Kryeministri Berisha pret Lordin Alan Watson
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, Lordin Alan Watson i Richmond. Në takim ishin të pranishëm edhe ambasadorja britanike në Tiranë Fiona Mcllwham dhe përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë të Anglisë në Shqipëri.
Lordi Watson e përgëzoi Kryeministrin për rezultatet e arritura nga qeveria. Ai përgëzoi gjithashtu për projektin e madh të qeverisë shqiptare për mësimin e gjuhës angleze që në shkollë fillore dhe prezantimin e gjuhës angleze si të domosdoshme për studime të larta të thelluara. Ai ofroi mbështetje të mëtejshme të këtij procesi nëpërmjet trajtimeve dhe këmbimeve reciproke të mësuesve dhe nxënësve shqiptarë dhe anglishtfolës.
Lordi Watson tha se ishte për vizitë në Shqipëri për të shprehur interesin e biznesit anglez ndaj Shqipërisë, duke pasur parasysh ambientin e biznesit të krijuar dhe politikat ekonomike të implementuara këtu. Lordi Watson i shprehu Kryeministrit interesin e investitorëve anglezë në sektorin e retail, turizëm dhe prodhim industrial. Ai u shpreh i vendosur për të shtuar numrin e investitorëve anglezë në Shqipëri.
Kryeministri Berisha falënderoi Lordin Watson për këtë vizitë dhe i shprehu ndjenjat e miqësisë së thellë personale dhe të qeverisë që ai përfaqëson ndaj tij dhe qeverisë britanike. Duke vlerësuar kontributin e Lordit Watson në zhvillimet ekonomike e politike në Shqipëri, Kryeministri e garantoi Lordin për mbështetjen e gjithanshme të qeverisë së tij në mikpritjen e investitorëve anglezë në Shqipëri dhe i bëri një paraqitje të përmbledhur të sektorëve prioritare e potencialë për investime. Gjithashtu, Kryeministri e siguroi që progresi në fushën e të mësuarit anglisht në shkolla do vazhdojë të mbështetet fuqimisht prej qeverisë së tij, si një kusht i rëndësishëm për zgjerimin e mundësive për të mësuar sa më shumë dhe komunikuar në mënyrë globale. Këmbimet e mëtejshme si trajtime të mësuesve dhe nxënësve nga qendrat e specializuara të gjuhës angleze, tha Kryeministri, janë të mirëpritura në të gjitha strukturat e sistemit tona arsimor.
Duke folur për zgjedhjet vendore të 8 majit, Kryeministri siguroi se për të ishte shumë i rëndësishëm procesi zgjedhor në vetvete dhe përmirësimi i mëtejshëm i tij. Janë marrë të gjitha masat që ky proces të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente nëpërmjet një infrastrukture zgjedhore moderne. Ai theksoi që përkushtimi i tij dhe institucioneve përkatëse është në mbarëvajtjen dhe suksesin e këtij procesi, sipas standardeve ndërkombëtare. Kryeministri vlerësoi rolin shumë të rëndësishëm të vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë në këtë proces.
Lordi Watson shprehu besimin se Shqipëria do të kalonte me sukses këtë proces dhe se respektimi i ligjit dhe roli i vëzhguesve është shumë i rëndësishëm.
19/04/2011