E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e përjavshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha informoi deputetët me përgatitjet për zgjedhjet. Në fjalën e tij, Kryeministri bëri këto koment

Në mbledhjen e përjavshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha informoi deputetët me përgatitjet për zgjedhjet. Në fjalën e tij, Kryeministri bëri këto komente:

"Dëshiroj t'ju informoj se përgatitjet për zgjedhjet po ecin, po përfundojnë për të hyrë në fushatë. Janë përzgjedhur kandidatët në tërësi me një konsensus të gjerë. Nuk mund të mos ketë në 390 bashki dhe komuna të vendit edhe hatërmbetje, por në tërësinë e tij ky proces është shumë pozitiv.

Lidhur me opozitën, dëshiroj edhe një herë ta ftoj të rikonsiderojë qëndrimet e saj. Është shumë e dëmshme të marrësh një vendim të tillë, për shkak të interesave të një njeriu që u deklaroi shqiptarëve, gjashtë muaj më parë, se do të bojkotojë zgjedhjet, të një njeriu që sot flet për standarde, por bllokoi një vit rresht amendamentin për listat. Ai arriti deri në atë shkallë sa të përdorë punonjësit e gjendjes civile për qëllime partiake, duke harruar se se ata nuk i përkasin partive, i përkasin administratës shtetërore dhe janë nga punonjësit më të lartë të shtetit, më themelorët. E gjitha kjo sepse, ashtu siç do të më thoshte një qytetar nga Peza, ky kryetar, as në komunën tonë, nëse do të vinte, nuk do të fitonte dot.

Por, nëse fiton apo jo kjo është puna e tij, nuk është çështje e jona. Një gjë është e sigurt, që serial killer nuk do të mund të përdorë më për të grabitur në mesnatë kutitë e votimit, që trafikantët e drogës nuk do të mund t'i përdorë më si mburojë. Ne e garantojmë një garë të ndershme.

Ata kanë ngritur problemin e çertifikatave. Por qëndrimi ynë i fundit për këtë gjë ka qenë që asnjeri me çertifikatë që nuk mban kodin e zyrës së gjendjes civile në të cilën ndodhet qendra e votimit, të mos lejohet të votojë në atë qendër. Rikujtoj këtu qytetarët e Tiranës se, zoti Rama shpërndau mijëra e mijëra çertifikata pa asnjë kod, në zgjedhjet e 2005-ës, vetëm e vetëm për të bërë të mundur t'i manipulonte ato në qytetin e Tiranës.

Por, krahas kësaj, unë kam takuar edhe drejtuesit e ODIHR-it dhe u kam kërkuar atyre që ta shqyrtojnë çështjen e çertifikatave dhe, çdo propozim të tyre për çdo difekt apo problem të këtyre çertifikatave, ne jemi gati ta pranojmë.

Ky është qëndrimi ynë për çertifikatat. Natyrisht, kjo nuk vlen për zotin Rama, por kjo vlen për ata të cilët mund të kenë një ndrojtje apo një shqetësim legjitim për këtë çështje. Sepse zoti Rama nuk e ka tek hallin tek çertifikatat. Ai do Tiranën zonë të lirë, por ta harrojë se do ta ketë ndonjëherë. Tirana po pret me padurim të japë vërdiktin e saj.

Po kështu, për çështjen e listave, së pari është një listë elektronike e vitit 2005, e çertifikuar si valide, e vlefshme nga OSBE/ODIHR dhe e rekomuanduar si bazë për listat e zgjedhjeve vendore. Do të shtohen në këtë listë 120 mijë emra që u mbajtën nga rregjistri i përkohshëm, në rregjistrin e përhershëm, do të shtohen rreth 60 mijë votues të rinj që hyjnë në moshën e votimit, do të hiqen 45 mijë a më pak që janë ndarë nga jeta dhe rreth 20 mijë të cilët lëvizin gjendjen e tyre civile nga një qytet në tjetrin. Pra, operohet gjithsej me 250 mijë persona, të shpërndarë në 410 qendra, që do të thotë afërsisht 600 emra për një qendër.

Për këtë, ne propozojmë që, menjëherë sa të shpallen listat, të hapen me dhjetëra zyra gjyqtarësh afër zyrave të gjendjes civile, ku qytetarët që nuk kanë emrin, nga dita e shpalljes së listave, përfshi edhe ditën e votimit, të mund të marrin autorizimet e gjykatësit dhe të votojnë. Por, sërish mësohet se, zoti Rama thotë që le të bëhet ç'të bëhet me çertifikatat dhe listat, prapë unë nuk hyj në zgjedhje. Ai ka një qëllim të vetëm, thotë jam i humbur, por le të humbasë edhe vendi mundësinë e ftesës për integrim në NATO. Këtë gjë bëri zotëria me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. I ktheu deputetët, përfaqësuesit e popullit, në trumbetik joprofesionistë, në bilbilenj, duke besuar se marrëveshja nuk do të nënshkruhet. Por marrëveshja u nënshkrua. Zotëria e tij përpiqet të dëmtojë Shqipërinë, të dëmtojë integrimin, por më lejoni ta siguroj se do të dëmtojë thellësisht veten e tij dhe jo Shqipërinë. Shqipërisë nuk do të mund t'i ndryshojë drejtimin e integrimit, nuk do të mund të grabisë kuti votimi me serial killer, nuk do të mundë të bëjë fushatë me trafikantë droge, siç ka bërë edhe fushatën e shkuar.

Ndaj le të shpresojmë që opozita të studiojë me seriozitet propozimet tona. E siguroj atë se ne jemi të hapur të negociojmë çdo gjë në këtë drejtim. Natyrisht, ne nuk negociojmë datën e zgjedhjeve, të cilën e ka dekretuar Presidenti Moisiu, që aktualisht, çdo shqiptar e ka të qartë se sa i anshëm dhe i paanshëm është Presidenti. Ne nuk kemi dekretuar datë, ne i nënshktrohemi asaj. Por, ky njeri që nuk njeh marrëveshjen, është unik në llojin e tij, është unik në historinë e vendit, njeri që shkelmon mbi marrëveshjen e firmosur me 12 pika, nga të cilat vetëm 1 i interesonte qeverisë. Ky zotëri që nuk njeh ligje të vendit, që nuk njeh Kushtetutën, por që gjashtë muaj më parë kërkonte zgjatjen e afatit të mandatit të tij, në kundërshtim me Kushntetutën dhe pa mbështetje, duhet të ishte i pari që duhej të dorëzonte karrigen dhe nëse do të ishte i zoti, ta rifitonte atë me votë. Por mesa duket, ai e ka shumë të qartë që ato mekanizma me të cilat punoi në zgjedhjet e 2003 –shit, nuk janë më. Zoti Rama nuk ka asnjë interes tjetër përveç dëmtimit të procesit të zgjedhjeve. Nuk zbaton ligjet, nuk njeh ligjet dhe do t'u presë kafshatën e gojës edhe atyre punonjësve të gjendjes civile, të cilët janë për t'u admiruar sepse në tërësi po punojnë me përkushtim, sepse ata kanë sensin e ligjit. Nëqoftë se njeriu që përfaqëson klanin e ginës, ka humbur çdo sens ligji, punonjësit e gjendjes civile kanë sensin e ligjit dhe këta punonjës po zbatojnë detyrën.

Megjithatë, unë di të dalloj problemet komplekse dhe labirinthet në të cilat lëvrin shpirti i tij, me interesat e qytetarëve shqiptarë. Ndaj edhe ne kemi ofruar bashkepunim dhe, zoti Topi, bashkë me zotin Rusmali, kanë zhvilluar dje një takim me një pjesë të opozitës. Ne mbetemi të hapur, sepse nuk mund të konfondojmë opozitën, qyetarët, votuesit socialistë me një person që shkelmon mbi marrëveshjen, mbi ligjet, mbi Kushtetutën, mbi çdo gjë, vetëm për shkak të karriges së tij. Kjo është një zgjedhje e gabuar".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›