Kryeministri Berisha pret Ministren e Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë, zonja Fatma Sahin
Kryeministri Berisha priti Ministren e Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë, zonja Fatma Sahin. Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri i shprehu zonjës Sahin kënaqësinë e kësaj vizite, si një kontribut të ri në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve e kombeve. Kryeministri shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që qeveria turke, Kryeministri Erdogan dhe Presidenti Gyl i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë.
Zonja Sahin e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe e uroi për Ditën e Pavarësisë. Ajo i shprehu Kryeministrit falënderimet për ndihmën që qeveria shqiptare dha në mbështetje të familjeve të viktimave të tërmetit në Van, por edhe për rolin dhe ndihmën që ajo dha në operacionin e kërkim shpëtimit të marinarëve turq që humbën jetën si pasojë e përplasjes së dy anijeve.
Zonja Sahin i kushtoi një rëndësi të veçantë Protokollit të nënshkruar në kuadër të Komisionit Ekonomik Shqiptaro-Turk, midis ministrisë që ajo drejton dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke theksuar se ai do të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik, si dhe zgjerimin e fushave të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha, pasi e vlerësoi protokollin, garantoi zbatimin rigoroz te tij, si dhe shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të firmosur çdo marrëveshje që plotëson kuadrin e bashkëpunimit me Turqinë.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë se gjatë viteve të fundit, me vullnetin e përbashkët, marrëdhëniet veçanërisht në fushën ekonomike kanë njohur zhvillime të mëdha. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi faktin se investimet turke në Shqipëri janë rritur disa herë dhe shtrihen në fusha të ndryshme si në telekomunikacion, në fushën arsimore, ushtarake etj.. Ai theksoi se do të ishte me interes që investitorët turq të shtrijnë aktivitetet e tyre në fushën e bujqësisë, por edhe të turizmit në Shqipëri, duke sjellë këtu eksperiencën e një vendi me tradita të shkëlqyera në këtë fushë.
Nga ana e saj, ministrja Sahin shprehu kënaqësinë që shumë biznesmenë turq kanë hedhur firmat e tyre në veprat e rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se vizitat e ndërsjella politike janë një faktor i rëndësishëm në nxitjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e familjes, rritjes së rolit të gruas në qeverisje, si dhe në fushën e politikave sociale.
Ministrja Sahin i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministrit Erdogan, si dhe ftesën e tij për një vizitë në Turqi, ftesë, e cila u pranua me kënaqësi.
01/12/2011