Kryeministri Berisha përshëndet Konferencën e Pestë Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë për Reformën “Një OKB”
U zhvillua sot për herë të parë në Shqipëri konferenca ndërqeveritare e nivelit të lartë ndërkombëtar për reformën “Një OKB”, organizuar nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Konferenca tre ditore (27-29 qershor 2012), që organizohet çdo vit në vende të ndryshme të botës u përshëndet në ditën e parë të saj nga Kryeministri i vendit z. Sali Berisha dhe Znj. Helen Clark, Kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së (UNDG) dhe Administratore e UNDP-së.
Në këtë konferencë marrin pjesë mbi 300 përfaqësues nga 40 vende të botës, përfaqësues nga vendet donatore, krerë e përfaqësues të lartë të sistemit të OKB-së, etj. Synimi i organizimit të konferencës është të përmirësojë efektshmërinë e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe shihet si një mundësi e rëndësishme për të paraqitur rezultatet, arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga qasja “Një OKB”. Nga Konferenca do të dalin dy dokumente kryesore, të cilat do të japin rekomandime mbi të ardhmen e kësaj nisme në vendet ku ajo do të aplikohet. Në konferencë pritet ndër të tjera që vendet pjesëmarrëse të bien dakord mbi një qëndrim të përbashkët që, elementë kyç të nismës “Një OKB”, t’i paraqiten, në korrik 2012, Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC) dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në vjeshtë të vitit 2012, si dhe të identifikohen dhe njihen praktikat më të mira të nismës “Një OKB” nga të cilat vendet e tjera mund të përfitojnë, duke u përqendruar në rezultatet konkrete dhe sfidat në të ardhmen.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen në Tiranë të gjithë të pranishmëve si dhe shprehu falenderimin për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për përzgjedhjen e Tiranës, si kryeqytet të kësaj veprimtarie me një rëndësie globale. “U jam shumë mirënjohës juve zotërinj përfaqësues të vendeve të ndryshme nga të gjitha kontinentet, që jeni sot të pranishëm në këtë konferencë, për të diskutuar sëbashku një nga nismat më të rëndësishme, më kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rezultatet e kësaj nisme, nismë e cila filloi pak vite me parë nën moton “Një OKB”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që në një hark të shkurtët kohor numri i vendeve që janë angazhuar në nismën “Një OKB” është rritur 4 herë. Shqipëria, tha ai , pati fatin e mirë të jetë një nga të parat vende dhe unë mund tu them se në këto vite, nën këtë moto, ka një ndryshim cilësor në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e vendit tim, me nën-organizatat e Kombeve të Bashkuara, kontributi i të cilave ka qenë thelbësor në zhvillimin e vendit tim.
Kryeministri theksoi se ndër këto vite, nën këtë moto, në Shqipëri janë realizuar një seri reformash transformuese, reforma, të cilat kanë përfshirë sistemin arsimor, identifikimin e qytetarëve, reforma që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, me mjedisin dhe mbrojtjen e tij dhe një seri fushash të tjera.
Kryeministri gjithashtu shprehu falenderimet për zonjën Helen Clark për praninë në këtë Konferencë, zonjën Benjelloun, për ekipin e saj si dhe për të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e nën organizatave të OKB-së në Shqipëri për frymën e bashkëpunimit që ato kanë njëra me tjetrën dhe kontributin që ato japin në suksesin e nismës “Një OKB”. Kryeministri siguroi se qeveria mbetet e angazhuar për konsolidimin e mëtejshëm të nismës “Një OKB”
Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Berisha u shpreh:
E nderuar znj. Helen Clark, Kryetare e Grupit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara,
I nderuar z. Pollo,
Të nderuar zotërinj ministra,
Të nderuar kryetarë të delegacioneve,
Shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është një nder i veçantë për mua t’ju përshëndes ju përzemërsisht, t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, të falenderoj Organizatën e Kombeve të Bashkuara për përzgjedhjen e Tiranës, si kryeqytet i kësaj veprimtarie me një rëndësie globale. Dua të falenderoj zonjën Helen Clark, e cila me obligimet e saj të shumta, gjeti kohën për ti kushtuar drejtimin e kësaj Konference, sëbashku me qeverinë shqiptare dhe për organizimin e saj. Të falenderoj Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, z. Ban Ki Moon për mesazhin e tij inspirues.
U jam shumë mirënjohës juve zotërinj përfaqësues të vendeve të ndryshme nga të gjitha kontinentet që jeni sot të pranishëm në këtë konferencë, për të diskutuar sëbashku një nga nismat më të rëndësishme, më kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rezultatet e kësaj nisme, nismë e cila filloi pak vite me parë nën moton “Një OKB”.
Në këtë projekt u përfshinë fillimisht 8 vende të ndryshme në shumë aspekte nga njëra-tjetra. Në fillim kjo u konsiderua si projekt pilot, me qëllim që në varësi nga ecuria e tij, do të mund të shtrihej më tej, do të mund të aplikohej edhe në vende të tjera si një proces i reformimit të suksesshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
E vërteta është se në një hark të shkurtët kohor, projekti pilot u faktua si një test që i rezistoi kohës dhe sot numri i vendeve që janë angazhuar në këtë proces është rritur 4 herë. Shqipëria pati fatin e mirë të jetë një nga të parat vende dhe unë mund tu them se në këto vite, nën këtë moto, ka një ndryshim cilësor në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e vendit tim, me nën-organizatat e Kombeve të Bashkuara, kontributi i të cilave ka qenë thelbësor në zhvillimin e vendit tim.
Ndër këto vite, nën këtë moto, në vendin tim janë realizuar një seri reformash transformuese për Shqipërinë. Reforma, të cilat kanë përfshirë sistemin arsimor, reforma që kanë përfshirë identifikimin e qytetarëve, kanë të bëjnë me barazinë gjinore, me mjedisin dhe mbrojtjen e tij dhe një seri fushash të tjera. Unë me kënaqësi mund t’ju them se të gjitha projektet përfshirë këtu dhe Brain Gain, një projekt me te cilin ne synonim të sillnin në Shqipëri përkohësisht ose përfundimisht celebritetet shqiptare. Pra të gjitha këto projekte janë në një kohë të shkurtër histori e vërtetë suksesi.
Në kuadrin e bashkëpunimit me nën-organizatat e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria shënon njërin prej rekordeve më të rëndësishme për çdo vend, atë të imunizimit të fëmijëve.
“Një OKB”, ka si qëllim kryesor rritjen e efiçencës së ndihmës së OKB-së, nën-organizatave të saj që kanë një potencial të jashtëzakonshme në know- how, por që kanë dhe një potencial financiar dhe material të rëndësishëm.
Unë mendoj se sa më shumë të konsolidojmë këtë nismë, aq më tepër ne, do të arrijmë të zvogëlojmë burokracinë, mbivendosjet dhe mbi - përplasjet, të cilat janë të pashmangshme në çdo aparat burokratik qoftë ai kombëtar apo ndërkombëtar.
Zonja dhe zotërinj
Historia bashkëpunimit të Shqipërisë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara është një histori suksesi. Ne jemi angazhuar me përkushtim të madh, që objektivat e mijëvjeçarit ti shkrijmë me objektivat e integrimit. Objektivat e mijëvjeçarit janë objektiva të drejta, janë objektiva të rëndësishme dhe për Shqipërinë ato ishin një nxitje e madhe për të përmbushur detyrimet që rrjedhin në procesin e Integrimit Europian. Shqipëria është një vend i veçantë. Unë shoh këtu përfaqësues të kontinenteve të ndryshme, por 20 vjet më parë vendi im për shkak të një diktature shkatërrimtare që kishte përjetuar, nuk mund të krahasohej me asnjë vend tjetër ne botë.
Ajo renditej e dyta ose treta më e varfër në botë me 204 dollarë për frymë. Në këtë hark kohor Shqipëria renditet sot në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Ajo nuk është ende një vend i zhvilluar, por ajo ka sot disa nga treguesit më themelor të njëjtë me të vendeve të zhvilluar. Ajo ka sot një vdekshmëri foshnjore një shifrore, ajo ka sot vdekshmërinë amtare ndër më të ulët në botë . Ajo ka sot një e jetëgjatësi në rritje të barabartë me vendet e zhvilluara. Ajo ka vdekshmërinë totale të njëjtë me të vendeve të zhvilluara dhe më të ulët se të të gjitha vendeve ish-komuniste.
Shqiptarët të cilët në vitin 2001 kishin shtëpi banimi për frymë më pak se të gjitha kombet e tjera Europiane në vitin 1980. Nga regjistrimi i vitit 2011 rezulton se kemi lënë prapa pesë kombe anëtare të BE dhe OECD-së. Nga viti 2005 në vitin 2008 varfëria u ul nga 18 në 12 për qind. Varfëria ekstreme u ul nga 4.3 në 1.3 përqind. Ekonomia shqiptare i rezistoi krizës, u përball me pasojat e saj, por ajo ka pasur një rritje mesatare 4 herë më të lartë se mesatarja e Rajonit. Eksportet janë rritur 3 herë këto vitet e fundit, megjithatë ne përballemi me vështirësi dhe nuk e kemi si një rrugë të shtruar.
Kjo Konferencë mbahet pas Samitit të Rios, një Samit me një rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo krizë që jeton sot njerëzimi, që përjeton sot kryesisht bota perëndimore, por edhe të tjerë në fund të fundit, është dëshmi e një zhvillimi të paqëndrueshëm. Është një apel i madh për ne, të bëjmë gjithçka për një zhvillim të qëndrueshëm të vendeve tona, të rajoneve tona, në mënyrë që ata që vijnë pas nesh të mund të jetojnë më mirë se ne. Shqipëria është e angazhuar për një zhvillim të qëndrueshëm. Ne shfrytëzojmë në këtë rast disa avantazhe natyrore, ne jemi sot vend me 98 përqind të energjisë elektrike me origjinë ujore, ne do të trefishojmë prodhimin e saj dhe do të bëhemi një eksportues i rëndësishëm energjisë së rinovueshme në Rajon. Qeveria ime është e vendosur të mbrojë dhe zhvillojë mjedisin, në këtë kontekst në një hark të shkurtër kohor, në brigjet e detit dhe liqeneve të Shqipërisë do të derdhen vetëm ujëra të pastërta. 14 impiante të përpunimit të ujërave të zeza janë në ndërtim e sipër dhe inaugurohen në një hark të shkurtër kohor. Vendi po ndërmerr një lloj pyllëzimi të paprecedent në historinë e tij. Ne shndërruam pyllëzimin në një pyllëzim me drurë frutorë. Ne jemi të vendosur mbi bazën e projekteve të caktuara dhe po mbjellim dhjetëra e dhjetëra milion rrënjë ullinj, qindra milion rrënjë arrorë. Vendi në raport me arrorët është një Kaliforni e vogël, rriten në çdo skaj të tij.
Duke përfunduar ju falenderoj edhe njëherë zonja Clark për organizimin e kësaj konference dhe praninë tuaj, dua të falenderoj zonjën Benjallaut, ekipin e saj, të falenderoj të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e nën organizatave të OKB-së në Shqipëri për frymën e bashkëpunimit që ato kanë njëra me tjetrën dhe kontributin, që ato japin në suksesin e nismës “Një OKB”, t’ju siguroj që qeveria ime mbetet e angazhuar për konsolidimin e mëtejshëm të saj.
Faleminderit !
###
Shqipëria dhe Nisma “Një OKB”.
Ne vitin 2007 pas kërkesës se qeverise shqiptare, Kombet e Bashkuara zgjodhën Shqipërinë si një nder tetë vendet pilote të nismës Një OKB ne bote. Ndërtuar mbi programin e reformave të vendosura nga shtetet anëtare të OKB-së, koncepti “Një OKB” përshpejton përpjekjet për rritjen e koherencës dhe efektshmërisë së aktiviteteve të zhvillimit në nivel vendi. Tetë vendet pilote te programit Një OKB filluan zbatimin e nje modeli te ri ku programet dhe agjencitë do te bashkoheshin ne “Një Program”, “Një Kuadër Buxhetor”, Një Drejtues” dhe “Një Zyrë”.
Më 24 tetor 2007, Qeveria e Shqipërisë dhe njëmbëdhjetë Agjenci, fonde dhe programe të OKB-së, nënshkruan Programin Një OKB. Objektivi i Programit Një OKB në Shqipëri është përmirësimi i rezultateve dhe impaktit të zhvillimit duke bashkuar avantazhet krahasuese të sistemit të OKB në një program të vetëm strategjik.
Ndërsa ne tetor te viti 2011 qeveria e Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan programin e ri të bashkëpunimit për periudhën 2012-2016 i cili mbështet përparësitë kombëtare dhe sfidat e zhvillimit të vendit në fushat e qeverisjes, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe mjedisit, zhvillimit rajonal dhe lokal dhe politikave sociale gjithëpërfshirëse. Programi mbështet Shqipërinë në axhendën e saj të integrimit evropian.
27/06/2012