E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron përfundimin e rrugës Ura e Goricës-Mbreshtan dhe fillimin e punimeve për rrugën Mbreshtan-Sinjë

Boshti i Jugut do të jetë projekti më i madh infrastrukturor i këtyre 4 viteve.

Një Shqipëri që do të integrohet në Bashkimin Europian mund të integrohet vetëm si një Shqipëri e zhvilluar, me infrastrukturë dhe shërbime moderne, e cila ecën me shpejtësi drejt moshës dixhitale.

Në vijim të vizitës në Berat, Kryeministri Berisha përuroi edhe përfundimin e punimeve për rrugën Ura e Goricës-Mbreshtan, me gjatësi 7.5 kilometra, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë 2.5 milion dollarë dhe njëkohësisht, fillimin e punimeve për rrugën Mbreshtan-Sinjë.

Kryeministri Berisha, pas përshëndetjeve të përzemërta me banorët, i siguroi ata se qeveria do të mbajë dhe shndërrojë në realitet çdo premtim që ka dhënë, sepse vetëm një Shqipëri e zhvilluar dhe moderne mund të arrijë objektivin e saj madhor, integrimin në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha ritheksoi se brenda këtij mandati qeveria do të ndërtojë Boshtin e Jugut, që do të jetë edhe projekti më i madh infrastrukturor i këtyre 4 viteve. Ndër projektet për këtë zonë, Kryeministri përmendi ndërtimin e unazës së Shpiragut, në mënyrë që të gjitha fshatrat të lidhen me rrugë moderne automobilistike.

Në përshëndetjen drejtuar banorëve, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Mbreshtanit,

Vëllezër e motra,

Zonja e zotërinj,

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht. Ju uroj ta gëzoni rrugën e re, të cilën ju e meritoni plotësisht. Gjatë një vizite në Berat, dy vite më parë, autoritetet vendore i kërkuan qeverisë që të rindërtonim këtë rrugë për zonën tuaj, zonë me qytetarë të mrekullueshëm dhe prodhime të klasit të parë, e njohur për prodhimin e qershive dhe prodhime të tjera. Jam i gëzuar dhe i kënaqur që vizitën time të parë tek ju e bëj me një rrugë të standardeve shumë të mira, e cila ju shkurton shumë distancën për të dalë në rrugën kombëtare, për të arritur në Berat, por edhe për t’i nxjerrë prodhimet tuaja jo vetëm në tregun e Beratit, të Tiranës dhe në tregje të tjera.

Siç e dini, zotimi ynë më kryesor për këto katër vite ka qenë heqja e vizave për ju dhe për shqiptarët. Në fushatën elektorale, ne ju dhamë fjalën se gjatë vitit të parë të këtij mandati do të merrej vendimi për heqjen e vizave. Dje, Komisioni Europian vendosi të propozojë heqjen e vizave për Shqipërinë, pra, mori vendimin e tij. Ky vendim është rezultat i një ndryshimi shumë të madh të qëndrimit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky vendim është dëshmi e një vlerësimi të ndershëm, të drejtë dhe objektiv të rezultateve të të gjitha reformave tona. Ky vendim është gjithashtu, dëshmi e fjalëve të mbajtura, e premtimeve të bëra realitet. Ne duhet ta shohim njëri-tjetrin drejt e në sy për fjalën e dhënë, për fjalën e mbajtur. është detyra e kësaj qeverie dhe e çdo qeverie që ju përfaqëson juve, që ato që paraqet tek ju në fushatën elektorale, t’i shndërrojë në realitet. Dhe unë ju garantoj se ne, këtë do të bëjmë.

Sot, inauguruam këtë rrugë, por po sot inaugurojmë edhe fillimin e punimeve deri në Sinjë. Qeveria do të ndërtojë tërë unazën e Shpiragut. Të gjitha fshatrat, kudo që ndodhen do të lidhen me rrugë moderne automobilistike. Sikundër Boshti i Jugut do të jetë projekti më i madh infrastrukturor i këtyre 4 viteve. Një Shqipëri që do të integrohet në Bashkimin Europian mund të integrohet vetëm si një Shqipëri e zhvilluar, me infrastrukturë dhe shërbime moderne, e cila ecën me shpejtësi drejt moshës dixhitale.

Po vij nga Lapardhaja, ku vizitova në shkollën e re, kabinetin e informatikës. Një nga nxënësit më kërkoi të shtohet një kabinet tjetër, sepse ky nuk na mjafton, më tha. Dhe sigurisht, ne do të shtojmë jo një, dy, tre kabinete, por sa të jetë nevoja. Ne ju kemi premtuar të rinjve tanë se në fund të këtij mandati, çdo i ri në shkollë do të ketë kompjuter edhe në shtëpi. Ne do ta bëjmë këtë realitet.

Ndaj edhe një herë ju uroj për rrugën e re. Dua të garantoj kryetarin e komunës se në këtë komunë, por edhe në çdo komunë të Beratit, Përmetit, Skraparit e kudo që ndodhen, qeveria ime do të mbështesë çdo projekt infrastrukturor për të ndryshuar jetën tuaj, për ta bërë atë më të lehtë, më qytetare, për t’ju ofruar juve shërbimet më të denja që meritoni. Faleminderit dhe urimet më të përzemërta”.


29/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›