E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 215 mijë punonjës në sektorin privat e publik, përfitues të rritjes së pagës me 10% nga heqja e tatimit mbi të ardhurat personale

Kryeministri Berisha detajoi sot, në mbledhjen e qeverisë masën më të re fiskale që do të ndërmarrë së shpejti qeveria për heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale prej 10 përqind, për pagat deri në 30 mijë lekë. Nga kjo masë, u shpreh Kryeministri, do të përfitojnë rritje me 10 përqind të pagave mbi 200 mijë punonjës në sektorin privat me pagë deri në 30 mijë lekë dhe përafërsisht 15 mijë punonjës të të gjitha sipërmarrjeve publike dhe sektorit publik qendror e lokal me këtë nivel page.

“Kjo - tha Kryeministri - është rritja më e madhe që këta punonjës kanë njohur në tërë jetën e tyre, në këto sipërmarrje. Kjo rritje konsolidon më tej taksën e sheshtë. Nuk ka diskutim që taksa e sheshtë është taksa më optimale, por, gjithnjë, si çdo model, edhe modeli ynë ultraliberal ka nevojë për përmirësime, ka nevojë për reformimin e tij të vazhdueshëm dhe ky është një reformim në frymën e tij.”

Rritja e pagës me 10 përqind për punonjësit me pagë deri në 30 mijë lekë, si efekt i heqjes së tatimit mbi të ardhurat personale, do të ngushtojë edhe më tej diferencën midis nivelit të pagave në vend. Si rezultat i politikës konstante të rritjes së pagave, theksoi Kryeministri, diferenca midis pagës së kryeministrit dhe mësuesit, nga 1 me 9 që ishte shtatë vjet më parë, sot është në raportin 1 me 4.5 dhe ulet, ndërsa garantoi se qeveria është e vendosur ta ngushtojë më tej këtë diferencë.

Duke i konsideruar spekulative dhe mashtrime, deklarimet e opozitës lidur me taksën e sheshtë, Kryeministri u shpreh se ajo është e njëjtë si përqindje, por e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë pagat e të ardhurat nga njëra-tjetra.

“Në thelbin e në të vërtetën e saj, ajo është taksë proporcionale, por, natyrisht, jo në urrejtjen ndaj të pasurve. Në mënyrën më të përsëritur, politika që kanë synuar të zgjidhin problemet e të varfërve, duke shkatërruar të pasurin, kanë falimentuar totalisht dhe kanë sjellë të kundërtën, kanë shtuar në progresion gjeometrik numrin e të varfërve.”

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë lidhur me këtë masë të re.

“Kryefjala e kësaj mbledhjeje është revolucioni ynë fiskal, i cili nuk ka të ndalur, por kësaj radhe konsiston me rritjen 10 përqind të rrogave të mbi 200 mijë punonjësve në sektorin privat, me rrogë nën 30 mijë lekë dhe përafërsisht të 15 mijë punonjësve të të gjitha sipërmarrjeve publike dhe sektorit publik qendror e lokal me rrogë nën 30 mijë lekë, të cilëve do t’u hiqet tatimi mbi të ardhurat personale prej 10 përqind.

Kjo masë në të vërtetë përbën mbështetjen direkte, më të fuqishme, që qeveria shqiptare ju ka dhënë ndonjëherë të punësuarve të sektorit privat, pasi gjatë këtyre shtatë viteve, në përputhje me programin tonë, ne kemi rritur në mënyrën më të fuqishme rrogat e pensionet e sektorit publik. Rritje që ka bërë që rroga mesatare nga 24 mijë lekë të shkojë në 57 mijë lekë. Ky është rezultati i politikës sonë të rritjes së rrogave e pensioneve.

Natyrisht, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ekziston një paralelizëm midis rrogave të sektorit privat dhe atij të publik. Në disa vende prijnë rrogat e sektorit publik, në të tjera më i paguari në tërësi është sektori privat. Një gjë është e sigurt: Me rritjen e rrogave të sektorit publik, ne kemi ndikuar fuqishëm e kemi udhëhequr këtë politikë në të gjithë vendin, çka do të thotë që politika e ndjekur në sektorin publik është ndjekur në mënyrë të pashmangshme edhe nga sektori privat. Por me këtë vendim, që së shpejti do të shkojë në parlament, ne si qeveri realizojmë një rritje 10 përqind të pagës të të gjithë punonjësve në sektorin privat e publik. Në sektorin privat deri tani janë të evidentuar 200 mijë punonjës dhe kjo rritje prej 10 përqind është 1.2 rroga në vit.

Kjo është rritja më e madhe që këta punonjës kanë njohur në tërë jetën e tyre, në këto sipërmarrje. Kjo rritje konsolidon më tej taksën e sheshtë. Nuk ka diskutim që taksa e sheshtë është taksa më optimale, por, gjithnjë, si çdo model, edhe modeli ynë ultraliberal ka nevojë për përmirësime, ka nevojë për reformimin e tij të vazhdueshëm dhe ky është një reformim në frymën e tij. Po të mos ishte taksa e sheshtë, nuk do mund të imagjinohej vendimi që do të merret së shpejti nga kjo qeveri. Është pikërisht taksa e sheshtë që bëri të mundur marrjen e këtij vendimi.

Me rritjen 10 përqind të rrogave, ne ngushtojmë gjithashtu me 10 përqind më shumë diferencën e rrogave, të cilën e kemi gjetur çnjerëzore e të papranueshme. Ditën që jam ulur në këtë karrige, diferenca midis rrogës së kryeministrit dhe rrogës së mësuesve të fëmijëve tanë ishte 1 me 9, ndërsa me rrogat e infermierëve të të sëmurëve tanë shkonte 1 me 13 a 14. Sot jemi në raportin 1 me 4.5 dhe rritja e rrogave të ulëta me 10 përqind e ngushton edhe më shumë diferencën në tërësi. Ky ka qenë e mbetet qëllimi ynë.

Ata, të cilët sulmojnë taksën e sheshtë, e sulmojnë kryekëput nga pozita spekulative. Pretendimi se ajo është e njëjtë për të gjithë është një mashtrim absolute, mashtrimi më i paskrupullt. Ajo është e njëjtë si përqindje, por e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë rrogat e të ardhurat nga njëra-tjetra. Në thelbin e në të vërtetën e saj, ajo është taksë proporcionale, por, natyrisht, jo në urrejtjen ndaj të pasurve. Në mënyrën më të përsëritur, politika që kanë synuar të zgjidhin problemet e të varfërve, duke shkatërruar të pasurin, kanë falimentuar totalisht dhe kanë sjellë të kundërtën, kanë shtuar në progresion gjeometrik numrin e të varfërve. Ato janë politika që bazohen në instinkte,  fakultetet e errëta të njeriut, të zilisë për atë që ka. Politika, të cilët janë elaboruar apo kanë dalë në Shqipëri nga arkivat e Partisë së Punës të Shqipërisë, siç ishte rasti i taksës Koleka, që gazetarët investigativë gjetën edhe dokumentin e  tij, por që do u mbetet vetëm arkivave.

Zotërinj ministra,

gjatë dy muajve të fundit, ne kemi ndërmarrë me vendosmëri ndër reformat më të thella fiskale në historinë e vendit. Ne hoqëm me ligj në parlament, TVSH-në për makineritë e importuara që përdoren për prodhim, nga të gjitha llojet e bizneseve. Nga kjo masë janë përfitues qindra e mijëra biznese, sepse këtu përfshihen edhe fermat. Hapi i dytë i madh dhe ndër më madhorët është kjo që ndërmarrim: heqja e taksës mbi të ardhurat personale për punonjësit deri 30 mijë lekë. Kjo e bën Shqipërinë, në rrafshin e krahut të punës, një nga vendet më kompetitive në rajon, Europë e më  gjerë, e bën një nga vendet më tërheqëse për krahun e punës. Investitori, që do të vijë në Shqipëri, do t’i sjellë makineritë pa TVSH, do punësojë qytetarë dhe për ata që kanë rroga nën 30 mijë lekë pa taksën e të ardhurave personale. Ndokush mund të thotë se ç’janë këto rroga nën 30 mijë lekë. Sigurisht nuk janë të larta dhe çdo njeri meriton më shumë, por më duhet t’i them këtij zotërie apo zonje: lexo reformat e bëra në këtë drejtim nga vendi lokomotivë i ekonomisë europiane, Gjermania, lexo se si ekonomistët e këtij vendi, thin tank të shquar, futën konceptin e minirrogës, të minipunës dhe e bënë krahun e punës në Gjermani ndër më fleksibël e të shkëlqyerit se në ndonjë vend tjetër. Edhe ne do të punojmë shumë për krahun e punës.

Ne nuk ramë në krizë, siç e ka afirmuar në mënyrën më të përsëritur Fondi Monetar Ndërkombëtar, ky institucion prestigjioz botëror, partner i rëndësishëm i Shqipërisë, këto 20 vite. E vërtetë, ne nuk ramë në krizë për shkak të reformave të mëdha që ndërmorëm, por nga kriza, ne do të nxjerrim mësime dhe një nga mësimet më madhore është tregu i punës, ruajtja e fleksibilitetit të tregut të punës, investimi në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe ne po e bëjmë këtë.

Kriza botërore është edhe një mundësi që ne të bëjmë gjithçka, jo vetëm për ta përballuar atë, por edhe për të pasur një ekonomi të qëndrueshme në dekadat që vijnë. Para 10 ditësh u arrit mirëkuptimi me nobelistin Yunus. Qeveria do t’u japë mundësi të gjitha sipërmarrjeve që duan të krijojnë biznese sociale, që dividendin ta përdorin për këtë qëllim. Ne po i përmbahemi në mënyrën më të vendosur motos sonë, se rruga më e sigurt për të mbrojtur ekonominë shqiptare nga kriza është mbështetja e bizneseve.

Sigurisht këto masa do të kenë në mënyrë të pashmangshme një efekt negativ mbi buxhetin, sepse makineritë që importoheshin me TVSH,  natyrisht, ishte një e ardhur e rëndësishme në buxhet, jo më pak se 150 milionë dollarë. Të dy këto masa sëbashku do të jenë minus në buxhet, por reformat kanë gjithnjë këtë logjikë: një shtrëngim i përkohshëm dhe kjo në këtë rast, fatmirësisht, jo për qytetarët, përkundrazi, për ta është një efekt shumë pozitiv. Por përsëri edhe për qeverinë, administratën, ky shtrëngim është shumë i përkohshëm, sepse më mbrapa e tërë shoqëria do të ketë si shpërblim efektin pozitiv të reformës, punësimin, krijimin e dhjetëra mijëra të vendeve të punës, sepse për ne, kjo është gjëja kryesore. I gjithë rezultati i reformave tona është matur e do të matet me krijimin e vendeve të reja të punës. Ju lexoni e dëgjoni rëndom se si dyfishohet e rritet mbi dy herë papunësia në vende të tjera dhe kjo jo vetëm në Greqi, Spanjë e në vende të tjera të Eurozonës, por edhe në vende jashtë Eurozonës përreth nesh. Kjo nuk ndodh në Shqipëri, përkundrazi, ka rënie progresive të papunësisë. Jam i bindur se edhe me këtë paketë të re reformash të rëndësishme, ekonomia shqiptare do të jetë e aftë të gjenerojë dhjetëra mijëra vende pune për Shqipërinë e shqiptarët. Ndaj u ndala në këtë çështje që është shumë e rëndësishme.”


30/01/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›