Kryeministri Berisha merr pjese në prezantimin e aktivitetit të Kompanisë Bankers Petroleum në Shqipëri
Të enjten pasdite, Kryeministri Berisha mori pjesë në pritjen e organizuar nga Kompania Bankers Petroleum Albania Ltd, në mjediset e Hotel "Sheraton", me rastin e prezantimit publik të aktivitetit të saj në Shqipëri.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të komunitetit të biznesit, të organizatave ndërkombëtare, presidenti i kompanisë, zoti Richard Wadsworth, si dhe anëtarë të tjerë të bordit dhe drejtues nga Bankers Petrolium L.t.d në Kanada.
Në ceremoni ishte i pranishëm gjithashtu Gjenerali Wesley Clark, ish Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, në cilësinë e këshilltarit ekonomik të kompanisë.
Bankers Petroleum Albania Ltd operon në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, sipas një marrëveshje koncesionare, të përqëndruar në zhvillimin dhe prodhimin e naftës bruto. Kjo kompani operon në mënyrë aktive që prej korrikut 2004 dhe ka një përvojë të gjerë në zhvillimin e fushave naftëmbajtëse.
Në përshëndetjen e tij, presidenti i Bankers Petroleum Ltd, zoti Richard Wadsworth, u shpreh i kënaqur me rezultatet e deritanishme dhe mbështetjen e ofruar nga qeveria shqiptare. Ai shtoi se kompania do të vazhdojë të investojë në Shqipëri, duke kontribuar në përmirësimin e mirëqënies, nëpërmjet punësimit të punonjësve dhe kompanive lokale.
Kryeministri Berisha, në fillim të fjalës së tij, iu drejtua me një përshëndetje të veçantë gjeneralit Klark, i cili, - u shpreh Kryeministri, - do të mbetet në historinë e shqiptarëve, si një hero kombëtar për ta. Kryeministri theksoi se gjenerali Klark arriti me sukses të hapë shtigjet e një reforme, të një dimensioni të ri dhe të një reformimi të ri të Aleancës, duke i siguruar asaj vazhdimësinë, si aleanca më e shkëlqyer dhe më e fuqishme politike dhe ushtarake që koha ka njohur.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha përshëndeti përzemërisht të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e Bankers Petroleum Ltd, duke theksuar se kjo kompani me prezencën e saj prej 7 vitesh në Shqipëri, u ka faktuar shqiptarëve se Bankers është një histori suksesi.
Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar veprimtarinë e tyre dhe të të gjitha kompanive që do të investojnë në Shqipëri. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se po ndërmerren në vazhdimësi të gjitha masat për të thjeshtuar procedurat burokratike, duke krijuar kështu mjedisin më miqësor të mundshëm për biznesin.
Në fjalën e tij, Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:
"Së pari, dëshiroj t'u përshëndes, ju, zoti president i kompanisë, anëtarë të bordit, por një përshëndetje shumë të veçantë, dua ti drejtoj gjeneralit Weasly Clark, i cili është dhe do të mbetet në historinë e shqiptarëve, një hero i NATO-s, një hero kombëtar për ta. Gjenerali Klark udhëhoqi betejën ushtarake të Natos, nën komandën e Presidentit Klinton, betejën më të madhe të saj që nga themelimi deri në ditët e sotme, betejën në një dimension të ri të NATO-s, atë drejt lirive dhe të drejtave njerëzore që ishin liritë dhe të drejtat njerëzore të shqiptarëve. Me suksesin e kësaj beteje ju e bëtë NATO-n çlirimtare të shqiptarëve, por ju gjithashtu arritët me këtë sukses të hapnit shtigjet e një reforme të një dimensioni të ri dhe të një reformimi të ri të Aleancës, duke i siguruar asaj vazhdimësinë si aleanca më e shkëlqyer dhe më e fuqishme politike dhe ushtarake që koha ka njohur.
Dua ti përshëndes përzemërsisht miqtë tanë të Bankers Petroleuum, drejtuesit, shtabin inxhiniero-teknik, punëtorët e kësaj kompanie. Ata erdhën në Shqipëri në vitin 2000 dhe sot ju kanë faktuar shqiptarëve se Bankers është një histori suksesi Nuk mund të mohohet se suksesi i Banker bëhet shumë më i madh po te kemi parasysh se ata patën sukses pasi të tjerët dështuan, ndërkohë që me suksesin e tyre shënuan një kthesë të madhe në prodhimin e naftës në Shqipëri. Së bashku me "Albpetrolin" po ecin drejt dyfishimit të prodhimit të naftës krahasuar me dy vjet më parë. Me investimet e mëdha që kanë bërë, me teknologjinë që kanë sjellë, bëjnë me të vërtetë shumë premtuese prodhimin e naftës në Shqipëri. Në një bisedë me presidentin e kompanisë, u informova se sipas vlerësimit të tyre janë rreth 2 bilion fuçi naftë. Kjo për një vend si Shqipëria është një rezervë shumë e mirë, por Shqipëria ka fusha të tërë të pa eksploruara dhe unë kam shumë besim se Bankers dhe kompani të tjera të naftës do ti eksplorojnë ato me sukses. Suksesi i Bankers është gjithashtu dhe një apel për kompanitë e tjera, që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Eshtë fakt se, pas tyre, interesi për investime është gjithnjë në rritje, në të gjitha fushat në naftë, turizëm, miniera, hidrocentrale. Kompani të mëdha kanadaze tregojnë tani interes shumë të madh për mineralet e vendit. Ato kanë bërë muajt e fundit studime ndër më seriozet të tyre, me teknologjitë më të përparuara dhe së shpejti shpresoj që të fillojnë punën.
Unë edhe njëherë dua tu përshëndes përzemërsisht dhe siguroj se qeveria do të bëjë cdo përpjekje, për të lehtësuar veprimtarinë e tyre. Ne kemi patur një qëllim, Shqipëria vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Duke filluar nga 1 janari i vitit 2008, Shqipëria do të jetë në distancë, vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Ne po përpiqemi të thjeshtojmë të gjitha procedurat tona burokratike, për të krijuar mjedisin miqësor më të mundshëm për biznesin.
Edhe njëherë urimet më të përzemërta drejtuesve dhe punonjësve të kësaj kompanie."
Më pas, Kryeministri Berisha, Gjenerali Klark dhe Presidenti i kompanisë, iu përgjigjën interesimit të gazetarëve, përmes një konference për shtyp.
Pyetjes drejtuar gjeneralit Klark, lidhur me qëndrimin ndaj Shqipërisë, për përpjekjet e saj për anëtarësimin në NATO, në raport me vendet e Kartës së Adriatik 3, Gjenerali Klark iu përgjigj: "Unë besoj se Shqipëria është në rrugën e të bërit anëtar i NATO-s. Unë besoj se presidenti Bush, i cili do të vijë këtu në qershor, do ti bëjë kaq shumë përshtypje Shqipëria, po aq sa dhe unë dhe do ta inkurajojë këtë vend në anëtarësimin drejt NATO-s".
Ndërsa Kryeministri shtoi se vetëm 2-3 javë më parë Senati i Kombeve të Bashkuara votoi ligjin për rritjen e financimeve të anëtarësimit për Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe dy vende të tjera, për anëtarësim në NATO. Po kështu, në datën 10 qershor, këtu në Shqipëri do të takohen me Presidentin Bush edhe kryeministrat e dy vendeve të tjera. Pas pjesës bilaterale të vizitës, do të ketë edhe një takim tresh në kuadrin e Kartës së Adriatikut 3.
Pyetjes se a do të përdorë zoti Klark, autoritetin dhe miqësinë e tij, që kompania që përfaqëson të fitojë privatizimin e Armos, zoti Klark iu pergjigj:
"Jam këtu si mik i Shqipërisë dhe gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë këtu është që të nxisim zhvillimin ekonomik. I takon qeverisë që të marrë këtë vendim për atë që është më e mira për Shqipërinë. I përket kompanisë si Bankers Petrolium që të ofrojnë ekspertizën e tyre dhe i takon qeverisë së Shqipërisë që ta vlerësojë këtë gjë."
Ndërsa Kryeministri bëri këtë koment lidhur me pyetjen nëse prezenca e Kryeministrit do të thotë automatikisht se kompania që tenton të privatizojë, është fituese:
"Është shënuar një kthesë shumë e qartë në nxjerrjen e naftës. Lidhur me privatizimin e Armo-s qeveria do ta privatizojë Armo-n. Do të kontratojë një kompani konsulente ndërkombëtare për të përgatitur privatizimin. Do të fitojë oferta më e mirë. Uroj dhe shpresoj që ofertën më të mirë ta paraqesë Bankers. Tenderi do të jetë i hapur dhe transparent për të gjithë."