E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, z.Michael Leigh

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, zoti Michael Leigh. Në takim, të dy personalitetet diskutuan për ecurinë e reformave të gjithanshme, të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Pas takimit, zoti Berisha dhe zoti Leigh dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën bënë këto komente:

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, z. Leigh: "Faleminderit zoti Kryeministër. Vizita ime në Shqipëri është një rast për të bërë një vlerësim për progresin e bërë në kuadrin e marrëveshjes interim të përkohshme, si dhe për të diskutuar programin e qeverisë për reformat ekonomike dhe politike. Ne jemi tamam në kohë, sepse jemi duke përgatitur raportin vjetor të progresit, i cili do të botohet në nëntor të këtij viti.

Ne, gjithashtu, diskutuam për çështje rajonale me interes reciprok, si dhe për çështjen e Kosovës. Sot, në bisedën që pata me zotin Kryeministër, ndamë gjithashtu mendime për përafrimin e legjislacionit shqiptar në përputhje me ligjet dhe rregullat e Bashkimit Evropian.

Diskutuam dhe për çështjen shumë të rëndësishme të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mendoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme, qoftë për besimin e qytetarëve shqiptarë te institucionet e tyre, gjithashtu edhe për përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Unë e sigurova zotin Kryeministër dhe bashkëbiseduesit e tjerë se ne jemi të gatshëm që t'i ofrojmë Shqipërisë përvojën tonë dhe të vendeve të tjera partnere në këto fusha të rëndësishme. Bashkimi Evropian këtë viti ka paraqitur një instrument të ri financiar që është instrumenti i asistencës para aderimit dhe, ne do ta paraqesim gjithashtu këtë edhe për Shqipërinë, si dhe për ato vende që aspirojnë futjen në Bashkimin Evropian dhe kryerjen e reformave përkatëse.

Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha instrumentet financiare, të bashkëpunojmë gjithashtu, edhe me Bankën Evropiane të Investimeve, në mënyrë që të mbështeten të gjitha reformat ekonomike dhe politike të Shqipërisë. Faleminderit".

Kryeministri Berisha: "Unë falënderova shumë përzemërsisht zotin z. Michael Leigh për vizitën e tij. Pas vizitës së Komisionerit Olli Rehn, vizita e nivelit të lartë të zoit Michael Leigh, dëshmon interesin e madh të Komisionit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe për Shqipërinë.

Unë i bëra një ekspoze të gjerë, zotit Leigh, të të gjitha reformave, duke nisur nga lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, deri tek praktikat dixhitale dhe përpjekjet e Shqipërisë për të ardhur në moshën dixhitale, reformat në fusha të tjera.

E falënderova me shumë mirënjohje për ndihmën që Komisioni Evropian i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë. Unë e sigurova atë se "Acquis Communautaire" përbëjnë kërcellin e të gjitha strategjive që hartohen në Shqipëri të të gjitha strategjive tona të fushave të ndryshme, të cilat synojnë të afrojnë më shpejt Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

E njoha Zotin Leigh me stadin aktual të reformave, veçanërisht angazhimin e qeverisë në luftën kundër informalitetit dhe përmirësimin e klimës së biznesit, si dhe funksionimin e shtetit ligjor. Unë e sigurova se ne do t'i përmbahemi me rigorozitet kontratës së nënshkruar në 12 qershor, në Luksenburg, pra, Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe mirëpresim çdo ndihmë për përafrimin e legjislacionit tonë me atë evropian. Ne vlerësojmë shumë ndihmën financiare në kuadrin e IFA-s, sikundër edhe investimet e Bankës Evropiane të Investimeve për ngritjen e infrastrukturës sonë. Dua ta siguroj zotin Leigh se ndryshimi është një nga qëllimet më kryesore tonat, në mënyrë që të afrohemi më shumë me Bashkimin Evropian".

Më pas, të dy personalitetet iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

Pyetje: Zoti Leigh, ju keni takuar tashmë të gjithë faktorët politikë në vend, si e vlerësoni klimën politike në vend dhe sa do të ndikojë procesi i zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm në ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE?

Zoti Leigh: Një nga çështjet që monitoron gjithmonë Bashkimi Evropian është stabiliteti politik, përfshirë edhe funksionimin e parlamentit. Ne nuk do të përfshihemi në çështjet e brendshme të vendit, por ne vlerësojmë funksionimin e të gjitha institucioneve. Kur ka një bllok të gjerë reformash për t'u aprovuar, është mirë që të ketë një konsensus tërësor, kombëtar, për t'i miratuar këto reforma, në mënyrë që ato të realizohen. Në të gjitha takimet që unë kam patur me udhëheqësit politikë, aq sa është e mundur, kam mundur që t'i nxis që të realizojnë këtë konsensus jashtë ndarjeve politike.

Pyetje: Zoti Kryeministër, sa reale i konsideroni kritikat që një ditë më parë ju ka drejtuar zoti Topi, si në funksionin e kryetarit të Partisë, ashtu edhe të qeverisë, për mosfunksionimin, sipas tij, të koalicionit qeveritar?

Kryeministri Berisha: Nuk mund të them se koalicioni mund të mburret me votimin për ligjin e gjobave, por natyrisht një dialog më intensiv duhet të zhvillohet, në mënyrë që brenda harkut të koalicionit të ketë një qëndrim të njëjtë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›