E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Znj. Helen Clark, Kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së (UNDG) dhe Administratore e UNDP-së

Kryeministri i vendit  z. Sali Berisha dhe  Znj. Helen Clark, Kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së (UNDG) dhe Administratore e UNDP-së pas përfundimit të seancës hapëse të Konferencës Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë Ndërkombëtar për Reformën “Një OKB”, që u çel sot në Tiranë, zhvilluan një takim mes tyre, në përfundim të të cilit dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë kësaj konference Kryeministri Berisha dhe zonja Clark bënë këto komente për mediat e pranishme si dhe iu përgjigjën interesit të tyre:

Kryeministri Berisha:  Siç jeni informuar, në Tiranë po zhvillon punimet një Konferencë Ndërkombëtare e organizuar nga qeveria shqiptare dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, kushtuar nismës  “Një OKB”, nismë të cilën Shqipëria pati fatin e nderin ta fillojë si një nga 8 vendet e para të planetit të përzgjedhura për këtë qëllim. Konferenca bën sot bilancin e kësaj nisme, e cila ka njohur zhvillime pozitive dhe mund të thuhet me siguri se ka kaluar testin e kohës dhe është shndërruar në një vektor të sigurt ndryshimi në veprimtarinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo nismë e madhe dhe e rëndësishme synon që të rrisë efiçencën e ndihmës së Organizatës së Kombe të Bashkuara dhe agjencive të saj, për zhvillimin e vendeve anëtare, për arritjen e objektivave të mijëvjeçarit, synon të ulë kostot e kësaj ndihme, të zvogëlojë barrën burokratike në këtë proces.

Ne i jemi shumë mirënjohës Sekretarit të Përgjithshëm  Ban Ki Moon, për përzgjedhjen e Shqipërisë në projektin e parë pilot, i jemi mirënjohës zonjës Helen Clark, për angazhimin e saj personal në ndjekjen e kësaj reforme dhe praninë e saj sot në Tiranë në këtë konferencë kryesore për nga rëndësia e kësaj nisme. Një mirënjohje të veçantë dua t’ju shpreh të gjitha agjencive të OKB-së në Shqipëri e në mënyrë të veçantë, Zyrës Drejtuese të PNUD-it dhe zonjës Benjallaut, për efiçencën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi në kuadrin e kësaj nisme. Dua të falenderoj donatorët që kanë financuar këtë nismë: Mbretërinë e Spanjës, Mbretërinë e Norvegjisë, Mbretërinë e Holandës, Mbretërinë e Suedisë, Zvicrën, Austrinë, Finlandën, Komisionin Europian, mbështetja e të cilëve ka qenë e një rëndësie parësore për suksesin e këtij projekti në Shqipëri.

Në debatin që po zhvillohet nga kjo Konferencë do të përcaktohen qartë objektiva të reja, të cilat duhen arritur në kontekstin e së ardhmes. Unë dua të garantoj zonjën Clark se qeveria ime do të punojë me përkushtim të madh që të konsolidojë suksesin e kësaj nisme, rëndësia e së cilës është shumë më e madhe sesa vetëm për Shqipërinë, që ka të bëjë me një reformim të domosdoshëm të OKB-së dhe me një rol në rritje të agjencive të saj në vendet në zhvillim e vende të tjera.

Edhe një herë falenderimet e mia më të përzemërta për ju zonja Clark, ekipin tuaj dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë Konferencë nga mbarë Bota.  Jemi shumë të nderuar me praninë tuaj dhe të tyre këtu në Tiranë.

Zonja Clark: Faleminderit i nderuar zoti Kryeministër për mbështetjen tuaj tejet, tejet të  madhe që i keni dhënë  jo vetëm Konferencës, por edhe neve në këtë konferencë të rëndësishme për iniciativën “Një OKB”, për mbështetjen e Shqipërisë,  e cila në fakt do të ketë edhe një impakt tepër të madh për mënyrën sesi OKB-ja do të organizohet dhe do të vazhdojë punën e saj në të ardhmen.

Po ashtu dëshiroj që t’ju falenderoj juve personalisht, por edhe qeverinë tuaj, për mikpritjen tejet  të ngrohtë që keni treguar jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj të gjithë pjesëmarrësve që kanë ardhur në këtë Konferencë nga e gjithë bota, një konferencë, e cila është konferenca  e pestë ndërqeveritare e nivelit të lartë mbi iniciativën “Një OKB”.

Që nga fillimet e saj kjo axhendë, e cila i ka nisur në viti 2007, ka për qëllim që të tregojë se OKB-ja, ka mundësi  të punojë më mirë kur të gjitha agjencitë e saj bashkohen bashkë, duke treguar kështu që edhe zhvillimi mund të jetë më i efektshëm. Që në fillim ne ramë dakord që do të zhvillohej një vlerësim i pavarur për ato arritje që do të ishin bërë deri më tani, pikërisht për ato vende pilote që kanë marrë pjesë në iniciativën “Një OKB” dhe është pikërisht ky raport i pavarur, i cili është edhe objektivi  ynë kryesor i diskutimeve në Konferencën  tre ditore.

Ky raport ka treguar në fakt, se qasja “Një OKB” ka përforcuar axhendat kombëtare.  Po ashtu ka përforcuar edhe njëherë  rolin e OKB-së përsa i përket  të gjithë atyre sistemeve dhe fakti ka treguar se OKB-ja  u përgjigjet  axhendave  dhe ndryshimeve të ndryshme që ndodhin në vende të ndryshme për zhvillim.   Madje mund të them se nga ajo që ne kemi  parë nga ky raport, ka dalë që qeveritë  e vendeve të ndryshme kanë shprehur një kënaqësi  të një niveli  të lartë me punën që është arritur tashmë. Meqenëse unë jam një person që besoj  fort tek klienti, mund të them se edhe kjo përgjigje që na ka ardhur nga qeveritë është mbresëlënëse por edhe inkurajuese.

Mund të them se Kryeministri  dhe qeveria e Shqipërisë, kanë mundur që të sjellin në një tryezë të rrumbullakët të gjithë palët e interesuar në një moment tepër kyç. Nga njëra ana ne kemi raport që na ka treguar që ne kemi arritur suksese, por nga ana tjetër  ky raport na ka treguar që kemi ende sfida me të cilat ne duhet të përballemi.

Mund të them se në dy javët në vijim në New Jork ne do të mblidhemi për dy takime të rëndësishme. Njëri është Forumi i Zhvillimit  dhe tjetri  është  Këshilli Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara. Mund të them po ashtu se në takimin që do të kemi në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara që njihet ndryshe si EKOSO, ne do të bëjmë një rishikim të gjetjeve që janë bërë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pikërisht me rishikimin e politikave, ky është një rishikim të cilin ne e bëjmë çdo katër vjet.

Është  tepër e rëndësishme që ne kemi mundësi që gjatë këtyre tre ditëve të diskutojmë me shtete anëtare, të cilat janë të pranishme fillimisht në Tiranë dhe më pas do të jenë të pranishëm edhe në dy takimet të cilat unë i përmenda dhe do të zhvillohen gjatë dy javëve të ardhshme dhe më pas në shtator do të kenë mundësinë që po këta anëtarë të diskutojnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ne të kemi mundësi t’ju japim rezultatet e kësaj qasjeje, që ne e quajmë qasja  “Një OKB” dhe të diskutojmë me ta përvojën tonë më të gjërë.

Më lejoni të them që udhëheqja që ka treguar Shqipëria në gjithë këtë proces, ka qenë tejet, tejet e rëndësishme dhe në fakt kritike dhe kyçe për të arritur në këtë moment që kemi me iniciativën “Një OKB”.

Pyetje:  Znj. Clark, sa e ka goditur iniciativën “Një OKB” kriza europiane. U përmend më parë Spanja si një ndër donatorët e iniciativës kur dihet se Spanja është një nga vendet e goditura fort nga kriza ekonomike. Pyetja e dytë lidhet me rolin e Shqipërisë. Sa efektiv e keni parë rolin e Shqipërisë të përthitë nga fondi i iniciativës ”Një OKB” dhe çfarë kontributi real ka Shqipëria në reformimin e OKB-së? 

Zonja Clark: Së pari më lejoni të them se Shqipëria ka qenë tepër efikase dhe e efektshme në punën që ka bërë  dhe ka mundur që të marrë më të mirën e mundshme nga sistemi i ri dhe iniciativa “Një OKB” në përgjithësi.

Së dyti, jam e kënaqur t’ju them se  përsa i përket burimeve që ne kemi marrë , këto burime janë siguruar përpara se të vinte kriza europiane.  Po ashtu mund të them se  ndoshta në mediat ndërkombëtare  ju do të  shikoni se ka shumë raporte ndërkombëtare, të cilat flasin për ndikimin apo inpaktin e madh që ka kriza politike apo globale dhe që ajo e ka pasur në fakt që nga viti 2007 dhe është pikërisht kjo krizë, që mendohet dhe thuhet se mund të ketë ndonjë efekt përsa i përket asistencës që japin komuniteti i donatorëve në  vende të ndryshme. Madje vjet për herë të parë është vënë re që kjo asistencë ka pasur një rënie.

Por ajo që është akoma më e rëndësishme është që të gjithë ne të punojmë për këtë qasje, të cilën e quajmë qasje “Një OKB” dhe që ne të japim vlerë më të mirë, në mënyrë që ne të japim ndihmën më të mirë, që të ndihmojmë vende si Shqipëria  që dëshirojnë të vijojnë transformimin e tyre aq vital.

Pyetje:  Z. Kryeministër  iniciativa “Një OKB” të jep përshtypjen sikur e rrit edhe më tepër konkurrencën për marrjen e fondeve  nga kjo iniciativë. Sa ka arritur Shqipëria që të përfitojë nëpërmjet programeve të saj për të marrë fonde dhe me këto fonde të mbulojë nevojat e brendshme?

Kryeministri Berisha: Së pari kjo iniciative është e një rëndësie shumë të lartë, e cila synon mbi të gjitha të rrisë efiçencën e veprimit, e ndihmës dhe mbështetjes së agjensive të  OKB-së për vendet e përfshira në këtë iniciativë.

Së dyti, kjo iniciativë kërkon që ti besosh si çdo gjë tjetër e rëndësishme dhe unë mund t’ju them se ne i kemi besuar që në fillim dhe nga ai moment jam i bindur se bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare dhe agjensisë së OKB-së ka një ndryshim real cilësor.

Unë jam kryeministër, jam i detyruar ti masë gjërat me projekte dhe zbatimet e tyre. Janë një listë e tërë projektesh të një rëndësie themelore për vendin, të cilat janë trajtuar në kuadrin e kësaj nisme dhe janë rezultate të prekshme. Nuk mund të pretendohet që nisma sapo filloi ishte e tëra në këmbë, jo kjo është një nismë për tu zhvilluar dhe konsoliduar. Në agjensitë e OKB  njëlloj si në agjensitë e një vendi tjetër, ka problematikat e veta, burokracitë janë burokraci kudo, qoftë kombëtare qoftë ndërkombëtare dhe mendoj se në Shqipëri kjo po ecën drejt konsolidimit të mëtejshëm. Sigurisht unë sapo diskutova me zonjën Helen Clark për mundësinë dhe  angazhimin e misioneve Breton Wood në mbështetje të kësaj nisme, më shumë Komisioni Evropian e ka mbështetur. Unë mund t’ju them se në fillim ka pasur xhelozira, por i përkasin të kaluarës dhe më vonë pati mirëkuptim të plotë.

Faleminderit !


27/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›