Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Gjermanisë Zotin Hans-Peter Annen
Kryeministri Berisha priti sot Ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, z. Hans-Peter Annen, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Shqipëri.
Kryeministri e falënderoi zotin Annen dhe i shprehu mirënjohjen për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania, edhe nëpërmjet misionit të zotit Annen, ka dhënë në reformat dhe proceset e integrimit europian të vendit.
Të dy personalitetet vlerësuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe se Ambasadori Annen ka patur një rol shumë të çmuar në forcimin dhe zgjerimin e këtyre marradhënëve. Kryeministri u shpreh se zoti Annen largohet si një mik i madh i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar.
Nga ana e tij, Ambasadori Annen e falënderoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë këtyre viteve të shërbimit të tij. Ai ndau të njëjtin mendim për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke u shprehur se largohet nga Shqipëria me përshtypjen më të mira dhe se ndihet mik i shqiptarëve. Ambasadori gjerman i uroi Kryeministrit suksese në misionin e tij dhe në reformat e rëndësishme të ndërmarra nga qeveria.