E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Kombëtar i Territorit miraton Planin Rregullues të Tiranës

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh sot Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) dhe miratoi Planin Rregullues të qytetit të Tiranës. Kryeministri Berisha u shpreh se drejtësia sociale dhe shanset e barabarta janë parimet më themelore në të cilat bazohet ky plan. “Ky plan i kthen qytetarit qytetin. Ky plan sot ka vendosur në epiqendër qytetarin e Tiranës, hapësirat e tij jetësore, mjediset e tij social-kulturore, rrugët e tij për këmbësorë, për çiklistë dhe synon, në tërësinë e tij, që mbitokën t’ia lërë qytetarit dhe nëntokën parkingut edhe trafikut. Plani i jep fund praktikës primitive të ndëshkimit të qytetarëve”, - tha Kryeministri.

Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se miratimi i këtij plani do të shoqërohet me ndryshime ligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave, në bazë të të cilave çdo kompetencë për territorin, e cila ka qenë më parë e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, do t’i kalojë direkt kryetarit të bashkisë dhe Këshillit Teknik që do të krijohet pranë bashkive për këtë qëllim.

Me konkretisht, KKT-ja mori në shqyrtim dhe miratoi Planin Rregullues të Tiranës:

Plani Rregullues i Tiranës parashikon krijimin e 13 poleve të zhvillimit, ku do të akomodohen funksione kyçe për zhvillimin e qytetit. Polet zhvillimore, të shtrira mbi gjithë qytetit, do të zhvendosin shërbimet më pranë qytetarëve duke stimuluar jo vetëm një cilësi më të mirë jete, por edhe katalizimin e tregut imobiliar në disa zona depresive. Gjithashtu, parashikohet bashkërendimi i pronave për interesa zhvillimi drejt njësive të mëdha urbane.

Zhvillimi i transportit publik të propozuar synon të zgjeroj më tej rrjetin e transportit publik në aspektet e zhvillimit të linjave të tramit, të transportit më autobusë, zhvillimit intermodal dhe hekurudhor. Më tej, plani parashikon: 1- Zhvillimi i një terminali të transportit intermodal, së bashku me rivendosjen e stacionit të trenit të Tiranës dhe 2 - Zhvillimin e linjave të tramit përveç sistemit të autobusëve.

Plani parashikon të këtë 11 parkime publike, të cilat do të sigurohen nga Bashkia Tiranë, në pjesën qendrore të qytetit.

Plani parashikon një sistem unazor të përbërë nga 5 unaza: 1. Ruajtja dhe zhvillimi i hapësirave të gjelbra brenda qytetit, ruajtja e burimeve natyrore nga ndotja e degradimi, si dhe promovimi i vlerave mjedisore. Vizioni “Tirana e Gjelbër” ka udhëhequr Planin e Përgjithshëm Vendor që fazat e para të procesit të hartimit. Ky koncept i shprehur si domosdoshmëri për rritjen e cilësisë territoriale e jetësore në kryeqytet, reflekton standardet e larta mbi bazën e të cilave do të zhvillohet Tirana evropiane. Plani i Përgjithshëm Vendor propozon krijimin në qytet të 40 territoreve të reja të gjelbra dhe të 14 territoreve të reja sportive krahas atyre ekzistuese. Këto sipërfaqe parashikohet të krijohen kryesisht në zonat jashtë unazës së madhe të qytetit. Në Planet e Detajuara Vendore që do të hartohen në vijim, duhet të parashikohet vendosja e hapësirave të gjelbra të tipit B, në mënyrë të tillë që çdo banese të shërbehen nga të paktën një e tillë me distance maksimale 400 metra.

2. Zhvillimi rajonal i integruar i Tiranës, në kuadrin e Tiranës së madhe. Në këtë kuadër, bashkia Tiranë mori nismën për lidhjen e marrëveshjes ndër-vendore me autoritetet e njësive vendore kufitare me bashkinë e Tiranës. Marrëveshja e lidhur ndërmjet bashkisë Tiranë, bashkisë Kamzë, komunës Paskuqan, komunës Dajt, komunës Farkë, komunës Kashar dhe komunës Bërxull ka patur qëllim të përcaktojë një vijë apo kufi të interesit të  përbashkët. Ky akt siguroi veç të tjerave pjesëmarrjen në procesin e planifikimit edhe të komuniteteve që shtrihen në zonat ku planet shtrijnë veprimtarinë e tyre.  

Nuk ka asnjë zonë të ashtuquajtur muzeale të diskriminuar, siç ishte më parë njësia bashkiake nr.8, por i jepet e drejta e zhvillimit të pronës të gjithë atyre që kanë dëshirë ta zhvillojnë atë. Plani është bazuar në listën e miratuar të objekteve të ruajtura e miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe nuk ka zona të diskriminuara edhe të vetë-quajtura muzeale. Në zonat ku z.Rama kishte planifikuar ndërtime 2 katëshe dhe kishte vdekur pronat e qindra “tironasve” planifikohen ndërtime 6-9 kate.

Nuk do të ketë më asnjë ndërtim të paparashikuar në qytetin e Tiranës, por ka vetëm Plane të Detajuara vendore që do të bëhen në dakortësi me 2/3 e pronarëve, siç e kërkon ligji i ri i Planifikimit të Territorit, duke e bërë këtë planin më konsultativ që është hartuar ndonjëherë.

Plani, për here të parë, shoqërohet me plan infrastrukturash me investime publike në ujësjellës e kanalizime, në shkolla, çerdhe, etj., të cilat lejojnë urbanizimin e qytetit përpara se ndërtimi të bëhet fakt dhe për të evituar një komunë të dytë Parisi.

Ky plan urban, duke marr parasysh nevojat e zgjerimit të qytetit, planifikon 101 çerdhe të reja, 55 kopshte, 25 shkolla 9 vjeçare dhe 6 shkolla të mesme. Brenda qytetit parashikohen edhe 340 hektarë hapësira të gjelbra.

Fjala e Kryeministrit Berisha në nisje të mbledhjes së KKT:

“Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar të Territorit,

Zoti Kryetar i Bashkisë,

Të nderuar të pranishëm,

Të dashur qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që ndiqni në ekranet e televizioneve dhe valët e radiove këtë mbledhje të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) për një prej ngjarjeve më të rëndësishme të 20 viteve të fundit në historikun e zhvillimit të Shqipërisë, miratimin e Planit Rregullues të kryeqytetit të vendit, i cili pas planit fillestar shënon stadin tjetër madhor në zhvillimin e Tiranës së shekullit të XXI.

Kryeqyteti filloi ndërtimin dhe u ndërtua mbi bazën e një plani rregullues të shkëlqyer, ndër më të përsosurit dhe ato njëzet vite lanë një trashëgimi që me dinjitet u përcillet shekujve. Natyrisht, zbatimi i atij plani u ndërpre dhe dominoi stili më i shëmtuar në arkitekturë që kohërat njohur në tërë historinë e tyre. Qendra e qytetit u pushtua nga ndërtesa që mund të konsiderohen me të drejtë të vdekura sapo lindën. Vitet e fundit planin për të cilin kishte nevojë jetike kryeqyteti e bllokoi tërësisht babëzia. Si në asnjë qytet tjetër të Evropës, kryeqyteti i Shqipërisë ra pre e babëzisë. Kjo është e vërteta. Nuk ka pasur asnjë faktor tjetër që ka lanë kryeqytetin e Shqipërisë pa plan rregullues, përveç babëzisë. Ndaj dhe ish-kryetari i bashkisë do të regjistrohet në analet e historisë së kryeqyteti si kryetari i babëzisë.

Paraqitja e planit në një afat të shkurtër kohor është meritë e veçantë e ekipit të ri të bashkisë së Tiranës. Së pari, unë i përgëzoj ata për guximin e madh që treguan për të anuluar planin që trashëguan, plan i cili ishte i bazuar kryekëput në politikën e shpërblimit dhe ndëshkimit. Ndëshkoheshin në mënyrë shembullore zonat autoktone të Tiranës, të cilat prej shumë e shumë vitesh nuk votonin kryetarin dhe nuk votonin majtas. Shpërbleheshin të gjithë bajlozët e betonit për faktin e vetëm se ata mund ta peshonin kryetarin me miliona e miliona dollarë; mund ta peshonin kryetarin me kate dhe disa kate të ndërtimeve të tyre. Shpërbleheshin dhe korruptoheshin zyrtarë të lartë, përfshi kryetarin e shtetit që shiti karrigen për tre leje ndërtimi. Pra plani ishte shndërruar në një fatkeqësi të madhe për kryeqytetin. Dhe ekipi i ri pati guximin qytetar ta anulojë atë para se qytetarët të thirreshin në votime. Fakti që qytetarët e Tiranës rrëzuan me votën e tyre planin e ndëshkimit dhe shpërblimit, dëshmon drejtësinë e vendimit që mori ekipi i ri i bashkisë dhe, në një farë mënyre, me 8 maj u zhvillua edhe referendumi për Planin Rregullues të qytetit të Tiranës. E vërteta është që bashkë me planin ata nxorën nga pushteti edhe shefin e planit, i cili kishte parashikuar vazhdimin e betonizimit të kryeqytetit dhe, faktikisht, dora-dorës asgjësimin e tij për qytetarin.

Çfarë ka ky plan sot? Ky plan i kthen qytetarit qytetin. Ky plan sot ka vendosur në epiqendër qytetarin e Tiranës, hapësirat e tij jetësore, mjediset e tij social-kulturore, rrugët e tij për këmbësorë, për çiklistë dhe synon në tërësinë e tij që mbitokën t’ia lërë qytetarit dhe nëntokën parkingut edhe trafikut. Plani i jep fund praktikës primitive të ndëshkimit të qytetarëve. Mund të imagjinoni ju dy fqinjë, të cilët kishin shekuj që jetonin pranë njeri –tjetrit dhe për shkak të njollës së ndërtimit njëri gdhihej milioner, në mos më shumë, tjetrit i shtohej edhe hija e pallatit dhe mbetej në varfërinë e tij. Plani i jep fund kësaj situate. Ai ndan në pjesë të barabarta të gjithë të ardhurat që sigurohen nga ndërtimi për truallin dhe mjedisin përreth. Pra nuk do të ndodhë më që hija e pallatit të shndërrohet në hije mjerimi për ata që jetojnë përreth tij. Përkundrazi, do t’i begatojë edhe ata, njëlloj si pronarin e atyre metrave katrorë ku ndërtohet pallati.

Drejtësia sociale, shanset e barabarta janë parimet më themelore në të cilat bazohet ky plan. Pani është hartuar nga një grup i gjerë specialistësh të shkëlqyer të katedrave të urbanistikës, të institucioneve të fushës dhe shoqërisë civile. Mbi 80 ekspertë të shquar kanë dhënë kontributin e tyre. Në rast se vështroni hartat, Tirana është e lidhur me mushkëritë e saj. Parqet përreth janë bërë pjesë e pandarë e kryeqytetit. Sikundër, në çdo bllok ndërtimesh, në përputhje më ketë plan, do të ketë lulishtet, do të ketë gjelbërimin. Plani i jep fund njëherë e përgjithmonë  ndërtimit të pallatit të tipit ‘pallat në pajë’. Nuk do të mundet askush më t’u zërë fëmijëve të kryeqytetit, as për pallatin e tij apo të bashkëshortes së tij, lulishten ku ata duhet të luajnë. Jo, është kushtetuta e hekurt e kryeqytetit që nuk do të pranojë më kurrë ndërhyrje të tilla.

Zonja dhe zotërinj,

E theksova që në fillim se kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të 20 viteve të fundit në historinë e zhvillimit të vendit, sepse në historinë e zhvillimit lokomotivë e tij është gjithnjë kryeqyteti. Dhe ky plan është plani i kryeqytetit të këtij shekulli, plan që i jep kryeqytetit mundësinë të shpalosë të gjitha potencialet e tij të mëdha, të bëhet gjithnjë e më i fuqishëm, si lokomotivë e zhvillimit të vendit. Plani ka ruajtur elementë thelbësorë të planit të themelimit të kryeqytetit dhe ato kanë qenë të drejta. Ekipi i ri ka mishëruar në këtë plan të gjitha interesat e qytetarëve të kryeqyteti dhe të Shqipërisë, për transportin, për lëvizjen, për tramvajin dhe sistemin e tërë të lëvizjes e të mikpritjes. Kjo është një specifikë shumë e rëndësishme.

Plani, natyrisht, duhet të jetë pak më i përcaktuar për ndërtimin e institucioneve fetare, institucioneve të kultit, sepse duhet të pranojmë që Tirana u zhvillua për gjysmë shekulli jo duke u hapur ndaj tyre, por duke i rrënuar edhe ato që ishin. Këto 20 vite është bërë e mundur, jo plotësisht, të ndërtohen si zëvendësim vetëm ato që ishin në qendrën e Tiranës. Por ato që ishin në qendrën e Tiranës në atë kohë i shërbenin një Tirane që nuk kapte as unazën e saj, sepse nuk kishte ndërtime. Tani Tirana është 3-4 fishuar dhe është e domosdoshme që krahas mjediseve të tjera duhet të parashikohen në këtë plan edhe vendet e ndërtimit të kishave, xhamive dhe teqeve të tjera. Ato duhet të jenë jo vetëm qendrore, në qendër të qytetit, por duhet të jenë sa më afër vendbanimit të qytetarit. Kështu që shpresoj se do mund të shihet ky problem, në interesin më të mirë të zhvillimit të harmonishëm të qytetit dhe të përmbushjes së interesave shpirtërore të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve shqiptarë.

Studimi i bërë për vlerësimin mjedisor të planit është i shkëlqyer, është studimi më i hapur që është realizuar ndonjëherë në këtë vend. Këtu kam botimin e këtij studimi dhe kam kënaqësinë të them se në të kanë kontribut thelbësor specialistë të shquar të fushave të mjedisit, një grup profesorësh, doktorësh, asistentësh, si Lirim Selfo, Sulejman Sulçe dhe avokati i pamposhtur i mjedisit Prof. Ass Sazan Guri, etj. Përveç këtij grupi, ata që shfletojnë librin do të gjejnë këtu edhe emrat e ekspertëve më të shquar, ndër të cilët mendime edhe të disa socialistëve të thekur si Artan Lame, i cili pastaj thotë se nuk jam pyetur, i ka pasur këtu zoti Rama të gjithë, si edhe shumë të tjerë, përfaqësues të Partisë Socialiste për mendimin mjedisor. Dhe është shumë pozitive që ata kanë marrë pjesë në këtë diskutim, kanë shprehur mendimet e tyre dhe ky është një zhvillim i ri.

Zonja dhe zotërinj,

Duke përgëzuar edhe një herë ekipin e ri, dua t’ju informoj ju dhe qytetarët shqiptarë se miratimi i këtij plani do të shoqërohet me ndryshime ligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave në bazë të të cilave çdo kompetencë për territorin, e cila ka qenë më parë e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit do t’i kalojë direkt kryetarit të bashkisë dhe Këshillit Teknik që do të krijohet pranë bashkive për këtë qëllim. Nuk mund që të merret Këshilli Kombëtar i Territorit dhe kryetari i saj, Kryeministri i vendit, me probleme parcelore të zhvillimit të qytetit. Ajo ishte një praktike e trashëguar, e bazuar mbi planet pjesore, të cilat ishin hipoteza pune shkatërruese për urbanistikën e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera. Por, përveç çështjeve të pronësisë nuk mundet që Këshilli Bashkiak të merret me çështje katesh, metrash dhe lartësish. Kriteret ligjore të përcaktuara qartë do ta autorizojnë kryetarin e bashkisë dhe një Këshill Teknik për t’i zbatuar ato me rigorozitet. Ndaj dhe dora-dorës me zbardhjen e Këshillit do të përfshihet në rregullore të tëra ndryshimet e reja që do të bëhen brenda javës. Nuk mundet që qeveria qendrore të vendosë për kate apo pozicione në Vlorë, në Korçë apo në Tiranë. Kjo do të marrë fund sot dhe kjo mbledhje hap një kapitull të ri. Shkëputet nga një trashëgimi aspak e përshtatshme. Këto qëndrime i janë bërë të qarta paraprakisht kryetarit të bashkisë dhe ekipit të tij. Natyrisht, e kanë mirëpritur dhe jam i bindur që çdo kryetar bashkie dhe ekip do ta mirëpresë. Sikundër, jam i bindur se nuk mund të jenë probleme të këshillit bashkiak çështjet e kateve të pallateve. Çështjet e kateve të pallateve mund të jenë dhe duhet të jenë probleme të kryearkitektit të qytetit, të urbanistit të qytetit. Pra të atyre personave përgjegjës në bashki, përgjegjës para ligjit, të cilët duhet t’i binden ligjit të miratuar. Ky është edhe ndryshimi i dytë i madh që përveç planit ka dhe një filozofi të re në qëndrimin ndaj qytetit.

Faleminderit!

***

Pas fjalës së kryetarit të Bashkisë z. Lulëzim Basha dhe prezantimit të Planit Rregullues të Tiranës, Kryeministri Berisha u shpreh: Faleminderit për ekspozenë e shkëlqyer që bëtë. Ky plan vendos në epiqendër qytetarin, jetën, shëndetin, shkollimin, punësimin, dëfrimin, e të gjithëve dhe plani, një plan shumë i vonuar, një plan që është i detyruar, jo vetëm të kapë kohën e humbur, por parashikon rikthimin e hapësirave jetike të gjelbra që iu rrënuan kryeqytetit, hapësira që i kishte, pra ato ekzistonin, ato ishin, por ato i shkatërroi betoni dhe babëzia  e lidhur me të.

Unë dua të përgëzoj edhe njëherë zotin Lufi dhe të gjithë ekipin e tij që kanë vendosur në epiqendër, përpjekjen e madhe për ringritjen e hapësirave të gjelbra, të rrënuara në mënyrë të pamëshirë në këtë qytet.

Shtrojmë si një imperativ emergjent dekoncentrimin e qytetit. Ju e shihni një kryeqytet i vendosur në 4600 ha tokë, çka duhet të frymëzojë apo të diktojë të gjitha masat e shpejta në mënyrë që kryeqyteti të ketë hapësirën që i duhet dhe që e ka plotësisht të mundshme për ta fituar. Është shumë inkurajuese ajo çka profesor Lufi paraqiti këtu, ambicien dhe parashikimin e këtij plani për t’iu afruar normave evropiane për gjelbërimin dhe që është absolutisht e mundshëm, por kjo kërkon që kjo kushtetutë që miratohet sot, të zbatohet me rigorozitetin më të madh, kërkon që shoqëria civile dhe jo vetëm ajo të monitorojë çdo hap të respektimit të kësaj kushtetute, në funksion të Tiranës ekologjike të kryeqytetit të shëndetshëm; kërkon të saktësohen sa më shpejt kufijtë e zonave të mbrojtura mjedisore, në mënyrë që askurrkush të mos prekë me tej në to; kërkon të saktësohen kufijtë e zonave të ndotura, në mënyrë që të fillojë shndërrimi i tyre i menjëhershëm në lulishte; kërkon që të zbatohen të gjitha sugjerimet e këtij studimi të rëndësishëm që përbën një kryevepër në këtë fushë si për nga kompetenca ashtu dhe nga konsulta. Janë zhvilluar konsulta me qytetarë, specialistë dhe nga plani dhe studimet rezulton se emergjecë qyteti ka gjelbërimin, por fati i mirë është se kjo emergjencë mund të zgjidhet, kështu nga 0.8 metër katrorë, mund të arrijë në 4,2 metër katrorë, mund të pesëfishohet dhe më shumë. Është e domosdoshme që në çdo plan vendor të detajuar të parashikohet lulishtja dhe ky të jetë një kusht i pandryshueshëm i çdo plani. Objektivi që profesor Lufi shpall këto 4,2 metër katror për banorë, pra është pesëfishi ekzistues për çdo banorë, është shumë ambicioz, por është i domosdoshëm se prapë jemi nën kuotë. Duhet ti japim qytetit të gjitha kushtet për të qenë një qytet i shëndetshëm dhe ekologjik dhe duhet ta përparësojmë këtë.

Duhet të theksoj dhe një moment te fundit, jemi shumë të vonuar, së pari plani nuk u bë për 10 vjet, por u përdor praktika ndëshko dhe shpërble. Së dyti, qytetarët e Tiranës presin me padurim se në këtë rast pjesa e ndëshkuar, tiranasit autokton, po të hidhni sytë në lagjen e tyre, u bënë zona të ndaluara ndërtimi dhe ata presin me padurim të shohin edhe ata zhvillimin, në përputhje me këtë plan të zonave të tyre. Ndaj dhe së pari, është emergjente hartimi i akteve ligjore dhe nënligjore, mbi bazën e të cilave Këshilli Kombëtar i Territorit nuk do të ketë më asnjë autoritet, mbi territorin e qyteteve të vendit. Së dyti, krijimin e këshillave teknike, le ti quajmë, të cilët me kryetarin  do të marrin vendimet përkatëse. Së treti, është e domosdoshme që planet e detajuara vendore të jenë të gatshme sa më shpejtë, në mënyrë që qyteti të rimarrë ndërtimet. Është zhvillimi, është punësimi, janë me mijëra familje që presin këtë. Është e domosdoshme që të hiqet rregulli me dakortësinë me dy të tretat, sepse i bie bllokim me 2/3-tat. Ju e shihni ai po bllokon tre ligjet për integrimin e vendit, çfarë  e ka ai për të bllokuar ndërtimet. Nuk mund të ketë bllokim sepse ne kemi vendosur parimin  e përfitimit të barabartë nga zhvillimi i territorit. Kjo mund të jetë kompetencë e atyre që kanë përgjegjësi ligjore për zhvillimin e qytetit dhe nuk mund të pengohet zhvillimi i qytetit. Heqim dorë nga format bllokuese sepse jemi unik në botë për të bllokuar. Nuk është vetëm  një që bllokon, nuk mund të ketë bllokime të tilla për interesa të qytetit, interesa të vendit. Parametër kryesor për efekt të planifikimit të planeve të detajuara vendore duhet të jetë intensiteti i ndërtimit. Ai është dëshmitari, ai është parametri se si vepron ti, sa i drejtë je ti, si i harmonizon ti interesat e qytetit, qytetarit dhe me radhë, pra sa metër katror mbi tokë mund të ndërtohet. Ky duhet të jetë parametri themelor.

Ka disa momente ligjore të cilat do të zgjidhen brenda javës. Ligji, ndryshimi ligjor do të shkojë me procedurë të shpejtuar në parlament, se nuk kanë kohë qytetarët të presin demokracinë, ndërkohë që ata janë të prirur që nesër të zhvillojnë pronat e tyre dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Sot, arrijmë në një plan të tillë, që në qoftë se për të parin kam patur qindra  e qindra ankesa, për të dytin gjithsej ka patur  2 ankesa dhe ato jo për ndonjë faktor tjetër se sa të lidhura me pakujdesira të ndryshme. Nuk ka patur ankesa sepse ky plan është bërë me transparencën më të madhe, sepse janë bërë diskutime në çdo lagje, në çdo bllok, sepse  e kanë parë qytetarët që ky plan i ka vendosur ata në epiqendër.

Edhe njëherë dua tu falënderoj ju për punën e shkëlqyer, por kemi dhe emergjencë, prandaj ekipet do të punojnë pa pushim, të tjerat për ndryshimin e rregulloreve dhe të ligjeve dhe ta bëjmë planin operativ mundësisht në hapësirën kohore më të shkurtër të mundshme.

***

Në përfundim të mbledhjes, pas diskutimeve të zhvilluara dhe mendimeve të dhëna nga specialistë të ndryshëm, Kryeministri Berisha u shpreh: Kam vlerësuar dhe vlerësoj shumë faktin që ky plan është plani i shanseve të barabarta dhe jo i ndëshkim - shpërblimit dhe i babëzisë, siç ishte vepruar deri më sot.

E mbyllim këtë mbledhje kushtuar planit rregullues të kryeqytetit të vendit me një falënderim të përzemërt për të gjithë ata drejtues, ekspertë, studiues që dhanë kontributin e tyre në hartimin e planit rregullues të Tiranës së këtij shekulli, Tiranës së ëndrrës shqiptare të shekullit XXI, Tiranës si një nga qendrat më të zhvilluara e më moderne të rajonit.

Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht qytetarët e Tiranës, të cilët e pasuruan kaq shumë këtë plan me diskutimet e tyre të hapura. Ata e bënë këtë kushtetutë të Tiranës një kushtetutë tërësisht demokratike dhe një kushtetutë që respekton barazinë para ligjit të qytetarëve të kryeqytetit; një kushtetutë e cila vendos në plan të parë interesat jetike të qytetarit, e cila i jep fund historisë së neveritshme të sekserit, i jep fund lejeve të ndërtimit si indulgjenca korruptive, të cilat ndërhynin në të gjitha vendimet e këtij vendi dhe me të cilat bliheshin e shiteshin kate edhe karrige, i jep fund diskriminimit të pamerituar të një popullate që ka meritën e madhe historike të themelimit dhe zhvillimit të kryeqytetit të shqiptarëve.

Uroj edhe një herë të gjithë ata që bënë të mundur sot që ky plan të shqyrtohet dhe të votohet në Këshillin Kombëtar të Territori. Ju ftoj, zotërinj anëtarë të këtij këshilli, të miratojmë Planin e Rregullimit të kryeqytetit të vendit.

Urimet më të mira!”


15/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›