Kryeministri Berisha në Fier: Ju ftoj të votoni alternativën që do t’i japë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha problemeve të këtij qyteti
- Në katër vitet që vijnë jemi të vendosur të investojmë në Fier 4 herë më shumë se deri më sot
Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në qytetin e Fierit, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për kryetar bashkie në këtë qytet, zotin Ilir Bele.
Kryeministri Berisha vlerësoi figurën e zotit Ilir Bele, duke u shprehur se me Ilir Belen dhe me kryetarët e tjerë të qeverive vendore të këtij rrethi, në katër vitet që vijnë qeveria do të ndërtojë infrastrukturën më moderne në çdo rrugë, në çdo rrugicë, në çdo fshat, në çdo komunë të Fierit. Qeveria është vendosur që në 4 vitet që vijnë të investojë 4 herë më shumë se deri më sot për rrugë të asfaltuara, shkolla moderne, kopshte për fëmijët, shërbime cilësore. Sikundër, fermerët e Fierit do të kenë mbështetje më të madhe. “I garantoj fermerët e Fierit se do të subvencionojmë 4-fishin e sipërfaqeve të subvencionuara deri më sot, se do të financojmë, kreditojmë përpunimin e prodhimeve të tyre bujqësore, do të financojmë ndërtimin e tregjeve më të mëdha”, tha Kryeministri.
Duke u ndalur në projektet e realizuara në katër vitet e kaluara, Kryeministri tha se në këtë rreth janë investuar mbi 400 milionë euro, janë ndërtuar rreth 260 km rrugë, ndërsa në rang qarku rreth 500 km rrugë, 27 ujësjellës, kurse në rang qarku rreth 52 ujësjellës, janë ndërtuar rreth 67 shkolla në rang qarku. Investimet kanë qenë shumë herë më të mëdha se sa në 8 vitet e qeverisjes socialiste
Kryeministri tha se alternativa e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” ka në qendër familjen, fëmijët, vizionin, përkushtimin, mirëqenien e qytetarit. Ai ftoi qytetarët të votojnë këtë alternativë që do t’i japë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha problemeve të këtij qyteti. “Ne garantojmë të vazhdojmë punën për të zgjidhur problemet tuaja, infrastrukturë, shkollim, shëndetësi, pensione, rroga, integrim”, tha Kryeministri
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetarë të Fierit,
vëllezër e motra,
zotërinj deputetë,
Zoti Kryetar i ardhshëm i bashkisë Fier Ilir Bele
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht ju, qytetarëve të Fierit dhe të gjithë banorëve të këtij rrethi dhe t’ju garantoj se jam sot këtu për të paraqitur tek ju Kryetarin e ardhshëm të bashkisë Fier dhe se me Ilir Belen dhe me kryetarët e tjerë të qeverive vendore të këtij rrethi, në katër vitet që vijnë do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne në çdo rrugë, në çdo rrugicë, në çdo fshat, në çdo komunë të Fierit dhe rrethit tuaj.
Në katër vitet që vijnë Fieri do të jetë një nga qendrat më të fuqishme industriale, turistike, bujqësore të Shqipërisë. Në katër vitet që vijnë ne jemi të vendosur të investojmë 4 herë më shumë se deri më sot, në mënyrë që ju, qytetarë të Fierit, kudo që jetoni, të jetoni në kushte infrastrukturore të njëjta me atë të qytetarëve evropian, të keni rrugë të asfaltuara, shkolla moderne, kopshte për fëmijët tuaj, shërbime cilësore. Sikundër, fermerët e Fierit do të kenë mbështetje më të madhe.
Në këto vite që shkuan, ne së bashku, në rrethin tuaj kemi investuar mbi 400 milionë euro, kemi ndërtuar në këtë rreth 260 km rrugë, ndërsa në rang qarku rreth 500 km rrugë. Kemi ndërtuar 27 ujësjellës, kurse në rang qarku rreth 52 ujësjellës, kemi ndërtuar rreth 67 shkolla në rang qarku. Pra, investimet tona kanë qenë shumë herë më të mëdha se sa në 8 vitet e qeverisjes socialiste. Në këto katër vite, ne kemi investuar në mbjelljen e mbi 1200 ha ullishte, dru frutore, sera. Në katër vitet që vijnë, në rrethin tuaj do të bëjmë gjithçka që fermerët të subvencionohen për 4 mijë ha ullishte, vreshta, sera. Investimet serioze janë bërë në furnizimin me ujë, ku siç përmenda janë investuar 27 ujësjellës në rang qarku.
Të dashur qytetarë të Fierit,
Alternativa jonë është alternativa e qytetarit sepse në filozofinë tonë i tërë programi ynë ndërtohet mbi vlerat njerëzore, mbi vlerat qytetare, ndërtohet mbi moralin qytetar, mbi moralin familjar, ndërtohet mbi interesat e qytetarit, mbi hallet e dertet e tij. Kjo për ne nuk ka qenë dhe nuk është një fushë me lule, nuk është “bulevard”, është një rrugë e mundimshme, djerse, mundi, sakrifice. Por është rrugë suksesi e sigurt, është një rrugë në të cilën ne së bashku, nga vendi më i humbur i Evropës dhe ndër më të humburit në botë, të jemi sot anëtarë të NATO-s, është një rrugë ku ne ia dolëm që, nga vendi me lëvizje të ndaluar, të lëvizim sot të lirë në mbarë Evropën, është rrugë në të cilën ne ia dolëm që, nga vendi me një infrastrukturë në 4/5 e saj absolutisht mesjetare, të ndërtojmë së bashku një nga infrastrukturat më moderne, jo vetëm në qytete, por në dhjetëra e qindra komuna e fshatra të vendit. Është një rrugë në të cilën ne ia dolëm që ekonominë e falimentuar shqiptare ta shndërrojmë në një ekonomi më entuziaste, më vibrante, më premtuese në rajon e në Evropë, në një ekonomi që kryeson rritjen ekonomike në Evropë, në një ekonomi që bëri të mundur në një hark kohor më pak se 6 vjet, asfaltimin, ndërtimin e rindërtimin e 7 mijë km rrugë, një ekonomi që në një hark kohor të shkurtër bëri të mundur ndërtimin e rindërtimin e 1200 shkollave, një ekonomi që bëri të mundur dyfishimin e pensioneve të ulëta në mbarë vendin, dyfishimin e rrogave të mësuesve, mjekëve e infermierëve dhe në tërësi të administratës, një ekonomi e cila bëri të mundur që vitin e kaluar të dyfishohen eksportet e prodhimeve bujqësor, eksportet në tërësi të rriten më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës, të rriten me 62 për qind.
Këto janë arritjet tona të përbashkëta, këto arritje kanë në themel mundin tonë, djersën tonë dhe reformat e drejta që ne kemi ndërmarrë dhe që ju i keni mbështetur për të ndryshuar Shqipërinë. Ndaj dhe ju ftoj që, në 8 maj të votoni këtë alternativë, e cila synon të zgjidhë problemet tuaja së pari. Vij në këtë qytet me një ndjenjë keqardhjeje të thellë, sepse jam i sigurt se janë me qindra e mijëra familje fierake që dalin nga pallati dhe ecin në rrugën tërë baltë të tyre. Ndërsa Kryeministri juaj shkon komunë më komunë dhe u premton fshatrave se do t’i bëjmë si lagjet qyteteve. Unë ju garantoj se këto rrugë nuk është se nuk janë bërë për shkak se këtyre nuk u janë dhënë fondet, pasi, të dashur qytetarë, ju duhet ta dini se qeveria ime ka gjashtëfishuar fondet për qeverisjet vendore. I kam gjetur keto fonde 7 miliardë lekë dhe ato janë 35 miliardë lekë. Të gjitha këto janë për rrugët e rrugicat tuaja, për shkollat, kopshtet, shërbimet tuaja, transportin tuaj, janë për ju.
Por çfarë bëjnë këta shokët e rrugës së vetmisë. Këta shokët e rrugës së vetmisë i kthejnë këto fonde në rroga. Ndaj dhe ju ftoj të votoni alternativën tuaj që do t’i japë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha problemeve të këtij qyteti.
Ju garantoj se brenda 3 viteve të mandatit të zotit Ilir Bele nuk do të ketë rrugë e rrugicë të pa asfaltuar në këtë qytet, ju garantoj se Fieri do të ketë jo një, por disa dalje në det, për të qenë një nga polet më të rëndësishme turistike në Shqipëri, ju garantoj se ujërat e lumit Gjanicë do të jenë ujëra në të cilat nuk do të mund të derdhet asgjë e ndotur nga i tërë sistemi i naftës dhe nga sisteme të tjera. I garantoj fermerët e Fierit se do të subvencionojmë 4-fishin e sipërfaqeve të subvencionuara deri më sot, se do të financojmë, kreditojmë përpunimin e prodhimeve të tyre bujqësore, do të financojmë ndërtimin e tregjeve më të mëdha.
Por nuk duhet të harrojmë se një nga arritjet më të mëdha të jetës tonë ka qenë dhe mbetet Shqipëria turistike. Ne ia dolëm me mundin, djersën, investimet tona, mikpritjen tonë, të bëhemi të famshëm në mbarë botën për turizmin, të përcaktohemi si destinacioni i parë turistik i botës, “Shqipëria e bukura e Dheut”. Por kjo është gjithashtu një mbështetje e jashtëzakonshme për fermerët e Fierit, fermerët shqiptarë, sepse tregu për prodhimet e tyre dyfishohet.
Kjo pra është alternative jonë, një alternativë që ka në qendër familjen , fëmijët, vizionin, përkushtimin , mirëqenien tij. Ka një alternativë tjetër, alternativa e vetmisë apo e rrugës së vetme. Unë dua t’u them këtyre shokëve se shqiptarët janë qytetarë të lirë dhe njeriu i lirë nuk pranon kurrë rrugën e vetme. “Rruga e vetme” për njeriun e lirë është vetëm mashtrimi, vetëm mashtrimi dhe vetëm mashtrimi. Në liri çdo njeri ka rrugën e tij, në liri çdo njeri ndërton rrugën dhe jetën e tij, mbi bazën e kapaciteteve, dëshirave, imagjinatës dhe projekteve të tij. Ne se bashku bashkohemi që të gjithë në interesat tona, në vizionin tonë, bashkohemi në përpjekjen më të madhe për integrimin në Evropë, si Fieri evropian, Shqipëria evropiane. .
Kreu i PS në këtë fushatë, çfarë po bën!. Vlonjatëve u thotë se nuk ka qenë Shpëtim Gjika kryetar bashkie por Berisha, këtu në Fier do t’ju thotë se nuk ka qenë Baftjar Zeqo Kryetar i Bashkisë suaj, që i ka lënë rrugicat siç kanë qenë 200 vjet më parë, por është Berisha. Edhe këta shokë e zotërinj flasin për një model, por cili është modeli i tyre, modeli i qindra kilometrave rrugë e rrugica të qyteteve tona të pa asfaltuara, modeli i taksave stratosferike? Cili është ky model, modeli i katërfishimit të shpenzimeve për personelin në kurriz të taksapaguesve?
Ndaj dhe ne le t’u bëjmë thirrje qytetarëve, pavarësisht bindjeve të bashkohemi në problematikën që kemi Ne garantojmë për të zgjidhur problemet tuaja, infrastrukturë, shkollim, shëndet, pensione, rroga, integrim.
Rrofshi ju, rroftë Fieri, rroftë Shqipëria”
13/04/2011