Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri të Republikës së Koresë në Shqipëri, rezident në Athinë, zotin Gil-sou Shin

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin për mbështetjen që Korea e Jugut i ka dhënë Shqipërisë dhe kombit shqiptar gjatë gjithë kësaj periudhe, si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Ambasadori Gil-sou Shin e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe i përcolli përshëndetjet dhe urimet më të mira të autoriteteve më të larta të vendit të tij. Ambasadori e falënderoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin shumë të mirë që është ndërtuar midisi dy vendeve gjatë kësaj periudhe, si dhe për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë vendit të tij për t’u zgjedhur anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në takim u rikonfirmua vullneti i të dy palëve për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin frytdhënës në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, në veçanti atë ekonomik, në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve dhe popujve.
Ambasadori Gil-sou Shin i bëri me dije Kryeministrit Berisha interesin gjithnjë e në rritje të investitorëve koreanë për të sjellë investimet e tyre në Shqipëri, si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e klimës shumë të mirë e të favorshme që qeveria ka krijuar për biznesin në vend.
Në takim u ra dakord që në periudhën në vijim, krahas intensifikimit të kontakteve politike të zhvillohen edhe disa forume të rëndësishme të biznesit në Tiranë, ç’ka do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme për investitorët koreanë për të ndërtuar në vendin tonë një histori suksesi për ta dhe për Shqipërinë.
Në fund të takimit ambasadori i shprehu Kryeministrit dëshirën e qeverisë dhe vendit të tij për të mirëpritur Kryeministrin Berisha në kohën më të afërt të përshtatshme për vizitë në Seul, ftesë të cilën Kryeministri Berisha e priti me shumë kënaqësi.
12/12/2012