E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në takimin e sotëm me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike diskutoi në lidhje me situatën zgjedhore në vend. Ai informoi grupin se ditët e fundit ka patur disa takime

Kryeministri Berisha në takimin e sotëm me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike diskutoi në lidhje me situatën zgjedhore në vend. Ai informoi grupin se ditët e fundit ka patur disa takime me misionin e ODHIR-it, gjatë të cilave, ndër të tjera, është diskutuar në lidhje me shqetësimet e opozitës për procesin zgjedhor.

Kryeministri informoi deputetët e PD-së se në lidhje me problemin e certifikatave ai i ka parashtruar opozitës 3 masa, për të rritur sigurinë e përdorimit të çertifikatave, (1) moslejimin e votimit nga asnjë qytetar në rast se paraqet çertifikatë, e cila nuk është lëshuar dhe nuk përmban kodin e zyrës së gjendjes civile të zonës në të cilin ndodhet qendra e votimit, (2) shoqërimin e çertifikatës më një dokument të dytë identifikimi, sipas listës së dokumentave të përdorur edhe në zgjedhjet e vitit 2005, si dhe (3)sanksionimin me ligj të dënimit me burgim për 3 vjet për çdo qytetar që paraqitet në votim me certifikatë të fallsifikaur. Këto masa, u shpreh Kryeministri, janë shumë më të avancuara se ato që u përdorën në zgjedhjet e vitit 2005, kur ishin shpërndarë me mijëra certifikata ne kundershtim me ligjin, pa kodin perkates te zyrave te gjendjes civile, me mangësi dhe probleme sigurie.

Pavarësisht nga këto propozime, Kryeministri u shpreh se i ka kërkuar Misionit të ODHIR-t të shqyrtojë situatën e çertifikatave dhe, nëse Misioni gjen probleme, ai është i gatshëm të pranojë çdo sygjerim që vjen prej tyre për të përmirësuar sigurinë e votimit me certifikatë.

Për sa i përket listave, Kryeministri Berisha theksoi se listat e këtyre zgjedhjeve do të jenë listat më të mira që Shqipëria ka patur ndonjëherë. Listat, shpjegoi Kryeminsitri, bazohen në listat elektronike të vitit 2005, të cilat janë konsideruar të vlefshme nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Në këto lista duhet të shtohen rreth 110 mijë zgjedhës që kanë qënë në regjistrin e përkohshëm, 60 mijë të tjerë që kanë ardhur në moshën e votimit, 25 mijë që kanë transferuar gjendjen civile dhe të hiqen prej tyre rreth 45 mijë persona që kanë ndërruar jetë. Në total duhen të ndryshohen rreth 250 mijë emra, të cilët të shpërndarë në 410 zyra gjendjesh civile të vendit, u takojnë mesatarisht 600 emra për një zyrë. Listat, sipas ligjit shqiptar, hartohen nga zyrat e qeverisjes vendore, 90 përqind e të cilave në Tiranë dhe dy të tretat në të gjithë vendin drejtohen nga të zgjedhurit lokalë të Partisë Socialiste, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha informoi se ai ka ftuar Misionin e ODHIR-it të vëzhgojë dhe kontrollojë tërësisht procesin e përgatitjes së listave. Kryeministri u shpreh se qeveria është e gatshme që pas shpalljes së listave të paguajë orë suplementare për gjykatësit të vendosur pranë çdo zyre gjendje civile për të regjistruar me orare të zgjatura qytetarët që mund të ketë mbetur jashtë listave deri në ditën e votimit.

Përsa përsa i përket datës së zgjedhjeve, Kryeministri Berisha theksoi se kjo çështje nuk mund të negociohet nga qeveria. Kryetari i Partisë Socialiste, u shpreh Kryeministri, ka kërkuar që 6 muaj më parë shtyrjen e zgjedhjeve, duke paralajmëruar me dhjetra herë bojkot dhe bllokim të listave të votuesve nëse zgjedhjet nuk shtyheshin. Data e zgjedhjeve caktohet nga Presidenti i Republikës dhe jo nga qeveria, tha Kryeministri. Sipas kushtetutës së vendit, të zgjedhurit vendore kanë një mandat 3 vjeçar dhe nuk ekziston asnjë nga kushtet e parashikaura në Kushtetutë për zgjatjen e mandatit të tyre, përfundoi Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›