E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në 22 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike: Ne jemi ndryshimi

-         -Shqipëria hyri në vitin ’90, si pothuaj në vitin zero të ekzistencës së saj, por ajo do të dilte nga ai vit i bekuar me mrekullinë e madhe, lindjen në dhjetorin e atij viti të pluralizmit të vërtetë shqiptar.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, mori pjesë sot në mbrëmje në ceremoninë festive të organizuar me rastin e 22 vjetorit të themelimit të partisë së parë opozitare në vend, Partisë Demokratike. Ky takim i kthyer tashmë në një traditë mblodhi në Pallatin e Kongreseve personalitete të Partisë Demokratike, si Kryetarja e Kuvendit njëherësh dhe Nënkryetare e PD zonja Jozefina Topalli, drejtues të tjerë të kësaj partie, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Parlamentit, përfaqësues të partive aleate të mazhorancës, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë si dhe të komuniteteve fetare, si dhe qindra simpatizantë të PD, të rinj e të reja, anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, si dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, Kryeministri solli në kujtesë rrugëtimin e partisë së parë opozitare nga dita e themelimit të saj deri në vitin e 100 të Shqipërisë së pavarur, duke evidentuar rolin dhe kontributin e kësaj force politike në zhvillimin dhe proceset integruese të vendit.

Kryeministri kujtoi me mirënjohje dhe respekt të thellë, ata që u bënë promotorët e këtij ndryshimi të rëndësishëm historik, të paharrueshmit studentët  e dhjetorit’90, intelektualët, si dhe mijëra qytetarë në mbarë vendin që përkrahën këtë lëvizje për ndryshim. “Sot pas 22 vitesh në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë bëhet gjithnjë e më e madhe vepra  e atyre që themeluan 22 vjet më parë pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike.” - u shpreh kryeministri.

Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në 22-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike:

Qytetarë dhe qytetare të mbarë shqipërisë,

Demokratë dhe demokrate shqiptare,

Të dashur aktivistë, veprimtarë, sipatizantë të Partisë Demokratike në këtë sallë,

Zonja Kryetare e parlamentit,

Zotërinj Ministra,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Gëzuar festën e pluralizmit, themelimit të PD të shqipërisë, partisë së parë opozitare në historinë e Shqipërisë!

Sot, ne qytetarët dhe qytetaret e Shqipërisë, demokratet dhe demokratët, por dhe anëtarët e të gjitha forcave politike, kremtojmë së bashku 22 vjetorin e themelimit, në vendin më monist të planetit, të pluralizmit politik, promotorit të zhvillimit të shoqërive të lira dhe njëherazi themelimin e partisë së parë opozitare të vërtetë në tërë historinë e vendit, Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Pluralizmi politik u themelua në një vend, në një shoqëri në të cilën ai dhe të gjithë format e tjera të pluralizmit ishin shuar, zhdukur nga diktatori më i egër, nga Hitleri i pasluftës, që Evropa njohu, nga Enver Hoxha.

Partia Demokratike e Shqipërisë u themelua si parti e idealit më fisnik të njeriut, idealit të lirisë në vendin e shtypjes më të egër, si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve, në vendin në të cilin ato ishin të ndaluara me Kushtetutë; si parti shpresave të pashuara të shqiptarëve, në vendin e qytetarëve me dëshpërimin më të thellë; si parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe integrimit të Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, nga vendi më i izoluar i globit, i shkëputur prej gjysëm shekulli nga trungu i qytetërimit të vet perëndimor.

Partia Demokratike u themelua si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve, çështjes shqiptare të kombit të ndarë në pesë shtete dhe kohë në të cilën pushtuesit kishin vendosur regjimin e aparteidit dhe spastrimit etnik në Kosovë dhe troje të tjera etnike shqiptare. Pas 28 Nëntorit të vitit 1912, themelimi i pluralizmit politik, rilindja e lirive dhe të drejtave tona të ndaluara për afro gjysëm shekulli, do të përbënte ngjarjen historike më të rëndësishme në jetën e qytetarëve shqiptarë, por dhe kombit në tërësi.

Shqipëria hyri në vitin ’90, si pothuaj në vitin zero të ekzistencës së saj, por ajo do të dilte nga ai vit i bekuar me mrekullinë e madhe, lindjen në dhjetorin e atij viti të pluralizmit të vërtetë shqiptar.

Nder për jetë studentëve liberatorë, burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të qytetit të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që themeluan në dhjetorin  e viti’90 pluralizmin politik shqiptar!

Në dhjetor të vitit ‘90, shqiptarët përjetuan një ringjallje të vërtetë të kurajës, guximit, shpresës, trimërisë, vendosmërisë  së tyre. Studentët dhe studentet e universitetit të Tiranës, me në krye Tribunin e Lirisë - Azem Hajdari, të mbështetur nga intelektualët dhe qytetarët e Tiranës befas do ngriheshin të pamposhtur me kurajë e vendosmëri të pashoqe, me një betejë që kronistët e kohës e krahasuan me betejën e Davidit kundër Golias, gjunjëzuan në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, diktaturën komuniste më të egër në Europë, themeluan pluralizmin politik, Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Azem, ti je gjallë!

Ndaj dhe ne sot festojmë së bashku jo thjesht ditën e themelimit të një partie, por festojmë së bashku ditëlindjen tonë të dytë, ditëlindjen e dinjitetit tonë, lirive tona, shpresave tona, të ardhmes sonë.

Zonja dhe zotërinj , vëllezër dhe motra,

Sot pas 22 vitesh në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë bëhet gjithnjë e më e madhe vepra  e atyre që themeluan 22 vjet më parë pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike. Por sot mbi të gjitha, shkëlqen më shumë se kurrë puna, mundi, djersa, vizioni, energjia, puna krijuese, gjenia krijuese qytetarit shqiptar, e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë që me guxim të madh që përmbysën më 22 mars të vitit 1992 diktaturën hoxhiste në Shqipëri, dhe në më shumë se dy dekada, shndërruan Shqipërinë në vendin e lirive dhe të drejtave të garantuara për qytetarët shqiptarë. Dhe jam sot këtu për tu zotuar solemnisht para jush se Partia Demokratike do të mbetet përjetë të jetëve parti e idealeve tuaja të lirisë, parti e lirive dhe të drejtave njerëzore. Liria mbetet neni i parë i kontratës sonë me qytetarët shqiptarë.

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Të dashur qytetarë shqiptarë,

Ne vijmë sot në themelimin e PD si forca politike më e fuqishme në Evropën ish komuniste që u themelua në vitin 90. Ne kremtojmë sot 22 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, si forca politike më e fuqishme e Shqipërisë, si forca politike lokomotivë e proceseve të zhvillimit.

Por, mbi të gjitha ne vijmë në këtë 22 vjetor si forca politike e besimit më të madh, më masiv të të rejave dhe të rinjve shqiptarë, atyre që themeluan Partinë Demokratike, arkitektëve të të gjitha fitoreve të saj.

Qytetarë dhe qytetare shqiptarë,

Për ne këto 22 vite kanë qenë vite përpjekjesh dhe sfidash të mëdha, vite gabimesh dhe suksesesh të mëdha, por mbi të gjithë historia jonë është historia e lirisë. Mirëpo për ne liria nuk është historia, për ne liria është kushtetuta e përjetshme e veprimit tonë. Ne vijmë sot si forca kryesore  e ndryshimit, e ndërtimit të së ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për ne liria është magjia e ndërtimit të së ardhmes sonë. Ndryshimi dhe e ardhmja janë magneti ynë që nuk na lëshon kurrë.

Të dashur të reja dhe të rinj, në këtë sallë, në Tiranë , në Shqipëri dhe kudo që jeni,

Ju e dini pse ne jemi forca e ndryshimit, ju e dini se ku qëndron sekreti ynë i përbashkët i ndryshimit. Ai qëndron në faktin se vepra, janë fjalët tona. Ne flasim me vepra, ne veprojmë me vepra, ne qëndrojmë me vepra. Kjo është motoja jonë. Ne flasim me vepra dhe fjalët i kemi vepra sepse ne ato ditë kur themeluam PD dhe më vonë kur erdhëm në pushtet ne gjetëm një vend të vithisur në honet  e historisë, një vend të tretin, më të varfër në planet, një vend nga i cili, njëlloj si në përshkrimet biblike, qytetarët e saj u vërsulën drejt detit për një jetë më të mirë.

Por sot pas 22 vitesh, falë mundit, djersës dhe përkushtimit të madh, sakrificave tuaja dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, në këtë vend të ardhurat janë rritur 35 herë, më shumë së në çdo vend tjetër të Evropës dhe të globit.  Ne ende nuk jemi një vend i zhvilluar, por ne kemi energji, kemi besimin, kemi entuziazmin, kemi vizionin për të bërë Shqipërinë vend i zhvilluar. Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë së zhvilluar.

Ne jemi ndryshimi sepse ne këto vite të krizës më të thellë, që Evropa dhe bota ka njohur në 90 vitet e fundit, me mundin, me djersëm me sakrificën, me përkushtimin, me reformat tona qëndruam si Davidi para Goliasit-krizë dhe sot ekonomia shqiptare ka rritje 4 herë më të madhe se ajo rajonale, sot Shqipëria është vendi i vetëm që ka dyfishuar rroga dhe pensione, që ka shumëfishuar investimet e huaj, eksportet dhe ecën e sigurtë drejt zenitit të zhvillimit.

Ne jemi ndryshimi sepse sot, të dashur të reja dhe të rinj të vendit tim, ne kemi nga nivelet më të larta në botë për ndjekjen e shkollave të mesme dhe të larta dhe unë kam besim tek mendja juaj, kam besim tek ëndrrat tuaja, tek gjenia juaj, sepse ju Shqipërinë e dijes do ta çoni në lartësitë më të mëdha, në zenitet më të larta të dijes dhe të zhvillimit.

Ne jemi ndryshimi. Olsi njoftoi këtu se biznesi i tij ishte një internet kafe. Biznesi i tij ishte 5 vjeçar. Ishte një histori e vërtetë suksesi. 5 vite ka dhe nisma jonë e “Shqipërisë dixhitale”. E nisëm me 4.8 % penetrim të internetit, një nga nivelet më të ulëta të planetit. Sot kemi kapur mesataren e evropiane dhe unë ju jap ju fjalën e nderit, të rinj e të reja, se ju  do të merrni internet me bandën më të gjerë, me çmimin më të ulët në të katër anët e Shqipërisë.

Shqipëria dixhitale është mosha juaj, imagjinata juaj, merita juaj.

Ne jemi ndryshimi, sepse vetëm 2 vitet e fundit vendin tonë të bukur e vizituan si turistë dhe vizitorë, mbi 8 milionë qytetarë nga mbarë bota, më shumë se të gjithë vizitorët në të gjitha kohërat. Ne jemi të vendosur që mandatin e ardhshëm ta nxjerrim Shqipërinë në krye të listës të destinacioneve turistike nga të gjitha kontinentet e botës.

Ne jemi ndryshimi sepse ne 22 vjet më parë ndamë historinë, ndamë epokat dhe Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit e bëmë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, bëmë që shqiptarët të lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Ne që shembëm murin e Berlinit, e që çame bunkerin e izolimit, ne që shembëm murin  e krimit dhe të korrupsionit, ne që shembëm murin e bashkisë, ne do të shembim murin e bllokimit. Vota e 23 qershorit është votë për Evropën, është votë për integrimin, është votë për të ardhmen.

Këto 22 vjet në çdo sukses tonin, në udhëtimin  e lirisë, në çdo arritje , në çdo vepër , në çdo gjë gjendet mundi dhe djersa, mbështetja dhe solidariteti i taksapaguesve të SHBA-ve dhe mbështetja e qeverisë amerikane, i taksapaguesve të vendeve mike të Evropës dhe të qeverive të tyre.

BE-së, Aleancës së Atlantikut të Veriut, miqve të Shqipërisë në mbarë botën, ne iu shprehim sot atyre mirënjohjen më të thellë, për bujarinë, solidaritetin, miqësinë që shqiptarët nuk e kanë njohur kurrë në historinë  tyre në këtë shkallë , më parë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë, rininë dhe flamurin e saj!

Zoti i bekoftë miqtë e Shqipërisë kudo në botë!

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë sot në trojet  e tyre etnike, emigracion, diasporë!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë kombi shqiptar!

Fitore!


11/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›