Kryeministri Berisha pret Kryeministrin e Federatës së Bosnje Hercegovinës, zotin Nermin Niksic

- Kryeministri Berisha: Diskutuam mbi lehtësimin më të madh të lëvizjes midis dy vendeve dhe plotësimin eventual të kuadrit ligjor
- Kryeministri Niksic u shpreh se “ne e kemi marrë Shqipërinë si shembull në ndërtimin e infrastrukturës rrugore”
Kryeministri Berisha mirëpriti sot pasdite Kryeministrin e Federatës së Bosnje Hercegovinës, zoti Nermin Niksic, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë, me ftesë të Kryeministrit Sali Berisha.Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, nën kryesimin e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Niksic u zhvilluan bisedimet dypalëshe ndërmjet delegacioneve respektive. Në përfundim të bisedimeve, dy kryeministrat dhanë një prononcim të përbashkët për mediat.
Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Niksic si tepër të rëndësishme dhe e konsideroi atë një nxitje të madhe në bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy vendeve. “Me Kryeministrin Niksic identifikuam fusha të një interesi të madh të përbashkët bashkëpunimi. Fusha të tilla si turizmi, agrobiznesi, energjia paraqesin realisht mundësi shumë të mëdha bashkëpunimi midis dy vendeve”, tha Kryeministri.
Në prononcimin për media, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Niksic, u shprehën:
Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj, sapo përfunduam bisedimet të frytshme dhe miqësore me Kryeministrin e Federatës së Bosnje Hercegovinës, zoti Niksic, i cili ndodhet sot në Tiranë me ftesën time. Dy vendet tona janë vende mike, me një potencial të madh bashkëpunimi në të gjitha fushat. Shqipëria mbështet plotësisht përpjekjet dhe aspiratat e Bosnje Hercegovinës për bashkëpunimin dhe anëtarësimin e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Të dy vendet tona ndajnë së bashku projektin madhor të integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria mbështet plotësisht integritetin territorial të Bosnje Hercegovinës, si një faktor të një rëndësie madhore për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit, vlerëson rolin e saj në proceset rajonale dhe bashkëpunimin rajonal.
Me Kryeministrin Niksic identifikuam fusha të një interesi të madh të përbashkët bashkëpunimi. Fusha të tilla si turizmi, agrobiznesi, energjia paraqesin realisht mundësi shumë të mëdha bashkëpunimi midis dy vendeve. Prej shekujsh në Bosnje Hercegovinë ka një prani shqiptare, e cila është e përfillur dhe e vlerësuar në vendin ku jeton. Në Shqipëri ekziston një pakicë boshnjake e vendosur kryesisht në zonën e Shqipërisë së mesme, në Shijak, dhe që gëzon të gjitha të drejtat. Ne diskutuam mbi lehtësimin më të madh të lëvizjes midis dy vendeve dhe plotësimin eventual të kuadrit ligjor.
Edhe një herë, duke falënderuar Kryeministrin Niksic për këtë vizitë të rëndësishme, dua ta siguroj atë se unë e konsideroj këtë një nxitje të madhe në bashkëpunimin midis dy vendeve tona.
Faleminderit!
Kryeministri Nermin Niksic: Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Berisha për nderimet që na ka bërë neve dhe delegacionit në këtë vizitë, nderime shtetërore edhe pse unë jam Kryeministër i një entiteti në Bosnje Hercegovinë. Në këtë vizitë do të nënshkruhet edhe të një kontratë nga një kompani e Bosnje Hercegovinës. Kjo na bind edhe më shumë për marrëdhëniet miqësore midis dy shteteve, na nxit që këto marrëdhënie t’i zgjerojmë në fushat që i përmendi edhe Kryeministri Berisha, në fushën e agrobiznesit, në fushën e turizmit, si dhe në sektorin e energjetikës, qoftë në ndërtimin e hidrocentraleve, qoftë edhe në miniera.
Dua të them edhe një herë këtu atë që i thash Kryeministrit të nderuar gjatë takimit, se ne e kemi marrë Shqipërinë si shembull në ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Dëshiroj të shpreh kënaqësinë se edhe për këtë fushë ne kemi diskutuar dhe kemi shkëmbyer përvojat tona. Jam i sigurt se kompania Energoinvest, e cila vjen nga Sarajeva, nga Bosnje Hercegovina, do të përmbushë besimin që ka nga qeveria e Shqipërisë, punën do ta përfundojë në afatet e caktuara, në të mirë të të gjithëve. Dhe në këtë mënyrë të krijojë parakushte që edhe në vazhdim kompanitë nga Bosnje Hercegovina të bashkëpunojnë me qeverinë e Shqipërisë.
Shfrytëzoj rastin, edhe njëherë, të shpreh që bashkëpunimi midis dy shteteve tona, sidomos të flas për entitetin e Federatës, mund të ecë edhe në mënyrë më kualitative. Për këtë, një nxitje të madhe jep ambasadori i Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë. Unë shpresoj që së shpejti dhe Bosnje Hercegovina të ketë ambasadën e saj në Tiranë. Bosnje Hercegovina dhe Shqipëria do të vazhdojnë bashkëpunimin midis tyre.”
30/01/2013