Kryeministri Berisha miting elektoral në Gramsh ,prezantoi kandidatët për deputetë të qarkut të Elbasanit
“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Gramshit.
Vëllezër dhe motra.
Zonja dhe zotërinj.
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen time të thellë për këtë miting madhështor, me të cilin ju hapni sot fushatën elektorale, me zotimin tim para jush se sëbashku me Irenën (Progni) dhe deputetët e tjerë të qarkut të Elbasanit do të bëjmë gjithçka, për ndryshimin për mirë të jetës suaj, do të bëjmë gjithçka për zhvillimin e Gramshit, zhvillimin e Elbasanit, zhvillimin e Shqipërisë.
Këto pak vite, ne u kemi dëshmuar banorëve të Gramshit dhe qytetarëve të këtij qyteti, përkushtimin tonë përpjekjen tonë, për ndërtimin këtu të një infrastrukture të cilën ju e meritoni plotësisht. Ne jemi të vendosur që katër vitet që vijnë të bëjmë gjithçka për zhvillimin tuaj, zhvillimin e Gramshit, zhvillimin e Elbasanit, zhvillimin e Shqipërisë. Shqipëria këto vite të krizës më të rëndë Europiane sipas Komisionit Europian është nga më të paktat vende që nuk pati rritje, por ulje të papunësisë. Megjithatë këtu në Gramsh në Elbasan dhe në Shqipëri ende ka mjaft qytetarë që vuajnë nga papunësia. Ndaj dhe jam këtu për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj dhe rroga më të mira. Ne kemi një plan konkret për punësimin e qytetarëve të Gramshit, komunave të tij dhe shqiptarëve. Plani ynë bazohet në vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës më moderne.
Ne kemi ndërtuar në Gramsh dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë në komuna, në qytete dhe kudo. Zotimi im solemn është se, katër vitet që vijnë nga Tomorrica, Sulova në të gjitha anët e këtij rrethi do të asfaltohet çdo rrugë, do të rindërtohet çdo shkollë, çdo kanalizimin, ujësjellësa dhe ne do tu japim juve infrastrukturën e lagjeve të qyteteve. Katër vitet që vijnë do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo shkollë, çdo ujësjellës dhe do të trefishohen financimet për fermerët e Gramshit. Katër vitet që vijnë, Gramshi shndërrohet në epiqendër të madhe punësimi pasi filluan punimet nga gjigandi i botës për ndërtimin e Hidrocentraleve Statkraf i Norvegjisë, për kaskadën e Devollit. Por përveç kaskadës së Devollit janë 14 hidrocentrale të tjera, gjashtë nga të cilat në lumin e Kukurit dhe lumenjtë e tjerë dhe burime ujore të Gramshit.
Vëllezër dhe motra
Ne e bazojmë punësimin në tërheqjen më të madhe të investimeve të huaja në Gramsh dhe në Shqipëri. Ne hoqëm taksën për çdo makineri dhe material importi që bizneseve të të gjitha llojeve ju duhet për prodhim. Kjo do të thotë që bizneset në Gramsh, bizneset në Shqipëri do të zgjerohen shumë më tepër, do të punësojnë shumë më tepër. Ne heqim detyrimet për tre vite, për çdo të ri të punësuar, kjo do të thotë lehtësim i madh për bizneset në punësimin e të rinjve. Ne do të bëjmë gjithçka, që malet e Kukurit, malet e Lenies, të njohin zhvillimin më të rëndësishme turistik në rajon. Të gjithë ata, të cilët do të investojnë në malet e Kukurit, në malet e Lenies do të kenë një regjim, 7 vite pa asnjë taksë.
Ne për fermerët e Gramshit dhe të Shqipërisë vendosëm të paguajmë me para në dorë akcizën e naftës të paguajmë me para në dorë TVSH e makinerive, plehrave, fidanëve, farërave dhe çdo gjë tjetër që ata përdorin për prodhimin bujqësor, blegtoral, bletët, peshkimin e gjithçka tjetër. Ne do të marrim statusin e vendit kandidat, do të firmosim marrëveshjen për hapjen e negociatave dhe kjo do të thotë qindra milion euro investime të reja, dhjetëra mijëra vende pune.
Qytetarë dhe qytetare të Gramshit.
Alternativa jonë nuk është bulevard, por alternativa jonë është e ndershme dhe serioze. Alternativa jonë bazohet në ndihmën tonë ndaj jush. Që ju me lirinë tuaj, që ju me lirinë ekonomike, me dyqanet tuaja, me bizneset tuaja, me fermat tuaja të rrisni çdo vit e më shumë mirëqenin tuaj. Alternativa jonë bazohet në garantimin e rrugës sonë të sigurtë drejt integrimit në Bashkimin Europian, si rruga në të ardhmen tonë më të mirë.
Vëllezër dhe motra.
Kjo është alternativa jonë. Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është, alternativa e bllokimit e mohimit e shpifjeve dhe trillimit. Do t’ju bëj thirrje qytetarëve të Gramshit, demokratë, socialistë, të pa parti. Cili ishte mesazhi që i dërgo Edi Rama nga ky shesh kompanisë gjigande, njëshit në botë për ndërtimin e hidrocentraleve, Statkrafit kur deklaroi se, Berisha po ju tregon përrallën e hidrocentrali?
Qytetarë dhe qytetare të Gramshit
Statkrafti është kompania më serioze e botës në ndërtimin e hidrocentraleve. Qesharak bëhet ai që e quan përrallë projektin e tij, vendimin e tij për të ndërtuar hidrocentralin e Devollit, për të investuar një miliard euro në rrethin tuaj, për të punësuar mijëra e mijëra qytetarë nga Gramshi.
Qytetarë dhe qytetare të Gramshit.
Demokratë, socialistë, e të pa parti.
Sa e vërtetë është ajo që deklaroi këtu shoku i autobusit, se në Gramsh nuk është ndërtuar asnjë kilometër rrugë?! Shoku i autobusit, pyete pak përfaqësuesin tënd sesa kilometra rrugë kishte në shtruara në qytetin e Gramshit gjashtë vjet më parë dhe sesa janë të shtruara sot. I bëj thirrje kryetarit të Kodovjatit ta ftojë autobusin mavi dhe të ecën në rrugën që ndërtuam. I bëj thirrje kryetarit të komunës Pishaj, ta ftojë autobusin mavi dhe të ecë në rrugën e re. Shoku i autobusit , të them para këtyre grave dhe burrave se gënjeshtra është vesi më i lig i burrit, se nuk mund të vish këtu dhe të thuash se qeveria nuk ka ndërtuar në Gramsh një kilometër rrugë. Qeveria ka ndërtuar dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë. Qeveria ka ndërtuar dhe rindërtuar shkolla në Gramsh në këtë bashki që qeveriset nga socialistët ka ndërtuar shkolla në Drizë, po financon në Poroçan, në Skënderbegas , në Bresnik dhe po ndërton kudo, pa dallime partiake.
Shoku i autobusit ju the këtu qytetarëve të Gramshit, se polici paguan taksa sa kryeministri. E turpshme kjo që thua, kryeministri paguan taksa aq herë më shumë sa herë më të madhe ka rrogën se çdo qytetar tjetër. Gënjeshtra është vesi më i lig i burrit se taksa e të dhjetave është taksa e Kuranit, është taksa e Biblës, është taksa më e ndershme. Taksa e të dhjetave nënkupton se ai që merr dhjetë paguan vetëm një dhe ai që merr njëqind paguan vetëm dhjetë dhe ai që merr njëmijë paguan njëqind, pra njëqind herë më shumë se ai që merr dhjetë.
Qytetarë dhe qytetare të Gramshit.
Katër vitet që vijnë do të jenë vendimtare për zhvillimin e Gramshit, Elbasanit dhe Shqipërisë. Ne me reformat që ju keni mbështetur, me heqjen e mëtejshme të taksave, ju garantoj se do të arrijmë objektivat tona, punësimi është objektivi më madhor i Partisë Demokratike.
Fermerë të Gramshit, shoku i autobusit ka shpallur se do të heqë TVSH për importin e miellit, grurit vezëve, qumështit, ushqime këto, të cilat çdo qeveri e mençur, çdo qeveri që do të ruajë fytyrën e vet popullore duhet të bëjë gjithçka ti prodhojë brenda vendit, sepse kjo është rruga e rritjes së mirëqenies së fermerëve.
Duke hequr taksat për këto mallra importi, në Gramsh dhe në Shqipëri nuk mund të mbjellë më kush grurë, sepse gruri i atyre vendeve i Ukrainës, Kanadasë, Argjentinës do të invadojnë Shqipërinë me çmime më të ulëta dhe tokat tuaja s’kanë pse mbillen më. Kjo do të ndodhe me qumështin, kjo do të ndodhë me miellin, me bukën me të gjitha. Cila është politika jonë? Mbrojtja juaj. Ne ju mbrojmë dhe do ju mbrojmë juve. Me të gjitha ligjet tona, por ne do të rrisim rrogat dhe pensionet dy herë më shumë se çmimet. Sikundër jam sot këtu për tu premtuar të gjithë punonjësve të administratës shqiptare, se pavarësisht nga rritja e përvitshme do të fillojë nga fundi i këtij viti rroga e 13-të për ta, nga Partia Demokratike. Kjo është politika që ne besojmë dhe me këtë politike ne ia kemi dalë që një mësues sot, të marrë 18 rroga në vit më shumë sesa merrte në vitin 2005. Një mjek të marrë 22 rroga më shumë sesa merrte ne vitin 2005. Një fermer të marrë 12 pensione më shumë sesa merrte në vitin 2005.
Edhe njëherë ju bej thirrje me 23 qershor të votoni për punësimin tuaj.
Të votoni për shndërrimin e burimeve ujore të Gramshit në energji të madhe për Gramshin, Shqipërinë, në punësim të madh për Gramshin dhe Shqipërinë.
Votoni për Integrimin e Gramshit, Elbasanit dhe Shqipërinë në Bashkimin Europiane.
Rrofshi ju.
Rroftë Gramshi.
Votoni numrin 44, votoni Partinë Demokratike.
Fitore, Fitore, Fitore!”
06/06/2013