E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha nënshkruan dokumentin për angazhimin e qeverisë shqiptare në “Iniciativën COMMIT”, iniciativë e OKB për angazhimin e të gjitha qeverive ne botë në luftën kundër dhunës ndaj grave

Kryeministri Berisha firmosi sot dokumentin për angazhimin e qeverisë shqiptare në kuadrin e “Iniciativës COMMIT”, iniciativë kjo e Kombeve të Bashkuara që u bën thirrje qeverive kudo në botë të angazhohen për t'i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave.

Të pranishëm në këtë ceremoni, të zhvilluar në mjediset e Kryeministrisë, ishin zonja Zineb Touimi Benjelloun, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Zonja Semia Guermas De Tapia, përfaqësuese e Agjencisë së Kombeve te Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas - UN Women, organizatë e Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të qeverisë shqiptare, si dhe të ftuar të tjerë.

Qeveria shqiptare, përmes nënshkrimit të kësaj iniciative, ndërmerr disa angazhime konkrete në drejtim të luftës efikase kundër dhunës ndaj grave e vajzave, që konsistojnë kryesisht në:

·        Zbatimin e Kodit Penal, si dhe miratimin e ndryshimeve të tjera të nevojshme, shoqëruar me ndërgjegjësimin dhe trajnimin e aktorëve të sistemit të drejtësisë.

·        Përmirësimin e aksesit në drejtësi të grave në nevojë, të mbijetuara nga dhuna në familje, duke eliminuar tarifat gjyqësore dhe siguruar ndihmën ligjore falas.

·        Kryerjen e fushatave ndërgjegjësuese dhe edukuese për ta konsideruar dhunën ndaj grave e vajzave të pa pranueshme, si fenomen shoqëror, si dhe përfshirjen e më shumë burrave dhe djemve në luftën kundër dhunës ndaj grave.

Kryeministri Berisha përshëndeti këtë iniciativë të shkëlqyer të OKB-së në luftën kundër dhunës në familje, duke shprehur besimin e plotë se, kjo iniciativë, e ndërmarrë nga institucioni ndërkombëtar më i rëndësishëm i planetit, i ka të gjitha shanset dhe mundësitë të realizojë qëllimet e veta fisnike.

Duke firmosur këtë dokument, Kryeministri Berisha siguroi se "qeveria shqiptare  do të bëjë gjithçka për të parandaluar dhe për të ndëshkuar dhunën ndaj grave, do të bëjë gjithçka për të zvogëluar gjithnjë e më shumë murin shekullor të patriarkisë, si një dhunues kryesor sot në shoqëritë e lira, i lirive dhe të drejtave të njeriut".  

Nga ana e saj, zonja Zineb Touimi Benjelloun, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Tiranë përgëzoi qeverinë shqiptare për nënshkrimin e sotëm të deklaratës dhe për angazhimet e saj në këtë iniciativë, duke theksuar se Shqipëria renditet kështu në mesin e 20 qeverive të para që ndërmarrin një angazhim të tillë.

Në përshëndetjen e tij, pas këtij nënshkrimi, Kryeministri Berisha u shpreh: 

E nderuar zonja Zineb Touimi Benjelloun, shefe e UNDP-së dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri,

E nderuar zonja Semia Guermas De Tapia, përfaqësuese e Agjencisë së Kombeve te Bashkuara  për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas- UN Women,

Të nderuar miq e të ftuar!

Së pari, dua të përshëndes përzemërsisht Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zotin Ban Ki Moon, si dhe Nënsekretaren e Përgjithshme të OKB-së, njëkohësisht Drejtore Ekzekutive e UN Women, znj. Michele Bachelet, për iniciativën e tyre të shkëlqyer në luftën kundër dhunës në familje, iniciativë e cila, e ndërmarrë nga institucioni ndërkombëtar më i rëndësishëm i planetit, ka të gjitha shanset dhe mundësitë të realizojë qëllimet e veta fisnike.

Në të gjitha format e dhunës, dhuna në familje, dhuna kundër grave, përbën formën më të shëmtuar, përbën dhunimin më masiv të lirive dhe të drejtave të qytetarëve  sot. Lufta dhe përpjekjet për barazinë gjinore janë përcaktuese për një shoqëri të emancipuar. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për të zvogëluar gjithnjë e më shumë murin mijëravjeçar të patriarkisë, si një mur që ndan në mënyrë të pabarabartë qëndrimet ndaj burrit dhe gruas, nënës e motrës, vajzës e djalit. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për parandalimin e dhunës në familje dhe ndëshkimin e saj. Shqipëria ka firmosur një seri marrëveshjesh dhe konventash në këtë aspekt dhe ajo është e vendosur në zbatimin e tyre. Një seri ligjesh janë miratuar dhe të tjera janë në hartim e sipër, në mënyrë që t’i japin përgjigjen ligjore më të merituar dhunës ndaj gruas, abuzimit me lirinë në familje dhe dhunimit të gruas. Ato sjellin vendosjen e një kodi të ri etik në familje, i cili mbron gratë nga arbitrariteti dhe dhuna.

Në luftën dhe përpjekjet tona kundër dhunës ndaj grave, një rëndësi të jashtëzakonshme ka mundësimi i tyre për të ndjekur karrierën. Një dallim shumë thelbësor ekziston midis gruas që ndjek karrierën dhe asaj që jeton në orbitën e gruas shtëpiake. Varësia e kësaj të dytës, në krahasim me të parën, te bashkëshorti i saj, është shumë herë më e madhe. Shqipëria ka bërë progres thelbësor në këtë drejtim. Është një kënaqësi e veçantë që administrata shqiptare dominohet tërësisht nga gratë e vajzat. Është e një rëndësie të veçantë që në të gjithë sistemin arsimor janë vajzat ato që dominojnë me një përqindje të konsiderueshme mbi djemtë. Është e një rëndësie të veçantë që pozicionet në politikë të jenë gjithnjë e më të shumta për gratë dhe ne zotohemi për këtë.

Në përpjekjen tonë për barazinë gjinore, ne, në një kohë të shkurtër, ndoshta më të shkurtër se në çdo vend tjetër, kemi përgjysmuar diferencën që ekzistonte  në paga midis burrave dhe grave. Kjo diferencë ishte 36 për qind në vitin 2005, kjo diferencë është 17.7 për qind në vitin 2008 dhe presim të jetë ulur më shumë gjatë këtyre viteve. Në këtë diferencë, ne lëmë pas 10 vende anëtare të BE-së. Duke firmosur këtë dokument, ne zotohemi se do të bëjmë gjithçka për të parandaluar, për të ndëshkuar dhunën ndaj grave, do të bëjmë gjithçka për të zvogëluar gjithnjë e më shumë murin shekullor të patriarkisë, si një dhunues kryesor sot, në shoqëritë e lira, i lirive dhe të drejtave të njeriut”.  


15/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›