të njohur të muzikës shqiptare, të shoqëruar nga Orkestra e Filarmonisë së Re të Akademisë së Arteve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›