E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, zotin Hans Peter Annen. Zoti Annen e informoi Kryeministrin për prioritetet e presidencës gjermane të Ba

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, zotin Hans Peter Annen.

Zoti Annen e informoi Kryeministrin për prioritetet e presidencës gjermane të Bashkimit Europian, e cila do të kryesojë BE-në nga 1 janar 2007 deri në 30 qershor 2007. Presidenca gjermane e BE-së do të ketë si prioritete kryesore çështjet e reformimit të brendshëm të Bashkimit Europian, ku një vend të rëndësishëm zë debati mbi Kushtetutën e BE-së. Një tjetër prioritet do te jetë dhënia e një shtyse të re zhvillimit ekonomik, çështjeve që lidhen me politikat sociale dhe mbrojtjes së mjedisit, me vëmendje të vecantë për cështjet e energjisë, stabilitetit fiskal dhe financiar, adresimin e sfidave të lidhura me ndryshimet klimaterike, etj.

Prioritet tjetër do të jenë cështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe çështjet e sigurisë brenda Bashkimit Europian, tashmë të zgjeruar me dy vende të tjera, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Presidenca gjermane do t'i japë prioritet gjatë këtij gjashtëmujori edhe çështjeve që kanë të bëjnë me zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, përfshirë këtu vazhdimin e negociatave me Turqinë dhe Kroacinë, nënshkrimin nga vendet anëtare të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë. Gjithashtu, edhe çështja e Kosovës do të jetë në prioritetet gjermane.

Në takim, Kryeministri Berisha dhe Ambasadori gjerman Annen diskutuan edhe për çështjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Ambasadori gjerman vlerësoi përpjekjet e Kryeministrit për gjetjen e një zgjidhjeje konsensuale, përmes negociatave dhe u shpreh se Bashkimi Europian po pret me vëmendje të veçantë dhe shqetësim që situata e krijuar të zhbllokohet sa më shpejtë.

Kryeministri Berisha i shprehu Ambasadorit gjerman vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe siguroi se mbetet e hapur për bashkëpunim dhe dialog me të gjithë faktorët që ndihmojnë në arritjen e këtij objektivi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›