Kryeministri Berisha takon Zëvendës drejtorin e përgjithëshm të zgjerimit në BE, zotin Stefano Sannino
Kryeministri Berisha u takua sot me Zëvendësdrejtorin e Përgjithëshm të Zgjerimit në BE, zotin Stefano Sannino, i cili shoqërohej në këtë takim nga Ambasadori i BE-së në Tiranë zoti Ettore Sequi.
Kryeministri e falenderoi zotin Sannino për angazhimin e Komisionit Europian për të asistuar institucionet shqiptare në procesin e integrimit, nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të përbashëkta që synojnë miratimin me mbështetje sa më të gjerë të Panit të Veprimit për zbatimin e 12 prioriteteve të përcaktuara nga KE.
Kryeministri i siguroi bashkëbiseduesit se qeveria do të bëjë çdo gjë që është në dorën e saj për të garantuar suksesin e procesit të integrimit. Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht bashkëpunimin e Ministrisë së Integrimit me Komisionin për Integrimin të Kuvendit, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ky Komision luan në këtë proces. Kryeministri u shpreh se diskutimet mbi procesin e integrimit kanë rëndësi të madhe dhe se çdo palë ka shansin për të treguar gadishmërinë për të kontribuar në suksesin e këtij procesi.
Kryeministri e njohu zotin Sannino me një seri masash të marra në kuadër të përmirësimit cilësor të procesit zgjedhor të tilla si; miratimi i listave të zgjedhësve të pastruara nga duplikatat, personat më shumë se 100 vjeç dhe ata që kanë lënë shtetësinë, miratimin e ligjit për financimin e partive politike, urdhërin e fundit të kryeministrit për ndalimin e përdorimit të automjeteve shtetërore dhe aseteve publike në funksion të fushatës zgjedhore, etj..
Kryeministri Berisha dënoi incidentet e ndodhura gjatë fushatës, duke theksuar se nuk ekzistojnë shkaqe për tensionimin e fushatës. Ai theksoi se do të vazhdojë t'i kërkojë të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor që të shmangin dhe distancohen nga çdo akt dhune dhe tensionim i fushatës zgjedhore. Kryeministri riafirmoi qëndrimin se Partia Demokratike dhe kandidatët e saj do të bejnë një fushatë pozitive, të bazuar në vlera dhe të fokusuar tek qytetari dhe komunitetet vendore, pavarësisht se zoti Rama dhe Partia Socialiste e bazojnë fushatën e tyre në sulme ndaj mazhorancës dhe kandidatëve të saj dhe përpiqen t'i paraqesin zgjedhjet jo si zgjedhje administrative, por me karakter politik.
Zoti Sannino e falenderoi kryeministrin për gadishmërinë e tij dhe të kabinetit që ai drejton, për të vazhduar në mënyrë transparente dhe konstruktive diskutimet dhe bashkëpunimin me Komisionin. Zoti Sannino vlerësoi si mjaft pozitiv Seminarin e zhvilluar në Tiranë dhe u shpreh se ishte me rëndësi krijimi i një metodologjie pune për të ardhmen në funksion të përmbushjes të 12 prioriteteve. Ai vlerësoi gjithashtu ndërveprimin ndërinstitucional të Ministrisë së Integrimit Europian me Komisionin për Integrim të Kuvendit.
Zoiti Sannino theksoi rëndësinë e madhe që zgjedhjet vendore kanë për Shqipërinë, jo vetëm në planin e brendshëm, por dhe në atë të integrimit. Ai theksoi rëndësinë që kanë konluzionet e raportit të ODIHR-it që do të bëhen në fund të vitit dhe se do të vlerësohet kontributi i secilit aktor në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Zoti Sannino, pasi mbështeti miratimin sa më të shpejtë të Planit të Veprimit, theksoi nevojën për arritjen e një metodologjie për trajtimin e përbashkët të problematikave që shtrojnë 12 prioritetet dhe rëndësinë për të ruajtur vëmendjen dhe ritmin e punës në procesin e integrimit europian edhe pas zgjedhjeve.
14/04/2011