E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Kamza, vendi i qytetarëve të lirë që respektojnë njëri-tjetrin, që respektojnë votën e lirë, si zemrën e lirive dhe të demokracisë së tyre

-          Ne do të shndërrojmë Kamzën e  këtyre burrave dhe grave, që me lumenj djerse ngritën këtë qytet, si një nga qytetet  me të urbanizuara te Shqipërisë

-          Ju garantoj se në katër vitet që vijnë në këtë qytet do të pesëfishohen investimet nga qeveria qendrore. Është firmosur kredia 55 milion dollar për ujësjellësin dhe kanalizimet e qytetit.

Kryeministri Berisha ishte sot pasdite, në Kamëz ku gjatë një tubimi me qytetarët prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të “Aleanca për qytetarin”, zotin Xhelal Mziu.

Në përshëndetjen drejtuar banorëve, kryeministri Berisha shprehu nderimin për qytetarët e Kamzës, të cilët me punën, mundin dhe përkushtimin  e tyre të vazhdueshëm i dhuruan Shqipërisë, njërin nga qytetet më të bukura, bashkinë e 6-të më të madhe në të gjithë vendin.

Duke vlerësuar punën e kandidatit për Kryetar Bashkie, zotit Xhelal Mziu, i cili është dhe kryetari aktual i bashkisë së Kamzës, kryeministri  Berisha u shpreh se gjatë këtyre 4 viteve që drejton zoti Mziu janë asfaltuar 60 kilometra rrugë, janë ndërtuar dhe rindërtuar 23 shkolla dhe kopshte, nga të cilat 5 shkolla të mëdha janë në ndërtim e sipër. Gjithashtu është rritur numri i bizneseve nga 600 në 1800 të tilla. Kryeministri përmendi si një arritje të rëndësishme taksat 3 herë më të ulëta se në bashkinë  e Tiranës, si dhe rritjen e të ardhurave katër herë më shumë, se 4 vite më parë.

Kryeministri vlerësoi si një investim tejet të rëndësishëm, rindërtimin gjatë këtyre 4 viteve, të rrjetit të energjisë elektrike për qytetin, prej 10 milion eurosh, stadiumin  e rindërtuar, pallatin modern të kulturës, si dhe shërbimet digjitale më moderne, për biznesin, urbanistikën apo dhe shërbime te tjera.

Kryeministri premtoi në  4 vitet që vijnë do të rindërtohet tërësisht stadiumi, do të ndërtohet pallati  i sportit, gjithashtu do të  ndërtohet një nga kinematë më moderne, si dhe  parku i lojërave të fëmijëve. Ndër të tjera, kryeministri premtoi se në  4 vitet që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë dhe rrugicë e  këtij qyteti dhe se Kamza do të ketë unazën  e saj, ndër më të rëndësishmen  dhe më modernet.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kamzës,

Vëllezër dhe motra,

banorë të bashkisë së Kamzës,

I nderuar zoti  Ministër, zotërinj këshilltarë,

I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Kamzës dhe kryetar i ardhshëm i saj,

Së pari dëshiroj të përulem me nderim të madh përpara secilit prej jush që këto 20 vite i dhuruat Shqipërisë, me mundin, djersën, përkushtimin tuaj, njërin nga qytetet më të bukura të saj, bashkinë e 6-të, më të madhe në te gjithë vendin.

Ju, që erdhët në Kamëz, nga të gjitha rrethet e vendit nuk kishit me vete konto bankare, as edhe portofole apo qese plot me para. Ju vinit nga zona, në  te cilat jeta ishte  bërë  e pamundur, pas 45 vitesh regjimi barbar, por ju në shpirt, në mendje kishit vetëm ëndrrën tuaj, ëndrrën për një  jete tjetër, për ju dhe fëmijët tuaj.

Ne këto 20 vjet, ju burrat dhe gratë e këtij qyteti derdhet lumenj djerse, por ndërtuat me sukses ëndrrën më të bukur  te njeriut, ndërtuat Kamzën, një qytet ndër me modernët. Cilido që do të prekë dhe të shohë rolin e qytetarit, le të vijë këtu, në Kamëz dhe te shohë se si eshtë ndërtuar nga burrat dhe gratë  e këtij qyteti, një qytet i tërë, sesi ky qytet nga ngrehina njëkatëshe u rrit në një qytet me vila dhe pallate, sesi këtu ju, çdo dite, çdo jave, çdo muaj ia dolët duke shfrytëzuar lirinë dhe pasuritë  e saj, të ndërtoni qytetin  e 6 më të madh te vendit, me një shpejtësi më te madhe se kurrë ndonjëherë ne historinë e Shqipërisë.

Qytetare dhe qytetarë të Kamzës,

Vij sot tek ju për te paraqitur kandidatin për kryetarin tuaj të ardhshëm të bashkisë, kryetarin tuaj, zotin Xhelal  Mziu. 4 vjet me pare, kur ju votëbesuat Xhelalin, si qytetar të parë unë do ta thërrisja në zyrë dhe do ti thoja: zoti Mziu, së bashku ne do te bëjmë për ata qytetarë, atë që ata kanë bërë për Kamzën dhe  Shqipërinë.

Ne do të shndërrojmë Kamzën  e  këtyre burrave dhe grave, që me lumenj djerse ngritën këtë qytet, si një nga qytetet  me të urbanizuara te Shqipërisë. Në këto 4 vite me zotin  Mziu në këtë qytet janë asfaltuar 60 km rrugë dhe që te gjitha rrugë kryesore.

Jam sot për tu zotuar para jush, se në 4 vitet që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë dhe rrugicë e qytetit tuaj, se Kamza do të ketë unazën  e saj, ndër më të rëndësishmen , më të mirat.

Këto vite nga 2005 e këtej janë ndërtuar dhe rindërtuar 23 shkolla dhe kopshte, 5 shkolla të mëdha janë në ndërtim e sipër. Jam këtu për tu dhëne fjalën se shkollat tuaja do të jenë tërësisht shkolla evropiane. Unë mbështes zotin Xhelal Mziu sepse ne 4 vite, në qytetin tuaj, bizneset nga 600 numërohen sot, 1800 biznese. Taksat në këtë bashki janë 3 herë më te ulëta se në bashkinë e Tiranës. Të ardhurat janë rritur me 4 herë më shumë se katër vite më parë.

Qyteti, sot ka rrjetin e vet të energjisë elektrike tërësisht të rindërtuar gjatë këtyre 4 viteve, me një investim prej 10 milion eurosh, ka stadiumin  e rindërtuar, ka pallatin modern të kulturës, ka shërbimet digjitale më moderne për biznesin, urbanistikën dhe shërbime te tjera.

Ju garantoj se ne 4 vitet që vijnë do të rindërtojmë tërësisht stadiumin, do të ndërtojmë pallatin  e sportit, do të  ndërtohet një nga kinematë më moderne për ju dhe në vazhdim parku i lojërave të fëmijëve, parkun së bashku me institutin prej 130 hektarësh.

Vëllezër dhe motra,

Kjo është alternative jonë, e cila frymëzohet nga virtyti juaj, alternativë që frymëzohet dhe buron nga morali juaj, nga djersa juaj, mundi juaj, përkushtimi juaj, alternativë e cila vendos në epiqendër interesat tuaja, shkollimin tuaj, punësimin tuaj, strehimin tuaj, urbanizmin e lagjeve dhe qytetit tuaj, alternativë, e cila ka në bazë, vizionin  për të sotmen dhe te ardhmen e Kamzës dhe  të Shqipërisë.

Ju garantoj se në katër vitet që vijnë në këtë qytet do të pesëfishohen investimet nga qeveria qëndrore, 55 milion dollarë është firmosur kredia për ujësjellësin dhe kanalizimet e qytetit. Do të bëjmë gjithçka për një mjedis sa më miqësor ndaj biznesit, për ta shndërruar biznesin ashtu siç është, si gjeneratorin kryesor të punësimit tuaj. Kjo rrugë është rruga e mundit, e djersës, por është rruga e dinjitetit, rruga e suksesit, rruga me  të cilën njerëzit e lire shndërrojnë ëndrrat e tyre në realitet.

Kamza ishte ëndrra që sollët ju, nga të katër anët e Shqipërisë, “Shqipëria në NATO” ishte ëndrra e çdo shqiptari, që ne e shndërruam në realitet, rruga e kombit ishte ëndrra  çdo shqiptari, që ne e shndërruam në realitet, lëvizja pa viza ishte ëndrra e çdo shqiptari, që ju burrat dhe gratë e Kamzës dhe të mbarë Shqipërisë e shndërruat ne realitet

Qytetare dhe qytetare të Kamzës,

Vij sot tek ju me thirrjen time, për ju dhe te gjithë demokratët shqiptarë, anëtarët dhe mbështetësit  e Partisë Demokratike, “Aleancës për qytetarin”, por  dhe për te gjithë shqiptarët. Në këtë fushatë të shmangim çdo lloj tensioni. Te jete kjo fushatë në lartësinë e vlerave të shpirtit tuaj, të tolerancës suaj, të mirëkuptimit tuaj, të qytetarisë suaj. Kamza evropiane, Shqipëria evropiane, nuk mund te jete kurrë ndryshe, veçse qyteti dhe vendi i qytetarëve të lirë, i qytetarëve që respektojnë njëri-tjetrin, që respektojnë votën e lirë, si zemrën  e lirive dhe të demokracisë së tyre. Kjo është alternativa jonë.

Krahas kësaj është alternative e rrugës së vetme, alternativë në të cilën ju burrat dhe gratë e Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë u ndatë 20 vjet më parë, për të mos nisur kurrë më atë rrugë.

Zoti Rama kalon nga një takim në një tjetër, duke ftuar shqiptarët për rrugën  e vjetër apo rrugën e vetme. Natyrisht do të ishte absurde te mendonim se ajo ofron kooperativa apo ferma bujqësore, por kjo ka pak rëndësi, fakti se kthehet tek rruga  e etërve tregon se e shkuara përbën të sotmen dhe të ardhmen  e tij.

Ndaj ne le te vazhdojmë në alternativën tonë, në të cilën ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët, komuniteti juaj është i pari, Kamza është e para, Shqipëria është e para.

Rroftë Kamza,

Rroftë Shqipëria

Le të votojmë ne, si qytetarë evropianë, le të votojmë për Xhelal Mziun. Ju garantoj se me Xhelalin çdo projekt tuajin do të shndërrojmë në realitet ne 4 vitet që vijnë.


18/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›